Koha ik shpejt, si uji në lum. Dhe bëhen 10 vjet prej asaj dite kur mora lajmin e papritur dhe të pabesueshëm nga përtejoqeani i largët se miku i paharruar dhe kolegu i shquar Alfred Kanini ishte ndarë nga jeta.
Më 15 nëntor, dy ditë pasi Fredi ishte ndarë nga jeta, një miku dhe kolegu ynë në Kanada e jepte lajmin: Ndahet nga jeta ne Largo – Florida, USA, ne moshen 68 vjeçare shkrimtari dhe gazetari i mirenjohur i Radio Tiranes dhe TVSH-se Alfred Kanini. R.I.P. Alfred Kanini.
Në mediat sociale, atë ditë, kam shkruar: “E kam pritur me shumë dhimbje lajmin për ndarjen e Alfred Kaninit nga jeta. Kemi qenë kolegë të afërt në punë disa vjet dhe shumë kohë kolegë të letrave. Alfred Kanini ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në krye të sindikatës së Radiotelevizionit dhe në krye të grevës në vjeshtën e vitit 1991. Pas ardhjes së PD në pushtet, Alfredit iu ofruan poste, të cilat nuk i pranoi, ngaqë punën në Radiotelevizion nuk e ndërronte me asgjë. Mbetet një ndër figurat më të larta që ka nxjerrë Radiotelevizioni Shqiptar dhe mediat shqiptare në përgjithësi. Me sa kam parë, Tirana nuk e ka pasqyruar fare këto ditë ndarjen e parakohshme dhe tejet të dhimbshme nga jeta të Alfredit. Unë kam vetëm kujtime të mira prej Alfredit. Në të gjitha komunikimet me mua, në të gjitha situatat ka qenë i hapur, i çiltër, burrëror, çka është gjë e rrallë në Tiranë. Nuk e di a ka lënë libra në dorëshkrim. Por gjithsesi shpresoj që të ketë pasur një periudhë të mirë të jetës në Amerikë, në mërgim. Iu shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, të afërmve, dashamirëve dhe miqve të Alfred Kaninit.”
Alfred Kaninin e kam njohur nga larg, si autor tregimesh të bukura, që në vitet 1960. Ishte ndër prozatorët më të talentuarit e brezit të tij krijues, krahas Faik Ballancës, Nasi Lerës, Zija Çelës, Shefqet Tiganit, Koço Kostës e tjerë. Dallohej në krijimtarinë e tij si shkrimtar i stilit, i përkujdesjes ndaj mjeteve të gjuhës.
Nga afër e kam njohur për herë të parë kur Alfredi punonte në gazetën “Zëri i rinisë” dhe, me motorr, bashkë me fotoreporterin e gazetës, përshkonte rrugët e Atdheut anembanë për të shkruar reportazhe. Atje do të gjente edhe shumë nga temat dhe personazhet e tregimeve, novelave dhe romaneve të tij të ardhshme. Zeqir Lushaj (1949 – 2021) shprehej për kolegun e tij të paharruar: “E kam patur koleg në gazetën “Zëri i Rinisë”. Po them vetëm kaq: Ka qenë njeri i mrekullueshëm, shumë i emancipuar dhe i kulturuar. Ishte një gazetar model, sidomos në gjininë e reportazhit. Fredi ishte shumë i hapur dhe miqësor… Më dhemb zemra, kur medoj se një intelektual, gazetar e shkrimtar, si Alfrend Kanini, vdes në mërgim!”.
Nga “Zëri i rinisë” u largua padrejtësisht më 1975 dhe u detyrua të bënte punë krahu në hekurudhën Elbasan-Pogradec, ku përjetoi dinjitetshëm për vite të tëra prozën e vrazhdë të realitetit jetësor të kohës. Prej andej u rikthye, më në fund, në Radio Tirana, ku kishte punuar në vitet 1967-1971.
I bukur, simpatik, i çiltër, komunikues, një nër rastet e pakëta kur talenti pajtohet aq mirë me me njeriun, këto ishin tipare të cilat nuk mund të mos binin në sy që në njohjen e parë. Por kush e njohu nga afër, zbuloi te Alfred Kanini edhe intelektualin e paepur idealist, një ndër përkrahësit e parë të lëvizjes studentore të fundvitit 1990. Ai u ngrit me guxim kundër censurës ndaj kësaj lëvizjeje dhe solli në emisionet e tij për rininë zërat e studentëve dhjetoristë. Këto cilësi e çuan atë në krye të Sindikatës së Pavarur të radiotelevizionit, krijuar menjëherë pas themelimit të pluralizmit në Shqipëri. Kolegët ia besuan drejtimin e Sindikatës dhe më vonë ia besuan edhe drejtimin e grevës që do të bëhej një ndër faktorët vendimtarë për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Janë të paharrueshme konferencat për shtyp që jepte nga greva, në të cilat nuk ihej asnjë shteg për intepretim se greva mund të shuhej. Falë vendosmërisë, pjekurisë, papërkulshmërisë së tij Sindikata qëndroi mbi shinat e duhura deri në fitore dhe nuk ra nën ndikimin e ekspenontëve të pushtetit në fuqi as të Sigurimit të Shtetit që kërkonin ta çonin Sindikatën dhe grevën në pozita dhe veprime anarshiste, nuk u lëkund as përballë kërcënimeve të shumta dhe nuk pranoi asnjë kompromis që mund t’ia zgjaste jetën regjimit.
