Poeti i mirënjohur Demir Gjergji i paraqitet lexuesit të VOAL me një cikël të gjerë poezish, tejet të frymëzuar, titulluar ‘Alfabeti i algave’. Demir Gjergji, lëvrues i zellshëm, i pasionuar dhe i palodhur i artit poetik, ka ardhur në poezinë tonë në vitet 1970 pa një bujë të veçantë. Prej atëherë ka pasur plot botime, duke ardhur nga libri në libër me një rritje të sigurtë. Kjo arrihet vetëm falë kërkimeve të pareshtura, të guximshme dhe këmbëngulëse. Kështu poezia e Demir Gjergjit, e karakterizuar nga lirizmi meditativ ku nuk mungojnë notat dramatike, i ka pasuruar vazhdimisht tiparet e veta, diapazonin e interesave, thellësinë e ndjenjave. Ajo është përherë e më muzikale dhe më melodike, me rima tejet të larmishme dhe shpesh befasuese, me rima të brendshme, të shumëfishta, të cilat nuk bien vetëm në fund të vargut, por edhe në pozicione të ndryshme brenda vargut, strofës dhe poezisë. Demir Gjergji, artist me interesa e pasione edhe jashtëpoetike e jashtëletrare, e dëshmon edhe me këtë cikël vendin e tij të sigurtë që tashmë e ka zënë në poezinë tonë. Skënder Buçpapaj
TI S’MUNDE!
A. Klosit
Ti s’munde të vdesësh,
Mik i ndershëm!
…
Dole nga kjo shpellë e errët…
Shpirt e eshtër…
Ia besove qiellit jetën!
Ti s’munde, miku im i ndjeshëm…
Rende si një dre i vjetër
Shkove te të rrallët…
Na le në mortje ne, të gjallët!
Ike!
Nga supet të shket manteli i kaltër i kësaj dite,
I prerë që herët për mbretër!
ZHGËNJIMI
– Xhevahir Spahiut!
Nga lëkurë e trëndafiltë mbi fytyrë fildishi,
Shpallur nga shpirti, e dalë prej mishi,
Deri te kjo bokërimë e gërryer pikëllimi,
Zgjatet udha e njeriut për t’u ngjitur te miti…
Por froni paskësh qenë honi!
…Yjet pluskojnë gjirizesh!
FATI NË FALL…
Keopsi murosur në terr!
Fati,-mister:
E bardha në të zezë…
Por dita u ngrys…
Filxhani përmbys,
Piramidëz në abys!!
Askush nuk e nxjerr,
Të fshehtën e mjerë!
Keopsi…
Na ishte një herë…
PEMA
-Ëndërr Ballkani-
Përtej kështjellës,
Midis varrezës,
Një pemëz
U shkul prej erës!
Një pemë me degë të bardha,
Me hije të zezë,
Me fruta të kuqe
E gjethe të kaltra…
Një pemë flamur-σημαία-застава
E mori era,
E mbolli në trojet e veta!
***
Pellazgët,
Elladhët,
Sllavët,
Kafshonin frutin e ëmbël të fatit
(Jo të mëkatit!)
Uronin e hanin,
Bekonin Ballkanin!
***
U zgjova i vdekur.
Shtrënguar në hekur!
_____________
* σημαία- Greqisht: Flamur
* застава- Serbisht: Flamur
PARA NISJES…
-Variant –
Udha, ah udha!
Zhvirgjërohet nga një shi i butë muzgu…
Dhe në ëndërr përgjërohet, të jetë prapë virgjëreshë!
Sython drurët anash vetes që t’i bëhen vello nesër,
Kur të nusërojë hijshëm nëpër vrapin tim mbi erë…
Stoliset me semaforë, meteorë, projektorë metropolesh,
Zgjeron urat, zbut shkëmbinjtë, shkyç kufijtë,
Shmang tunele, lidh hapësirat si kordele,
Hyn në dritë, fton kometat për vizitë,
Hapin tim të parë pret që drejt teje të më nisë…
Unë…ah…! Po unë?
Kam që mbrëmë që po endem nëpër kurmit tënd të errët…
Dhe me buzë t’i mbyll buzët, mos ankohesh për vonesën!
