Erdha sot mes njerëzve të këndoj me dashuri… Ishte ky varg që ngjiti menjëherë në veshët e publikut, që ndiqnin koncertin e Dekadës së Majit e që e lanë sallën duke përsëritur lajtmotivin e këngës.
Sallën e la edhe ajo, këngëtarja, pa e ditur se do të qe e fundit herë dhe se do ta priste një e ardhme tragjike. Vargjet e Agim Doçit tingëllonin thuajse një profeci…Me zërin tim të gjithë njerëzi i përqafoj, këndonte Alida Hisku.
Por profecia nuk u përmbush e gjitha, në ata vite të errët, për fat. Ashtu si në vargjet e saj, kënga e fton edhe njëherë duke i thënë “Eja, mirësevjen”, duke e sjellë pas shumë viteve Alida Hiskun në një koncert recital, mes njerëzve, ashtu siç titullohej ajo këngë e fundit që interpretoi mes viteve ’80, kompozuar nga Avni Mula.
Deti i këngës nuk ka mbaruar për të dhe ajo rikthehet këtë të shtunë, në kërkim të një zemre më shumë, për të prekur me vokalin e saj.
Është Gjergj Leka që e ngjit edhe njëherë në skenë, si një lloj shpagimi për padrejtësitë njerëzore dhe artistike, në koncertin recital “Dëgjoni Këngën time”.
Akuzat për agjitacion dhe propaganda, që ia ngjitën si pusullë pa asnjë bazë dhe etiketimi si armike e partisë nuk e shuan yllin e Alida Hiskut. Këngët e interpretuara prej saj mbetën të ngulitura ndër shqiptarë e madje u kënduan edhe nga brezat e më vonë. Mjafton kënga “Vajzat e fshatit tim”, që njerëzit ta kujtojnë këngëtaren.
E kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe e shkruar nga Zhuliana Jorganxhi, kënga u bë e Alidës, pavarësisht se kush e interpretoi më vonë…E solli edhe njëherë me rastin e koncertit për nder të 52 vjetorit të karrierës së Enver Shëngjergjit. Por këtë të shtunë në mbrëmje ajo vjen në kanalin “News 24” dhe “Radio24”, me një koncert dhe rrëfim intim, intervistuar nga Gjergj Leka.
Disa prej sukseseve të saj të padiskutueshme, që janë sot pasuri e muzikës së lehtë shqiptare, por Alida Hisku ka zgjedhur më shumë se kaq.
Rikthimi i saj, mes publikut të dashur vjen me dy këngë të reja, në një bashkëpunim me poeten, mikeshën e vjetër Zhuliana Jorganxhi dhe kompozitorin Leonard Sojli. Sjell me vete edhe përvojën gjermane, vendi që e mirëpriti për tridhjetë vite, me një këngë në gjermanisht.
Një këngë, një ndalesë në jetën e Alida Hiskut. Por ky recital është një festë dhe krahas vështirësive dhe asaj që e ka cilësuar si tragjedi rinore, ajo ndan me publikun ëndrrat e saj.
Dikur, në një intervistë nga shtëpia e saj në Gjermani rrëfente ëndrrat për një musical me këngët më të dashura dhe ngjarjet e jetës. Ëndërr që e realizon përmes këtij recitali. Ëndërr që e ka ujitur gjatë këtyre viteve, siç thotë vetë ajo se “ëndrrat duhen ujitur”.
Portret heroine
Nëse do të kishte një titull kënge, nga ato që interpretoi, do të qe “Portret Heroine”, i kompozitorit Agim Krajka, që ia besoi krijimin e tij 13-vjeçares Alida Hisku. Ylli i saj në skenë ishte i destinuar të shkëlqente. Fëmija i talentuar, e nderuar në Festivalet e Pionierit me 3 medalje ari, garonte me këngëtarët e mëdhenj të skenës shqiptare, në Festivalin e Këngës në Radio dhe Televizion. Ishte viti 1971 dhe për 13 vite, Alida Hisku ishte e parapëlqyera e kompozitorëve.
E dëbuan nga skena, në kulmin e karrierës. Ishte viti 1983, ajo kryente studimet Politike edhe madje ishte zgjedhur në Komitetin e Qendror të Rinisë.
