Kandidatët për Këshillin Bashkiak të PD-së në Vaun e Dejës kanë dalë në mbështetje të Zef Hilës, kandidatit të opozitës për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Kandidatët për Këshillin Bashkiak e cilësojnë Klomentina Drinin si kandidaturë personale e nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të Vaut të Dejës. Ata bëjnë thirrje për votimin e Zef Hilës.
Kjo është braktisja e radhës për Enkelejd Alibeajn.
DEKLARATË E KANDIDATËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË BASHKISË VAU DEJËS
Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falenderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023:
Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.
Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listën tonë për këshilltarë bashkiakë janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshëm i Bashkisë Vau Dejës me 14 maj.syri.net