HAMLETI II
Pasi e ndreqa botën, më në fund:
I zgjova ujërat poshtë, në pol,
I shtriva përdhe pyjet rebelë,
Shpatën ia ngula mëmës fokë,
Pinguinët i solla në Ekuator,
Pasi qiejt i plasa përtokë
Pasi Zotin e zbrita në ferr,
Dhe djallit i vura kurorë
Po kthehem te Ofelia, në Helsingor!
Me helmin jetëdhënës në dej!
LINDJA E LUMIT
1.
Është e diel brenda shpirtit
Me një qiell nga syri i saj
Dhe një sy nga qiell i dimrit,
Që lëngojnë në gazavaj!
2.
Një lumë lind te dhimbjet!
Në pikë shiu,
Në frymë njeriu,
Dhe në një lot
Një lumë lind!
3.
…Një lumë dhe unë…,
Që vij me vrap,
T’i bëhem shtrat!
4.
Është e diela e kryerjes së Botës
Me lumin e qiellit dhe syve të Saj!
LUMI…
Vals
Nga bulëza e vetme pikuar prej gjethi,
Deri në deltën e derdhjes te deti,-
Përpjekja pa fat për t’i numëruar çastet,
Nga lulimi i parë i buzëve të tua,
Gjer sonte, kur bie symbyllur mbi mua…
Pa fund pikëza në rrjedhë!
Gjithkund dritëza në qiell!
Lumi vallëzon shtratit të vet
Deri në bregdet.
Ti valëzon kraharorit të nxehtë,
Në frymë të shenjtë!
Nga bulëza pikuar prej majës së gjethes,
Deri te buza e çelur prej etjes…
Për ta bërë val(l)ëzimin edhe më mister,
Mesnatës së verbër mjegull nis të bjerë!
Bulëzat pa mbarim!
Hyjzit pa numërim!
MBRËMJE MBRETËRESHE
Sytë m’u arratisën në të tjera galaktika…
..Për herë të parë ty t’i panë,
Qershiglat e kuqe të gjoksit,
Nishanin në vijën e shpinës,
Thelbin e ndezur të Zbulesës!
Vikingët pranuan humbjen!
Latinët e fshinë historinë!
Sytë e mi,
Dëshmitari i fundit në Gjyqin Final!
LIGJE RËNDESE
-Dialog-
– Sa rëndon trimi i armatosur gjer në dhëmbë?
– 1kilogram frikë nga qielli!
– Ç’peshë ka më plaku i planetit?
– 1 kuintal kujtime rinie!
– Sa peshon një shpend në fluturim?
– Më pak se një grimë cicërimë!
– Sa e rëndë je ti, e sapozgjuara nga ëndrra?
– 1000 tonelata mall për Ty!
NORD…
Aurora dhe bora zhvishnin nudo pyllin me çerdhet e thëllëzave,
Që Mikaeli kishte thurur në vend të grackave të mia për kunadhet.
Nina e Mikaelit fliste me shenja për të mos trembur sorkadhe…
Ndërsa e qeshura ime ballkanike gjëmonte mjegullës me të madhe.
Dhe pylli i zhveshur, shtangej, shfaqej e fshihej sërish në hijet e veta,
Si vajzë e virgjër, që vë duart mbi… vete para shikimit epshor të burrit.
Befas, dy drerë të lartë si truproja sovrane drurësh e thëllëzash,
U shfaqën përballë, më panë me sy të mëdhenj si planetë të largët…
U ndalën, tundën drurët e zhveshur mbi krye dhe shkuan ngadalë të avullt…
Pa thyer asnjë rruzull vese mbi fijet e brishta të barit, të myshkut, të heshtjes.
Dy drerë mëngjes-gjatë, para ujkut ditëshkurtër të Ballkanit!
Dy drerë të djersitur, me frymë, aromë, jo lojë dritëhijesh pas ekranit,
Jo imazhe përrallash, jo krijesa ëndrrash, jo gjurmë peneli mbi pëlhurë…
Dy drerë (bo)realë, aurorës kozmike, në majë të planetit, miq të qiellit.
Dhe Mikaeli, sivëllai im i madh që vraponte me hapin e tyre,
Për ta ngritur shtatoren e ditës mbi brirët e drerëve në mes të Kopenhagenit.
Dhe Nina me mua, ujkun e Ballkanit, në mes të atij pylli, krijesa të një mitre!