Ishte madje edhe prej gjashtë vitesh anëtare e Partisë. Por asnjë nga këto nuk qe siguri përballë akuzave që i ngritën. Pretekst u bë një ditar vajzëror i saj, të cilin ia vodhën tre shoqe, me të cilat bënte praktikën në Konispol.
Shkrimet në ditar, Partia ia interpretoi si deshi. I hoqën teserën dhe e akuzuan për agjitacion e propagandë, duke e internuar dhe larguar nga muzika. Ditarin e pa vetëm një vite më vonë, gjatë procesit gjyqësor. Ajo që e plagosi ishte ndarja me publikun, më shumë sesa largimi nga skena. Dikur e ëma i thoshte se po të shkonte deri në natën e tretë të festivalit, do të thoshte se i qe ngulitur publikut në veshë e në zemra.
E dëbuan përdhunshëm nga skena në moshën 23 -vjeçare, kur do të duhej të ishte në kulmin e karrierës dhe të suksesit.
Dramën e jetës vendosi ta hidhte në një libër biografik, shkruar në gjuhën gjermane, edhe për të shuar thashethemnajën e veshur me mistere për dënimin e saj, në Tiranë.
Vendosi të niste një jetë të re në Gjermani, duke e lënë Shqipërinë më 1990-n. U largua nga skena, por jo nga kënga. Improvizoi një studio në kopshtin e shtëpisë së saj. Kënga ishte e vetmja që nga Shqipëria nuk lidhej me kujtime të trishtueshme.
Nga Festivali i IX e deri tek ai i XX, mori pesë Çmime të para, shumë të dyta e të treta. Shumë të tjerë në Festivalin Studenti apo atë të Ushtarit, Dekadat e Majit dhe Festivalin e Këngës Popullore. Megjithatë suksesi nuk ndikoi tek e reja, që mbetej me këmbët në tokë dhe për profesion kishte tipografinë, në shtypshkronjën “Mihal Duri”, punë që e bëri për 19 vite, duke ndjekur gjurmët e të atit.
Por, po ashtu pasioni e bënte të ecte në gjurmët e së ëmës. Ajo ishte pjesë e filarmonisë së Teatrit të Operës dhe Baletit, po ashtu edhe e motra Arjana dhe i vëllai, Artani, bas-bariton.
Këngën që e bëri të paharrueshme për publikun “Vajzat e Fshatit tim” e këndoi në Festivalin e XV të Këngës në RTSh, duke marrë çmim të parë. Dhurata për interpretuesen më të mirë të atij viti, do të kujtonte më vonë ajo ishte një termos dhe një orë tryeze, me mbishkrimin “Made in China”.
Vajzat e fshatit tim
Këngën “Vajzat e Fshatit tim”, i a caktoi një komision, që siç ishte procedura e zakoni ato kohë në festivalet e këngës, interpretuesi nuk zgjidhte. Atij apo asaj i caktohej një këngë, edhe sikur të mos e pëlqente. Me kompozitorin Enver Shëngjergji pat bashkëpunuar edhe në Festivalin Studenti dhe me përgjegjësi mori përsipër të bënte interpretim të patëmetë. Kur u ngjit në skenë, mbylli sytë, u zhyt në botën e saj dhe mrekulloi me zërin. Prej asaj kohe njihej si këngëtarja që këndon me sytë mbyllur. Rrëfente më vonë se megjithëse ia kishin vënë në dukje e kritikuar kolegët, nuk arriti dot ta korrigjonte. Por ishte detaji që e bënte edhe më të veccantë. “Vajzat e Fshatit tim” iu bë shoqëruese në çastet më dramatike të jetës. Kujtonte se në qelitë e Brrakës, e zbuste trishtimin duke kënduar nën zë këngën e po njësoj edhe në dy muajt që e çuan në spitalin psikiatrik. Vuajtjet nuk ia përkulën karakterin. I njëjtë, i hekurt edhe sot.
Shqipërisë iu largua dhe vendosi të mos merrte pjesë në festivalet pas viteve ’90. E ruajti këngën me mënyrën e saj, në kopshtin e shtëpisë në pyll. Ndërtoi familjen në Gjermani, ndërsa Tiranës i kthehej sa herë kishte ftesa që e transportonin edhe njëherë në ato kohë të largëta e të dashura.
