TIRANE – Trazirat e vitit 1997, firmat piramidale të para 15 vite më vonë në syrin e ish-kryeministrit, ashtu si edhe ligji për hapjen e dosjeve të komunizmit janë çështjet për të cilat flet prof.Aleksandër Meksi në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”. Ai, sapo ka botuar librin “Rrugë e vështirë. Shkrime & intervista”, përmbledhje e botimeve në media ndër vite.
-Është diskutuar edhe hapja e dosjeve të komunizmit.
Është manipulim që bëjnë komunistët, sepse përpara duhet Lustracioni e pastaj Hapja e Dosjeve po aq e rëndësishme.
-Si duhet njohur publiku i sotëm me ata që ishin agjentë, oficerë, spiunë, me ata që ndihmuan me dënimin e shqiptarëve në komunizëm?
Po shkel ligjin në fuqi kur më thua që duam të dimë ata që ishin oficerë. Nuk ka të drejtë as Presidenti i Republikës të pyesë nëse një punonjës i tij ka qenë operativ Sigurimi. Nuk ka të drejtë me këtë ligj, se është ligj që mbron dhunën e Sigurimit të Shtetit, të Partisë Komuniste. Dhe trajton vetëm hallkën e fundit që fillonte me Enver Hoxhën dhe mbaronte me spiunin, 90% e të cilëve janë rekrutuar me “rrethana shtrënguese”. Vetëm këta penalizohen nga ky ligj për aq sa i penalizon.
-Pra, ky ligj nuk vlen për të mësuar të vërtetën?
Nuk është ky që duhet. Europa nuk ka kërkuar vetëm këtë, kërkon edhe lustracionin, e këtë e kanë bërë dhe gjermanët, pra dekomunistizimin.
-Sipas këtij ligji në fuqi, çfarë mund të mësojmë ne?
Që sigurimsat kishin të drejtë të vrisnin, të dhunonin, të përdhunonin, derisa nuk quhet krim veprimtaria e tyre. Dini ju që është dënuar veprimtaria e komunizmit në Shqipëri?
-Sipas këtij ligji, emrat e kujt mund të mësojmë?
Asnjë emër nuk ke për të mësuar. Kanë qenë të paraqitura dy ligje, unë kam punuar për hartimin e ligjit tjetër të hartuar nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Ishte Ligji për Lustracionin dhe Hapjen e Dosjeve, i cili kërkonte ndër të tjera që të publikohen edhe listat e plota të operativëve të Sigurimit të Shtetit, legalë dhe ilegalë, listat e plota të atyre që përndiqeshin, për të cilët kishte denoncime, atyre që u kishin vënë aparate përgjimi në shtëpi, atyre që qenë në listat 2A dhe 2B që të mos mburren që na ka ndjekur Sigurimi, kur është fjala për ndjekje, me letra e me ankime që siç po mësojmë, ishte një gjë e rëndomtë në atë kohë turpi për historinë e shqiptarëve.
-Çfarë janë listat 2A dhe 2B?
Quheshin listat e atyre që u hapesh dosje përpunimi. 2B janë listat me emra që na raste lufte internoheshin për të hapur llogore për të mbrojtur komunizmin dhe 2A emrat e atyre që kanë qenë në burg ose që duhej të hynin dhe që në rast lufte pushkatoheshin.
-Pra nëse unë dua të di kush ka spiunuar, hetuar dhe çuar në burg një të afërmin tim, me ligjin aktual e mësoj dot?
Dëshmitarët e gjyqit edhe mund t’i gjesh. Për të tjerët nëse është ruajtur ndonjë dosje. Unë kam botuar një dokument me firmat e ministrave të kohës, më 1989, 1990, 1991, ku thuhej të asgjësohen dosjet. Atë kohë thuhej se brumatriçja po gatuan. Ato që kanë mbetur janë pak, por sidoqoftë duhen hapur, ia vlen. Sigurisht edhe në Komitetin Qendror ka dosje edhe që mund të gjykohen imtësisht.