BOHEMË
Në falje të ditës, në ndalje të gushtit, në dalje të verës,
Magjepsur nga këngët, rënduar nga plagët, dhe dehur prej verës,
Të trembur nga hijet, u ndalën, u kthyen nga filli i fundit i dritës,
Dherave, më këmbë, ujërave mbi këngë, erërave nën hënë,
Udhëve të paudhë, dallgëve aventurë, qiejve, zogj në flur:
Ati, pas burrit shëtitës, burri pas djalit plangprishës, djali, armik i engimës,
Nëna, rënduar nga barra e parë dhe Rodoni, kalorës mbi Kepit të Rodonit,
Everesti, ditëvogli në natën e madhe, që leje kishte marrë prej Zotit,
Derada, me mallin e Milosaos dhe fustanin i Rinës, veshur qëmotit,
Dhe “Ishujt e mbrëmjes”, që ecnin nga pas me pamje të lashta anijesh,
Dhe “Ngjyrat e tokës”, “Në sytë e mi”, “Bibla e Buzëve” dhe “Ylli i ikur që digjej”,
Dhe “Ora e akullit”, si koha e ngrirë, që jetën parashihte, (më saktë prapashihte)…
Gjurmët e vogla, lojërat pa lodra, vrapi mbi kodra, darkat pa sofra, shtrojat e ftohta.
U NISËN…
Udhë pas udhe, det pas deti, qiell pas qielli… iknin pa ndrequr asgjë, pa hequr asgjë,
E gjetën fëmijën në parvazin e mëngjesit, krejt prej shenjtori, të gjithin prej ëndrre.
E panë që t’i shihte, iu shfaqën që t’i njihte, i thirrën që t’u fliste,
Vallëzuan me orë, t’i përshëndeste, kënduan në kor që të dëneste, u bënë gaztorë, të buzëqeshte!
Por i vogli me mendjen e kaltër, përplot me fantazma,
Me duart e njoma, fole për pulëbardha,
Me frymën se flutur e lodhur në xhama,
Po nisej në ardhje të ditës, të shkonte te mbrëmja në mesin e gushtit, në dalje të verës…
Dhe bohemët, si bohemët,… u kthyen e ikën siç erdhën, pas rendjes së erës së vjeshtës …
WEEK END
Gjithë javën u mora me të dielën:
Paraditen e së hënës ia preva për fustan dhe pasditen e saj, për kordele,
Të martën ia bëra bashkë mjegulle për ta fshehur nga sytë e të tjerëve!
Përmes së mërkurës ia hapa udhën përpjetë rrëpirave thikë të mëdyshjes,
Vjollcën e së enjtes ia flijova parfum mbi shtat e mbi flokët e gjatë,
Vreshtat e së premtes i vola në vjeshtë për verën e etjes së saj,
Të shtunën…(Ah, e shtunë! Sa pa fund e paske natën, moj e shtunë!)…
Vera u mund, vjeshta u shkund! Ajo, askund!
NË FUND TË NATËS
-Pjergulla në lis të thatë-
Labe
Bëri mirë që ra kjo mjegull
Dhe e la pa sy mëngjesin,
Të mos shihte lis e pjergull
Se si trung e degë i pleksin!
Mirë bën që rri kjo mjegull.
Mbretëro dhe pak, o natë.
Fshehur gjethesh si nën sqetull,
Të blerojë lis i thatë!
HIJA JOTE
Po rrëshqanet zvarraniku hijes tënde për të qenë i lirë në dritë…
Një orë, tri orë, shtatë orë… Hija sa një hartë. Liria sa larg!
Më shpejt se zëri im, se syri yt, mrekullisht, saktësisht
“Sillet Toka rrotull vetes e rreth Diellit”, në orbitë.
Ta çlirojë reptilin nga ky ankth nga kjo natë, nga ky çark…
Një bilion, një trilion, një shtatëlion kilometra…infinit.
Një mm,… tre mm,… shtatë mm,… një cm!
Një sekondë… tri minuta… shtatë orë… një mesditë!
Dhe reptili, më në fund, veten sheh në galaktikë!
Ndërsa ti qëndron shtatore nën pushtetin tim të brishtë!