Rrëfente se sa herë gjendej në Tiranë, sytë i shkonin kah radio Tirana. Që fëmijë kish marr pjesë në Anketat Muzikore. Të paharrueshme mbeten këngët e Alidës, qysh prej vitit 1969, kur këndoi “Vjelësit e Portokalleve” në Festivalin e Pionierit. Më pas erdhën “Portret heroine”, “Shqipëria përshëndet”, “Si agim i kuq” “Vajzat e fshatit tim” “Buka e duarve tona” 1975, “Këngët e rinisë”, “Kasollja e Galigatit”, “Nëntori i lirisë” e shumë të tjera, që këngëtarja i sjell për publikun, në mbrëmjen e së shtunës, edhe me një prekje orkestrale nga kompozitori dhe producenti Gjergj Leka, i cili ka ruajtur gjithnjë një vend të veçantë në veprimtaritë e tij muzikore për këngëtaren. Albumin e saj të parë, të botuar disa vjet të shkuar e titulloi “Kthimi”. Një rikthim pas dy dekadash në një rrëfim të jetës, me 12 këngë, të kompozuara nga Leonard Sojli dhe shkuar nga Zhuliana Jorganxhi. Me recitalin të shtunën mbrëma, ajo rikthehet mes njerëzve, me sytë e mbyllur dhe zërin e ngrohtë, duke bashkuar dy kohë…
Tani është zyrtare që vendet që do të marrin pjesë në Eurovision 2026 , i cili do të mbahet në Vjenë, pas tërheqjeve që ndodhën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs, janë 35. Ky është numri më i ulët i pjesëmarrjeve në historinë e këtij konkursi muzikor.
Sipas postimit në faqen zyrtare të Eurovision në Instagram, vendet janë: Shqipëria, Armenia, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Suedia, Zvicra, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Eventi i 70-vjetorit do të zhvillohet në maj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj dhe finalja e madhe do të mbahet më 16 maj. gsh
Në dasmat në Drenicë dhe Llapushë, Behlul (Karaçica) Lahuta kur këndonte me lahutën e tij,në shenjë nderimi,grukëholla i fikte të gjitha llambat në odën e burrave
Rapsodi i njohur Behlul (Karaçica) Lahuta erdhi në shekullin e kaluar nga fshati Karaçicë në Sankofc të Drenicës dhe,me dy djemtë e tij Danin dhe Banushi,e nisi jetën në bujqësi e blegëtori rrëzë Galeshit.
Plaku Behlul Karaçica me veti kishte sjellë lahutën me dhjetëra këngë të frymës së historisë shqiptare, që, përmes një teli të kësaj vegle muzikore kordofone, u bë i njohur në Drenicë dhe Llapushë.
Në dasmat e gëzimit,rapsodi i lahutës këndonte falas dhe,në shenjë nderimi për këngët dhe melodinë e akorduar me mjeshtri të rrallë,në Drenicë, filluan të thërrisnin me zërin e një ,,akordi,,të burrërirë,Behlul Lahuta i Sankofcit…! Këngët e kënduara me lahutë, Behlul Lahuta bëri emër për të mirë në odën e burrave të dasmës shqiptare.
Kënga e rapsodit Behlul Lahuta dhe zëri i tij me vokalin epik të kohës me telin e lahutës, në Drenicë dhe LLapushë, thuhej se kur këndonte këngët me motive për trimërinë e Kosovës, grykëholla i fikte të gjitha llambat në odën e dasmave!
Behlul Lahuta i Sankofcit mbeti në kronikat e kohës si lahutar i parë për këngët e historisë shqiptare dhe rapsodi i vetëm si mjeshtër i kësaj vegle të traditës së folklorit edhe në Drenicë.
Fryma, akordimi, vokali i këngëve të Eposit të Kreshnikëve dhe historia shqiptare në lahutën e rapsodit Behlul (Karaçica) Lahuta nga Sankofci i Drenicës, ka zënë vend në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare të UNESCO-s.
Katy Perry ka ndarë fotot e para me Justin Trudeau në Instagram nga udhëtimi i tyre në Japoni, vetëm disa ditë pas daljes së tyre të parë zyrtarisht si çift.