-Nëse duam të mësojmë nëse një ministër a zëvendësministër ka qenë në Sigurimin e Shtetit, nga ky ligj, e mësojmë dot, që ka qenë operativ?
Po të ketë qenë në poste të larta, dihet se kush kanë qenë dhe nuk para përzihen në politikë, me raste të rralla. Për operativët, me sa di unë, ligji nuk e thotë. Por ky është një diskutim i gjatë e shqiptarët nuk kanë qejf që çështjet e turpit të mësohen. Veçse nëse e duan kundër ndonjërit që e kanë hasëm. Këta janë njerëz të rrezikshëm. Ne po flasim për dekriminalizim. Një person që ka qenë punonjës i Sigurimit, një hetues që ka dhunuar, nuk mund të jetë në poste si: Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, deputet apo të tjera, tek ne po, janë. Dakord. Ligji që nuk u shqyrtua parashikonte që në këto raste i thuhet publiku që ky ka qenë i tillë.
-Është diskutuar së fundmi, përdhunimi i femrave në burgjet komuniste. Me sa keni ju informacion, ka ndodhur?
Nuk kam hetuar në këtë drejtim. Kam frikë se në Shqipëri nuk e thotë njeri e kjo më duket e kuptueshme. Është abuzuar dhe pa futur në burg e kjo dihet, përflitej gjithnjë. Them që edhe mund të ketë ndodhur, por nuk besoj se shqiptaret janë ndër ato që e thonë dhe i kuptoj. Kjo do të thotë që nuk ka pse të dalësh e të thuash se nuk ka bërë vaki kjo punë. Se po flitet për gratë, e jo për abuzime me burrat, që dalin e flasin burrat.
-Para disa vitesh në librat e historisë, ajo që ndodhi më 1997, u quajt rebelim komunist. Ndërkohë në librin tuaj ju nuk shpreheni qartësisht, nëse ishte apo jo luftë civile por shpreheshit, që ju ishit të përgatitur të mbronit shtetin?
E ke për detyrë që ta mbrosh shtetin, në momentin që të thonë mos e mbro shtetin, nuk është proshqiptar ai që ta thotë. Kryengritje, siç thoshin ata që e bënë, apo “revolucioni i dytë demokratiko-popullor”, është kur ngrihet tërë populli dhe nuk është ngritur tërë populli(një). Nuk ra kryeqyteti (dy) dhe nuk u lejua që të digjeshin pjesa më e madhe e qyteteve (tre). Ishin po ata njerëz që i digjnin, po ata banda që nuk dogjën e vranë në shtëpitë e tyre dhe e dimë mirë që pasi erdhi në pushtet Partia Socialiste, asgjë nuk u kërkua, as para, as hesap dhe as nuk doli njeri të protestonte.
-Por nuk kishte luftë civile?
Ç’luftë civile? Më thoni kush u vra, në luftë civile ka të vrarë, ka beteja, ka dëshmorë. Cilat janë betejat e kryengritësve me qeverinë, sa veta i kanë vrarë qeverisë dhe sa dëshmorë kanë rënë nga luftëtarët e lirisë?
-Një moment, në intervistën që jepni për Blerim Shalën, thoni se zjarri i 1997-ës në Shqipëri i parapriu zjarrit të Kosovës më 1998. Në ç’kuptim?