Kjo ngjarje përcaktoi edhe një kthesë në jetën time, kur në fillim të dhjetorit 1991, në kuadrin e përmbushjes së kërkesave të grevës së Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit Shqiptar dhe falë interesimit të drejtpërdrejtë të krerëve të Sindikatës, unë fillova punën në RTSH. Drejtuesit e rij të Radiotelevizionit – me përkrahjen e vendosur të Sindikatës së drejtuar nga Alfred Kanini, përballuan me sukses të plotë fushatën zgjedhore të dimrit të vitit 1991, një ndër dimrat më të gjatë e të vështirë që ka kaluar Shqipëria. Në atë kohë unë kam pritur përditë kongresmenë, senatorë amerikanë, personalitete perëndimore, të cilët, sapo hynin në zyrën time, bën me dorë shenjën “bravo” për pasqyrimin e denjë dhe profesional të fushatës që u kurorëzua me fitoren e 22 marsit 1992.
Sindikata e drejtuar prej Alfredit ishte mbështetëse e fuqishme dhe e patundur e reformave në institucion. Gjatë këtyre viteve me Alfredin kemi qenë në komunikim dhe bashkëpunim pothuaj të përditshëm. Në kohën kur unë erdha në krye të institucionit, ai kërkoi të kalonte në Televizion, ku drejtoi deri në vjeshtën e vitit 1998 Departamentin e Kulturës, tejet të rëndësishëm. Ndonëse kishte shumë vite përvojë në Radio, kush e njihte nga afër Alfredin, nuk mund të mos krijonte menjëherë mendimin se ai ishte i lindur më shumë për ekranin. Ai drejtoi edhe emisionin e tij elitar televiziv “E bukura dhe jeta” për raportet e artit me realitetin.
Ne bisedonim shpesh për programet e reja, për reformat, por edhe për shqetësimet e përditshme. Alfredit nuk i mbaroheshin kurrë fjalët për tri vajzat e tij. “Sa të mira dhe sa të bukura janë vajzat e mia. Dhe sa e keqe, sa e ligë po bëhet kjo botë! Sa më shumë që rriten fëmijët, aq më shumë rritet përgjegjësia e prindit. Ti dhe Luli (Bardhyl Pollo) i kini fëmijët e vegjël. Kur t’ju rriten, do ta kuptoni më mirë këtë!”
Edhe sot e kam bindjen e plotë Alfred Kanini nuk e ndërronte me asgjë në botë punën në Televizion. Atë e larguan nga puna në vjeshtën e vitit 1998, me motivacionin “për pjesëmarrje në grushtin e shtetit”. Ky është një motivacion që nuk mund ta japë asnjë vend pune në botën e qytetëruar, është një motivacion që mund ta japin vetëm gjykatat, dhe për të mund të fajësohesh vetëm kur verdikti gjyqësor të jetë në formën përfundimtare. Këtë motivacion e jepnin eksponentët e revolucionit komunist të rikthyer me dhunë të përgjakshme në pushtet në pranverën e vitit 1997.
Herën e fundit me Alfred Kaninin jemi takuar para Bibliotekës së Vjetër Kombëtare në Tiranë, pak para se unë të largohesha për në Zvicër. Ai ishte shumë optimist se proceset demokratike në Shqipëri do të konsolidoheshin me sukses dhe se vendi do të vihej plotësisht në rrugën e përparimit. “Le të shpresojmë, Skënder!” “Le të shpresojmë, Fred!” Këto ishin fjalët e fundit që kemi shkëmbyer bashkë.
I mbetur pa punë, me probleme shëndetësore, më 1998, Alfred Kanini largohet përfundimisht nga Shqipëria dhe vendoset në SHBA. Atje bën punë të vështira. Arrin të japë edhe ndihmesën e tij në Radion e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Iu gëzohet sukseseve të vajzave të tij, të vendosura në shtete të ndryshme të SHBA. Pas një viti të përkeqësimit shëndetësor dhe disa operacioneve, zemra e tij pushon më 13 nëntor 2011 në Largo të Floridës, në moshën 68 vjeçare.
Lajmi ishte i papritur dhe tronditës për të gjithë miqtë e tij, të shpërndarë tashmë nëpër botën perëndimore. Si atëherë, unë i qëndroj gjithnjë bindjes sime se tregimtari, novelisti, romancieri i njohur Alfred Kanini është gjithashtu një nga figurat më identifikuese dhe më të shquara të Radiotelevizionit Shqiptar dhe të gazetarisë radiotelevizive në Shqipëri, një nga figurat më përfaqësuese të proceseve demokratike shqiptare.
Komentet