Dyshja u takua me ish-kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe bashkëshorten e tij, Yuko, gjatë një dreke zyrtare.
Këngëtarja publikoi disa foto dhe video nga vizita në Tokio, ku shfaqet së bashku me ish-kryeministrin e Kanadasë, të cilin e shoqëroi me mbishkrimin: “Momente nga turneu në Tokio dhe më shumë”.
Në fund të tetorit, çifti bëri publike lidhjen e tyre, pasi u shfaqën së bashku duke dalë nga kabareja “Le Crazy Horse” në Paris, ku festuan ditëlindjen e Perry-t.
Këngëtarja kishte njoftuar më herët ndarjen nga aktori britanik Orlando Bloom, me të cilin ka një vajzë pesëvjeçare, Daisy Dove Bloom, më 4 korrik.
Nga ana tjetër, Trudeau kishte bërë të ditur ndarjen nga bashkëshortja e tij prej 18 vitesh, ish-modelja dhe moderatorja Sophie Grégoire, në gusht të vitit 2023. Çifti ishte martuar në vitin 2005 dhe kanë tre fëmijë. gsh
Pas muajsh mospajtime, shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) u pajtuan që të ndryshojnë rregullat e votimit, që do t’i mundësojnë Izraelit të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në maj.
Kjo nënkupton se të gjitha shtetet që duan të marrin pjesë në garën muzikore mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas këtij vendimi, organizatat transmetuese nga Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan më 4 dhjetor se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.
Transmetuesi spanjoll, RTVE është një nga pesë financuesit kryesorë të ngjarjes. Ndërsa, Avrotos nga Holanda tha se vendimi ishte “rezultat i një procesi të kujdesshëm”.
Sllovenia tha se vendimin e mori për shkak se “nuk marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli merr pjesë. Në emër të 20 mijë fëmijëve që vdiqën në Gazë”, tha kryetarja e bordit të transmetuesit publik slloven, Natalija Gorscak.
EBU dhe ORF e Austrisë, si transmetues mikpritës, kanë zhvilluar diskutime të shumta javëve të fundit për të parandaluar bojkotin.
Një nga mesazhet kryesore ishte se spektakli më i madh muzikor në botë është një ngjarje e organizuar nga transmetues publikë dhe kjo ngjarje nuk duhet të jetë politike.
EBU gjithashtu kishte ndryshuar rregullat për votimin në Eurovision.
Tani publiku ka më pak ndikim, ndërsa roli i jurisë në dy gjysmëfinalet dhe në finale është forcuar.
Ndryshimet erdhën si reagim ndaj rezultatit të Eurovisionit që u mbajt në Bazel, ku këngëtarja izraelite, Yuval Raphael doli e dyta falë numrit jashtëzakonisht të lartë të votave nga publiku.
Dyshohej se votimi ishte bazuar në një mobilizim strategjik të shikuesve në favor të Izraelit.
Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.
Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.
“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.
Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum” në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.
Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.
Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.
Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.
I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike. bw
Të nderuar kryeministra, ministra, drejtorë institucionesh, federacione futbollesh, media audio-vizive, organizatorë koncertesh, eventesh, banketesh, regjistrimesh, artistë që luani në rrugë, apo në kisha dhe salla të tjera etj., etj., etj.,
Kur përdorni në të gjithë botën muzikën e Feim Ibrahimit, jeni të lutur t’i drejtoheni fondacionit kulturor “Feim Ibrahimi”, për të marrë lejen e përdorimit të saj!
Nuk është pronë e juaja, por është pronë e këtij fondacioni!
Nuk keni asnjë të drejtë përdorimi, pa lejen e shkruar të fondacionit dhe pa paguar tarifën përkatëse për përdorimin e kësaj muzike!
E vetmja organizatë që mund të japë leje për përdorimin e saj (me, ose pa pagesë, si ta shikojë të arsyeshme drejtuesi i kësaj organizate), është pikërisht fondacioni “Feim Ibrahimi” dhe vetëm ai ka të drejtë t’ju autorizojë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv “Albautor”, për ta interpretuar atë, duke specifikuar në çdo publikim tuajin, autorësinë e saj!