E kam thënë jo në kuptimin që e merr shumica, jo që të dilnin armët, se ky qe budallallëk se armët u vodhën se shiteshin, por dhe për qejfin që kanë shqiptarët që të kenë kobure. Mbajtja e armës rregullohet me ligj dhe unë pata bërë një propozim por njerëzit vazhdojnë të vriten e të mbajnë armë, e mbasi kapen me armë bëhen drejtorë, deputetë e gjithçka. Sa i takon asaj që ju pyesni, kam thënë që kishte forca të interesuara, për të dhunuar shqiptarët në Kosovë se ka dy aspekte për atë që ndodhi në Kosovë më 1998-1999, ishte fillimi i kryengritjes nga shqiptarët, rezultat i thellimit të dhunës serbe ndaj shqiptarëve deri në dëbimin e tyre dhe nga ana tjetër ishte ndërhyrja e amerikanëve, që shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës që e çliruan Kosovën.
-Një tjetër pikë me të cilën merreni në libër është çështja e firmave piramidale, ku ju thoni se ju e kishit kërkuar mbylljen e tyre, dhe thoni po ashtu se në ikje janë mbledhur dhe lënë 130 milionë dollarë që në fakt u zhdukën, pa ua kthyer atyre që i kishin lënë. U mor vesh fati i këtyre parave?
Kam kërkuar të bëhet transparencë se ku shkuan këto para por dhe të tjerat, si u shitën pronat, kush ka punuar në to, kush ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme e të tjerë dhe nuk është bërë asnjëherë.
–A ju vjen keq që ndodhi ajo që ndodhi me firmat piramidale? A mund ta kishit shmangur në pozitën që ishit?
Sigurisht. Nuk e kishte kryeministri të drejtën për këtë punë.
-Ju thoni që e kishte Banka e Shqipërisë, po Bankën kush e kontrollonte?
Duhej ta bënte Banka dhe ata që e urdhëronin.
-A kishit ju akses dhe a mundeshit ju ta urdhëronit Bankën?
Jo, nuk kisha të drejtë. I kam bërë kërkesë me shkrim “mbylli!”. Kjo është një çështje si ajo e ‘97-ës që nuk e lëmë pa folur, por kur t’i vijë koha, por që askush nuk e analizon me fakte dhe nuk bëhet transparencë.
-Profesor, sot vite më vonë, shumë prej artikujve tuaj të shkruar herët, janë aktuale. Megjithatë, keni ndonjë peng nga ajo kohë kur ishit kryeministër i Shqipërisë, mendoni se do kishte bërë diçka ndryshe?
Nuk e bëj gabimin ta them, sepse kur thashë njëherë duke qeshur fjalën e urtë shqipe, “bëmë edhe njëherë nuse, pa di unë si nusëroj” një nga miqtë e mi të ‘90-ës më shau e më tha, ‘dashke të bëhesh prapë kryeministër’. Prandaj, për këtë arsye, nuk po them asgjë.
-Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë?
Në duar të shqiptarëve edhe të qeverisjes që krijojnë ata, dmth të Legjislativit, Ekzekutivit, Drejtësisë dhe opinionit publik-partitë politike e OJQ-të. Po e bëj këtë shpjegim sepse kur unë them qeverisja me keqdashje e interpretoni për qeverinë.
-Keni libër tjetër në duar, po shkruani kujtimet?
Unë po punoj në dy drejtime: dua të mbyll ato studime shkencore për monumentet që kam prekur e studiuar, po punoj për librin mbi arkitekturën e kishave, ndërsa në lëmë të politikës jam duke përgatitur, një vëllim të tretë me fjalime që kam mbajtur jashtë, shkrime që kam botuar jashtë, intervista të dhanë jashtë, dhe zbardhjen e bisedimeve e takimeve në vitet 1992-1993-1994, që kam mundur t’i gjej, që të njihet se si e çfarë bisedonim me të huajt. Kjo u vlen atyre që merren me diplomacinë, sepse ka edhe çështje të historisë që trajtohen në to. Më tej do vazhdoj me problemet më aktuale të politikës, me probleme të botuar në artikuj të ndryshëm, që kanë vlerë për historinë e Shqipërisë, janë në mos kujtime, vrojtime. Më pas kujtimet.
-Keni nisur t’i shkruani?
Kam shkruar disa pjesë.
Komentet