Аrtisti bjellorus, Ales Pushkin. Minsk, 17 qershor 2020. Foto nga Andrei Shauliuha.
Shërbimi bjellorus i REL-it
Më 19 mars 2021, policia e bastisi shtëpinë e artistit Ales Pushkin në vendbanimin Babry, në perëndim të Bjellorusisë. Pushkini nuk ishte në shtëpi: një restaurues profesional, ai ishte duke punuar në Pallatin e shekullit XIX, Bulgakov, në Zhilichi, në juglindje të Minskut.
“Unë kam ar në duart e mia”, tha ai për Radion Evropa e Lirë kur u pyet për fjalët e tij të para rreth bastisjes në shtëpinë e tij.
“Tani do ta bëj tablonë të shkëlqejë”.
“Është një situatë e çuditshme. Por mbase ka mundësi që policia do të vijë këtu në Zhilichi dhe të më rrëzojë nga kjo skelë duke më tërhequr prej këmbëve”, shtoi ai.
Dhe kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi. Ai u arrestua brenda pallatit.
Pushkin u arrestua më 20 mars 2021 dhe ndaj tij u ngrit aktakuzë për “rehabilitimin e nazizmit”, për shkak se kishte shfaqur një portret të nacionalistit bjellorus anti-sovjetik, Yauhen Zhikhar, në një shfaqje në qytetin perëndimor Hrodno.
Më vonë, në aktakuzë ai u ngarkua edhe për nxitje të urrejtjes dhe përdhosje të simboleve shtetërore.
Pushkini dhe përkrahësit e tij këmbëngulën se ai po përndiqej për shkak të kundërshtimit të kamotshëm ndaj liderit të fuqishëm bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili nisi një luftë të gjerë ndaj atyre që nuk pajtoheshin me të, pas protestave masive menjëherë pas zgjedhjeve tejet të kontestuara presidenciale në gusht të vitit 2020, të cilat pretendoi se i kishte fituar bindshëm.
Grupi për të drejtat e njeriut, Vyansa, Shoqata e Gazetarëve të Bjellorusisë dhe Komiteti Bjellorus i Helsinkit, e njohën Pushkinin si një të burgosur politik dhe bënë thirrje për lirimin e tij.
Por, më 20 mars 2020, ai u dënua me pesë vjet burgim.
Në natën mes 10 e 11 korrikut, Pushkini vdiq nën rrethana të pashpjegueshme pasi ishte operuar në një spital burgu. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, ai i kishte humbur 20 kilogramë në javët e fundit dhe në letrat e tij ishte ankuar për dhimbje veshke dhe e kishte kërkuar një rrip.
Ai ishte 57-vjeçar.
“Shpirt i paepur”
“Bjellorusia e ka humbur një njeri të talentuar dhe sypatrembur”, shkroi Svyatlana Tsikhanouskaya, liderja opozitare në mërgim.
“Ales ishte burgosur për shkak të kreativitetit të tij, që ishte mishërim i shpirtit të paepur të popullit bjellorus. Ai ëndërronte për një Bjellorusi të lirë e demokratike”, shtoi ajo.
Ales Pushkin ishte lindur në Babry më 6 gusht 1965. Ai ishte i përkushtuar ndaj artit qysh nga mosha e hershme dhe e nisi karrierën duke specializuar në artin monumental dhe dekorativ në Institutin Shtetëror të Artit dhe Teatrit në Bjellorusi. Ai ishte thirrur në Ushtrinë Sovjetike më 1984 dhe kishte shërbyer në luftë në Afganistan.
Pasi largimit nga ushtria, ai iu rikthye karrierës, pikturës dhe performimit, dhe u përfshi në lëvizjen nacionaliste bjelloruse, duke promovuar ringjalljen e gjuhës dhe simboleve kombëtare historike. Ai u kualifikua si restaurues profesional i artit dhe e nisi punën jetësore për restaurimin e trashëgimisë arkitekturale të Bjellorusisë, veçanërisht të kishave.
Ai ishte arrestuar për herë të parë në vitin 1988, pasi kishte ndihmuar në organizimin e një demonstrate nacionaliste. Për këtë, ai ishte burgosur për pesë ditë.