SYRI I KEQ
Jashtë syrit që s’na shihte e nuk na njihte:
Shpirtra mes aromave, ujëvarave, flakëve… dhe më shumë se kaq,
Grimca netësh dhe arkada mermeri mëngjeseve… dhe më shumë se kaq,
Xixa tingujsh në akullkrisje dhe në gushë e qiellza zogjsh… dhe më shumë se kaq
Fytyra të njoma vjollcash, plasa të thella lisash, skaje qiejsh e dherash… dhe më shumë se kaq!
Brenda syrit që gjithçka e pa e gjithkund e tha:
Burgje bërë për aromat, ujëvarat, flakët… dhe më shumë se kaq!
Shkrumb i netëve, rërë mermeri nga mëngjeset… dhe më shumë se kaq!
Rënkim tingujsh në ujë akujsh e në sqepa zogjsh pa krahë… dhe më shumë se kaq!
Kortezh vjollcash, zgavra lisash, shembje qiejsh, hone dherash… dhe shumë më shumë se kaq!
Syri çel-e-mbyllet vëngër duke shqyer hapësirat!
DY VJESHTAT
Një vjeshtë e kahershme në motet e mi,
Mbeti thellë zemrës e thinjur, e vjetër!
Vonë, në dimër-moshë, krejt si në magji,
Aroma të njoma solli vjeshta tjetër!
E para mërgoi tej në akullnajë
E zbehtë nga mplakja në pamje e shpirt,
E dyta erëmonte me blirët në maj,
Çapkëne, e bukur dhe krejt e florinjtë!
Dhe s’kishin faj blirët, as shiu a stuhia
Që s’ngjanin mes tyre dy vjeshtat e mia;
Në vjeshtën e parë më la dashuria,
Në tjetrën ti erdhe dhe u bë magjia!
PEIZAZHET NË GJETHE
E shkurtër nata e limfës nën lëkurën e fundshkurtit ose fillimverës.
Të vegjël sytë e sythit në majë të degës. Të vegjël dhe të gjelbër.
E gjatë ëndrra e gjethes në netët vogla dhe ditët e ngrohta të verës,
(Aq e gjatë, sa u lodh së lozuri në erë, sa u plak së ndrituri në diell!)
Por më i shkurtër çasti i lëkundjes dhe shkundjes ose i vdekjes dhe i zhdukjes,
Dhe më e gjatë Era e pasErërave, kur më ra si frymë e ndalur në sup…
Aq peizazhe, po aq frymëmarrje dhe zëra, dhe ngjarje dhe qeshje, dhe qarje
Në atë heshtje, në atë prekje, në atë vdekje të asaj gjethe-vere-vjeshte!
Mblidhi një nga një në fund të një brenge dhe shfaqi për mua te një buzëqeshje!
TRISHTILI I FUNDIT
I vetëm
Në fill të jetës…
Vëllezër e etër,
Dherave mbetën,
Në re u tretën…
Atje një pendë erën ngjyros,
Këtu një këngë veshët vuvos!
Dhe unë,
Trishtil i brishtë,
Që veten varros!
Pas meje, asnjë vezë në folezë,
Në mua, asnjë shpresë-bukurezë,
Asnjë pendë
A legjendë
E trishtimit tim!
Njerëz!
Jam trishtili i vetëm
Dhe nesër do vdes!
Pi lotët e dhembjes me etje dhe hesht!
Pilotët e vdekjes ngërdheshen me epsh!
—
Biobibliografi
Demir Gjergji i lindur në një shtëpi të pa mure, diku në prehrin e kodrave të Manzës (Durrës), përballë detit; fëmijë i varfërisë dhe i fantazisë, ëndërrimtar dhe i guximshëm deri në aventura, nxënës përtej interesave të teksteve shkollore, dhe njëherësh kooperativist “part time”, minator i padisiplinuar, ushtar rebel, student me mëtime këmbëngulëse krijuese, mësues pa pasion, publicist i vullnetshëm në gazeta dhe me mbi 800 emisione (deri sot) në Radio Tirana si dhe poet, autor i “Ngjyrat e tokës”, “Në sytë e mi”, Mërgimi i bukurisë”. “Vera në ikonë”, “Digjet ylli i ikur”, “Ishujt e mbrëmjes”. “Vetëm (V)era vjen”, “Bibla e Buzëve”, “Orë akulli” i romanit “Biri i botës”, i përmbledhjes me përralla “Pse nuk qeshte bija e mbretit; i dy monografive etj.
Komentet