Edhe në rastet kur muzika e Feim Ibrahimit është pjesë e koncerteve me vepra të autorëve të ndryshëm, jeni të detyruar, përveç se të merrni autorizimin e fondacionit, të plotësoni gjithashtu formularët e posaçëm dhe të paguani detyrimin ekonomik, për t’u pajisur nga SUADA me autorizimin për përdorimin e muzikës në koncerte, apo evente të çdo lloji.
Jeni të lutur të zbatoni ligjin shekullor të së drejtës së autorit!
Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.
Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.
“Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.
Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.
Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.
Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. gsh
TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Lajmi i dhimbshëm është konfirmuar nga familja e tij, që me pikëllim kanë shpërndarë detajet e ceremonisë mortore. Homazhet për artistin do të zhvillohen sot, duke filluar nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.
“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi, dhe kushdo që e njihte, e ndiente ngrohtësinë e tij. Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat. Do të na mungojë zëri i tij i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne,” thuhet në njoftimin e familjes.
Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Shpatit dhe t’i japin lamtumirën e fundit artistit të dashur, të marrin pjesë në ceremoninë mortore. bw
Melania Trump njoftoi se ka themeluar kompaninë e saj prodhuese, Muse Films, një lajm që vjen pak para publikimit të dokumentarit të gjatë të Amazon MGM Studios për të.
Dokumentari, me titull Melania, do të jetë debutimi i kompanisë së re dhe është regjistruar nga Brett Ratner. Ai do të shfaqet në kinema më 30 janar në SHBA dhe në disa vende të tjera të përzgjedhura, për t’u ndjekur më pas ekskluzivisht në Prime Video të Amazon.
Muse Films u prezantua për publikun përmes kanaleve zyrtare të rrjeteve sociale të Trump, ku u publikua edhe një video me logon e kompanisë. “Prezantojmë: Muse Films. Kompania ime e re prodhuese,” shkroi Melania Trump. “Melania – filmi, ekskluzivisht në kinema në mbarë botën më 30 janar 2026.” Amazon kishte siguruar të drejtat për dokumentarin që në janar.
Filmi fokusohet tek 20 ditët para inaugurimit të Donald Trump në vitin 2025, të shikuara përmes perspektivës së Zonjës së Parë.
Dokumentari pasqyron organizimin e planit të inaugurimit, sfidat e tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë dhe rikthimin e saj në jetën publike me familjen, duke përfshirë pamje ekskluzive nga takime kyçe, biseda private dhe vende që nuk janë shfaqur më parë.
Melania Trump është producente ekzekutive e filmit, së bashku me Fernando Suliczin nga New Element Media. Prodhimi i dokumentarit filloi në dhjetor të 2024-ës. bw
Këngëtari Shpat Kasapi do të varroset ditën e nesërme në orën 14:00 në Tetovë, kanë njoftuar familjarët e tij në rrjetet sociale.
Këngëtari shqiptar vdiq më 26 nëntor pas një sulmi në zemër, në moshën 40-vjeçare. Sipas njoftimit, homazhet për të do të mbahen nesër nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë e më pas do të kryhet ceremonia e varrimit.
Shpat Kasapi hyri në tregun e muzikës qysh në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, u bë një prej yjeve të estradës.
Njoftimi i familjes:
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI
(1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025)
Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai falte vetëm dashuri e mirësi, dhe kush e njohu, e ndjeu ngrohtësinë e tij.
Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpatit tonë të dashur janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Homazhet do të mbahen të Dielen, 30.11.2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Varrimi: në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
-Ndjehem si peshku pa ujë! -ma ktheu ai. -Ishte njeriu im më i afërt. 42 vjet bashkë. U njohëm te revista “Hosteni”. Unë djalë. Ai humorist i madh. Vazhduam bashkë në koncerte. Hartuam bashkë skenare dhe skeçe. Bashkë te “Fiks Fare”, bashkë me pushime në Sarandë. Ai ishte pjesa ime e dytë ose isha unë pjesa e dytë e Koços.
-A mund të qajë Filip Çakuli?