Një ngarkesë me pleh organik
Më 25 mars 1989, ai e organizoi një demonstratë për të shënuar 71-vjetorin e deklaratës së pavarësisë të shtetit bjellorus. Kjo ishte festa e parë publike e kësaj date. Ai dhe më shumë se 100 të tjerë ishin arrestuar dhe Pushkin ishte dënuar më vonë me dy vjet burgim me kusht.
Pas kësaj, ai vazhdimisht bënte aksione arti me qëllime politike, kryesisht në lidhje me përvjetorin e 25 marsit. Në mars 1993, ai e hapi njërën prej galerive të para private të artit në Bjellorusi, në qytetin Vitsebsk.
Në korrik 1999, Pushkini bëri njërën prej paraqitjeve të tij më të mira kur e derdhi një karrocë të mbushur me pleh organik pranë zyrës së Lukashenkas. Pastaj, ai me kujdes e vendosi një shenjë prej druri në grumbullin e plehut, duke shprehur mirënjohje ndaj diktatorit “për punën e tij”.
Aty ai e vendosi një portret të Lukashenkas, i cili ishte shef i një ferme shtetërore në epokën sovjetike dhe e nguli një sfurk në të.
Pushkini u arrestua në vendin e ngjarjes dhe më vonë u dënua me dy vjet burgim me kusht.
Ai ishte arrestuar disa herë në lidhje me zgjedhjet më 2006 dhe 2010 – pjesë e një vargu votash, të cilësuara si jodemokratike nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që Lukashenka i përdori për të qëndruar në pushtet që nga viti 1994.
Përveç paraqitjeve të artit, Pushkini e vazhdoi edhe punën e pikturimit dhe restaurimit. Më 1996, ai e shpalosi një mural monumental të “The Last Judgement” në një kishë të saporindërtuar në vendlindjen e tij, në Babry.
Fytyrat e disa prej mëkatarëve të mallkuar në pikturë i përngjanin Lukashenkas, shefit të Kishës Ortodokse Bjelloruse, dhe figurave të tjera të larta shtetërore, duke e krijuar një skandal kur ishte shfaqur në televizion. Pjesa fyese e muralit ishte mbuluar me pikturim menjëherë.
“Ai ishte i vetëdijshëm se çfarë e priste”
Kur shpërthyen demonstratat masive pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – në të cilat Lukashenka pretendoi se kishte fituar mandatin e gjashtë presidencial, megjithëse kishte prova të fuqishme për mashtrim të madh – Pushkini ishte pjesëmarrës aktiv.
Ai ishte arrestuar në Minsk, ishte rrahur nga policia dhe ishte mbajtur për disa ditë.
“Ai i mbajti qëndrimet e veta vazhdimisht për vite të tëra”, tha për Radion Evropa e Lirë Syarhey Khareuski, historian i artit.
“Ai organizoi ekzibicione të tëra, përfshirë në institucionet shtetërore. Ne duhet ta nderojmë vendosmërinë e tij. Ai e dinte se çfarë e priste, por ecte drejt saj me plot vetëdije”, shtoi ai.
Pak ditë para se të arrestohej në mars 2021, Pushkin ishte në Kiev kur e kuptoi se ndaj tij ishte hapur një rast kriminal. Gjithsesi, ai vendosi të kthehej në Bjellorusi, edhe pasi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i bëri thirrje të qëndronte.
“E kam njohur Alesin për një kohë të gjatë, që nga viti 1992, mendoj”, tha artistja Andrey Dureyka në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në mars të vitit 2022.
“Si artist, si aktivist që punonte në kontekst politik, ai është ndër figurat më të shquara dhe një nga më të njohurit në artin modern bjellorus. Ndikimi i tij ka qenë i paparë”, tha ajo.
Një artist tjetër, Henadz Drozdov, tha për Radion Evropa e Lirë se kishte shkëmbyer letra me Pushkinin derisa ai po hetohej dhe gjykohej gjatë viteve 2021-2022.
“Krijova përshtypjen se ai po censurohej shumë. Ai më shkroi mua se tani ia ka frikën vetëm Zotit”.
Pushkini la pas bashkëshorten, Yanina, dhe dy fëmijë.