Sonata Nr. 15 „Deti“ është frymëzuar nga deti – madhështia e tij, trazira, paleta verbuese e ngjyrave, reflektimet kaleidoskopike të dritës, dallgëzimi, valëzimi polifonik, misteri, lashtësia, por edhe tragjedia e tij. Në këtë vepër takohen dy tema qendrore: deti dhe polifonia, të cilat bashkëjetojnë në harmoni. Autori merr frymëzim nga deti pranë Vlorës, duke përfshirë të gjithë bregdetin e Labërisë deri në jug të Shqipërisë. Rezultati është një vepër muzikore, ku dallgët e detit ndërthuren me strukturat polifonike të jugut të Shqipërisë.
Vepra përfshin elemente të marra nga muzika tradicionale, veçanërisht motive të bazuara në këngët „vajza e valëve“, në rrjedhën dhe lëvizjen e dallgëve, në modulimet e toneve harmonike dhe në modulimet semitonale, të cilat janë tipike për zonën e Himarës. Kjo teksturë zanore krijon një ansambël muzikor madhështor, i cili e zhyt dëgjuesin në një botë ku tradita takohet me kompozimin modern muzikor.
Koha e dytë: „Deti i trazuar“ sjell një kontrast dramatik. Vëllimi i zërit, ritmi dhe shpejtësia i japin detit një karakter ciklonal. Autori, që nga koha kur mori pjesë në World Music Days në Seul me veprën e tij „Homothetie et quantite sonore“, anon nga teknika gjeometrike e homotetisë, domethënë reduktimi i strukturës. Motivi i veprës (shënimi i parë muzikor) në shënimin e dytë muzikor zvogëlohet katër herë, ndërsa në shënimin e tretë muzikor, autori punon me inversin e motivit të dytë. Kështu krijohet një koncept kompozicional, i cili shkon përtej perceptimit tradicional stereofonik dhe ofron një „surround kompozicional“ në tre nivele:
1. Tema e gjerë e detit,
2. Thyerja homotetike e temës në mikrovalë të përsëritura,
3. Inversi i mikrovalëve të përsëritura.
Struktura zanore ciklonale mbetet deri në fund të Sonatës Nr. 15 „Deti“. Vepra i është kushtuar pijanistit Egli Prifti, i cili vjen nga rajoni që frymëzoi këtë kompozim dhe sot shënon premierën botërore të kësaj vepre unike.