-Kam ndjerë dhimbje të madhe, por nuk kam derdhur lotë as për humbjen e mamasë e as për vdekjen e babait. Si ndodhi që më rrodhën lotët? U futa në zyrën e Koços… Bosh… Gazetarët kishin vendosur mbi tavolinën e punës së tij një tufë me lule. Pashë dy palë syze(njëra e dëmtuar),kompjuterin,një cigare të lënë përgjysmë,letra,disa karikatura… Ngriva. U ula në karrige. Ndenja ca minuta, fshiva sytë dhe pa i folur askujt u futa në zyrën time.
-Të ngushëlluan? -vazhdova të këmbëngul me pyetje unë.
-Si asnjëherë. Mbi 1000 telefonata. Mesazhepa fund.
-Koço Devole në skenë ishte aktor i madh, por jashtë skene ishte i heshtur, i mbyllur,dukej si i bezdisur nga njerëzit.
-E ke gabim, -ma ktheu Filipi. -Ai ishte shumë popullor, në skenë dhe jashtë saj. Ishte humoristi më i madh i Shqipërisë. Qe aktor,regjizor,bënte karikatura me ide. Qe skenarist. Ai, si humorist, mund të krahasohet me Qamil Buxhelin.Kur ecnim rrugës me Koçon, gjenim belanë. E ndalonin qytetarët: “Bëjmë një foto? Dua një foto tjetër me djalin”. Kishte të tjerë që kërkonin autograf. Mua më kërkonin të ndërhyja te Koço që të shkonte të luante në estradat e Shkodrës, Fierit, Vlorës, Tiranës. Me Koçon donte të dilte në skenë Skënder Sollaku, Zef Deda, parodistët e Vlorës, Aleko Prodani, Fadil Hasa. Nuk gjen regjizor që nuk donte ta kishte aktor në filmat e Kinostudios ose në telenovelat e televizioneve. Po koncertet në Pallatin e Sportit, në estradën e Tiranës, në Pallatin e Kongresit a mund të më gjesh njeri që mund t’i bënte si Koçoja? Jo dhe jo. Po pse? Sepse ai ishte si magjistar. I mblidheshin aktorët ekëngëtarët, që nga Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Aleksandër Gjoka e të tjerë. Nuk mund të gjesh mes aktorëve njeri puntor, iniciator, fantazist si ai. I palodhur dhe i rreptë në punë, por i dashur dhe i respektuar pas punës. Unë bëhem kurioz dhe e pyes: -Koçon e mbaje për vete apo ishte edhe pjesë e familjes?
-Kur jetonim në Lushnje, Koço hynte dhe dilte te ne si në shtëpinë e tij. Bënte humor me Vasilikën,luante me dy djemtë e mi, Zhanin dhe Orestin. Ata qeshnin me lot, sepse ai ishte aktor jo vetëm në skenë, por edhe mes fëmijëve.
-A ka ardhur Koço në Dërmisht?
-Sa herë që shkonim në Sarandë, ngjiteshim në fshat, -thotë Filipi.-Dhe çdo herë që shkonim babai bënte festë. Mamaja gatuante pulën që therte babai. Bënte pita. Mbi tavolinë shtrohej raki e verë. Ndërkohë hapej fjala në fshat.Shkonim në klub, tavolinat plot. Dikush qeraste me një gotë verë, dikush me raki,një tjetër me kafe. Koço bënte humor: tregonte barcaleta. Njerëzit qeshnin me lot. Bënin shaka. Largoheshin të lumtur. Babai mburrej dhe krekosej se kishte mik shtëpije të madhin Koço Devole! Pa ikur mirë nga fshati më pyeste se kur do vinim përsëri… Për dy-tre vjet nuk vimë, ia ktheja unë. U harxhojmë ju dhe fshatin. “Lëri këto! Koçoja bie në shtëpi dhe në fshat humor. Nuk i sheh sa të gëzuar janë njerëzit?!”- më thoshte babai.
-Kam mendimin se humori i madh bëhet vetëm në vatan,-them unë përsëri.-Pse mori arratinë Koçoja përtej oqeanit?!
-Ai iku në Amerikë me familjen në vitin 1998. Kishte arsye. Vendi ishte sketerrë. Bandat qeverisnin vendin. Estradat u mbyllën.Humoristët luani tavëll ose me letra. Bisnesi u tha. Nuk kishte para për sposorizime. Arti nuk bëhet nga shtëpija. Një ditë më mori në telefon dhe më tha: “Filip! Po të ra rruga nga Amerika, të pres në shtëpi.”Pas disa muajsh një biszesmen më pagoi biletat. Na dha edhe ca para xhepie bashkë me gazetarin Genc Tirana hipëm në avion.Vizitën e parë në Nju Jork e bëmë në shtëpinë e Koços. Jetonte në mes të pyllit. Shtëpi e bukur. Pronar ishte dhëndri,djalë i zoti, nga Kosova. Ishte bizesmen. Kishin dy vajza. E pyeta një
ditë Koçon: “Çfarë bën në Amerikë?”
-“Dy vjet më parë jepja koncerte për emigrantë. Qytet më qytet. Bashkë me Pëllumb Kullën, Agim Krajkën, Xhevahir Zenelin, Anita Bitrin etj. Por u lodha. U mërzita,u bezdisa. Tani nuk bëj asgjë. Jetoj si i vdekur. Dal për peshk. Rrallë për gjah. Fle. Ëndërroj për humorin.
-Pse nuk vjen në Tiranë?
-Të tund derën apo të mas rrugët?
-Jo. Hajde të punojmë bashkë në Top Channel!
-Por te Top Channel-i ka zot hauri. Pa ftesën e Tanit, nuk e lë Amerikën”…
-U ktheva në Tiranë. I thashë Tanit: “Sikur të marrim në punë Koço Devolen?!”
-Bën shaka! Ai jeton në Amerikë? Vjen të punojë me ne? Unë e kam adhuruar Koçon që fëmijë. Mes shokëve tregonim batutat e tij. Në çdo kohë derën e Topit e ka të hapur.”
-Pas disa ditëve Koço mbërriti në Tiranë.Biletën e avionit ia preu Tani. Pimë kafe të tre. Më i lumturi ishte Tani.
E pyes Filipin: -“Fiks Fare” në vitet 2000 ishte një risi në televizion dhe në humor. U përshtat Koçoja?
-Ai kishte lindur për të bërë çdo gjë. Bënte skenare. Dilte në skenë. Imitonte, shkruante. Solli në jetë shumë personazhe. Bënte monitorimet me Doktorin, Palomën, Fonin. Improvizonte. Shumë miq e shokë më thoshnin se jam me fat që punoj me Koçon. Kur mungonte ndonjë ditë në ekran, kërciste telefoni:”Ku është Koçoja?!”
-Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes unë dhe Filipi më thotë:
-Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.” Më thirri edhe Ilir Meta. Në atë mot ishte ministër i Jashtëm. Më tha se do bënin të pamundurën në rrugë diplomatike për Koçon. “Do bëjmë disa shkresa zyrtare ku do të tregojmë se cili është për shqiptarët Koçoja.” Ndërkohë Gjergj Luca dhe Agron Duka u treguan të gatshëm për të ndihmuar Koçon nga ana finaciare.
-Shkove në Itali?
-Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço.-“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë. Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk
dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta.”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër!Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangunt qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin.
-Të la ndonjë amanet Koçoja?
-Po… Një ditë, si shumë herë të tjera, u ulëm për drekë. Ishim vetëm të dy. Ai më tha se kishte merak djalin dhe mbesën. Djali kishte ardhur nga Italia dhe jetonte bashkë me të. A kishte zanat? Vetëm shofer. Ndërsa mbesa, Sindi,ishte studente në Itali. Çdo muaj i dërgonte 300 euro. I duhej edhe një vit që të mbaronte masterin. Pasi Koçoja u largua nga kjo jetë, e rregulluam djalin shofer në spitalin Gjerman. Më pas takova Sindin. E pyeta se kur e mbaronte masterin. I duheshin edhe katër muaj…E plotësova edhe amanetin e dytë të Koços…
Në fund e pyes Filipin: -E ka pasuruar biografinë tënde Koçoja?
-Kam punuar 42 vjet si gazetar. Kam botuar 10 libra. Kam shkruar qindra artikuj. Le të harrohen të gjitha. Mjafton të mbetet në biografinë time fakti që kam punuar, kam jetuar, kam bashkëpunuar dhe kam bërë humor me Koço Devolen.
Komentet