Lista e politikanëve antishqiptarë në Serbinë e këtyre tridhjetë viteve të fundit është tejet e gjatë, ndaj edhe ne e kemi pasur dhe e kemi të lehtë t’i identifikojmë ata. Të vështirë do kishim pasur të kundërtën, pra gjetjen e ndonjë politikani serb, të arsyeshëm, realist dhe objektiv. Mendoj se të tillë numërohen jo më shumë se gishtat e dorës në Serbinë e sotme, madje kurrë në nivelet e larta të shtetit apo partive politike, ndaj dhe është për këtë, që as ia vlen t’iu a përmendësh emrat. Në top-listën e antishqiptarëve serbë, për një vend “nderi”, mund të themi pa mëdyshje, rreshtohet katërshja kryekriminale: Milosheviç, Sheshelj, Karaxhiç dhe Mlladiç, shkatërruesit e Jugosllavisë titiste me zjarr e hekur nga Armata, Policia, Shërbimet Sekrete, paramilitarët, mercenarët e huaj rusë, apo nga ish-republikat sovjetike, me agresion, gjenocid, krime lufte, masakra, përdhunime, pogrome, deportime masive, varre kolektive, etj. etj. Në një mënyrë apo një tjetër, dashamirësi ndaj shqiptarëve, nuk treguan as Koshtunica, Drashkoviç, Tadiç, Jeremiç etj. Ndoshta më i moderuar u tregua vetëm Zoran Xhinxhiç, i vrarë nga mafia narkopolitike e Klanit të Zemunit, (ndërsa ishte kryeministër në Beograd), më 12 mars 2003! Pas të mësipërmeve, në hierarkinë politiko-shtetërore serbe po dilnin mbi ujë “nëndetëset” shovene e të sofistikuara të tipit Nikoliç, Daçiç, Vuçiç, Tabakoviç, Brnabiç, Gjuriç etj, ose më saktë, ata që po e qeverisin sot Serbinë. E pikërisht mes tyre, jo thjeshtë pse ishin homologë, as pse ishin meshkuj 200 centimetrash, e ish- sportistë, po për arsye që nuk i shpjegoi kurrë, e që edhe nuk është e vështirë sot të kuptohen, fortlartësia e tij kryeministrore Edi Rama, zgjodhi ta konsiderojë mik (paçka se edhe emrin nuk ia tha saktë, Aleksandër, kur ai quhet Aleksandar), një politikan plot pikëpyetje e dritëhije, të cilin, e kish takuar vetëm për pak minuta dy herë më parë! Dhe ky ishte pikërisht Aleksandar Vuçiç.
Le të shohim tani, kush është ky mik i shquar i Ramës, që në mënyrën serbe të “mikpritjes”, ia ndërpreu fjalën në konferencën e shtypit, përdori “provokacija”-n dhe doli më parë se miku nga salla kryeministrore në Beograd , ku edhe po zhvillohej ajo. Në përforcim të kësaj farë miqësie, ai vetëm pas disa javësh, nuk vonoi dhe e qesëndisi publikisht Ramën Edi, teksa e vlerësoi plot ironi si ”Lider Global”?!
Aleksandar Vuçiç lindi në kryeqytetin serb më 5 Mars të 1970, nga prindërit, Angjelko dhe Angelica Vuçiç (e lindur Milovanov). Babai, i lindur edhe ai në Beograd, me origjinë ishte nga serbët e Bosnjes Qendrore, saktësisht prej Çipuljiç, afër Bugojnos. Gjyshi ishte vrarë nga ustashët. E ëma u lind në Beçej të Vojvodinës. Babai i Aleksandarit ishte një ekonomist, ndërsa e ëma gazetare. Mësimet e para i mori në Beogradin e Ri dhe e përfundoi ciklin 8-vjeçar në shkollën Branko Radiçeviç, ndërsa të mesmen në gjimnazin e Zemunit. Studimet e larta për Drejtësi i nisi dhe i mbaroi në Universitetin e Beogradit, pas të cilit, perfeksionoi anglishten në Brajton dhe për pak kohë punoi edhe si tregtar në Londër. Kthehet në vendin e vet dhe fillon punë si gazetar, korrespondent lufte në Pale të Bosnje Hercegovinë, ku nuk vonon të njihet e të miqësohet me famëkeqin kriminel Radovan Karaxhiç, të cilit, ka ekskluzivitetin t’i marrë edhe intervista, ndërsa miqësia me një tjetër kriminel lufte, komandantin Ratko Mlladiç, shkon deri atje, sa edhe pse kohë lufte, të luajnë shpesh shah me njëri tjetrin! Këta burgaxhinj të Hagës ishin miqtë e parë të rëndësishëm të Vuçiçit, që do pasohen nga një tjetër mik edhe më konfident se këta të dy, Vojisllav Sheshelj, që u bë lider i një partie nacionaliste radikale serbe dhe frymëzues e udhëheqës i ekstremistëve serbë, ndër të cilët çdo ditë e më tepër po binte në sy, (jo vetëm për gjatësinë), i riu me “perspektivë” Aleksandar Vuçiç. Për çudi, edhe ky mik i tretë i tij, u dënua si kriminel lufte në Hagë, por ndryshe nga dy të parët, me anë të një raporti mjekësor, ia doli të lirohet nga burgu, për shkak të kancerit malinj kolorektal, prej të cilit do të duhej të kish ikur prej kohësh nga kjo botë, çka jo vetëm s’ka ndodhur, duke vërtetuar falsitetin e diagnostikimit, por më keq akoma, se si i liruar me kusht nga Haga, nuk do të duhej të merrej me aktivitet politik, gjë të cilën ai po e bën për shtatë palë qejfe, teksa Gjykata duhej ta rikthente në Sheveningen si burgaxhi kriminel e mashtrues, që gëzon mbrojtjen e plotë të ish-vartësit e mikut të tij, president aktual i Serbisë. E pra, këta janë tre miqtë e këtij miku të Ramës, të cilët i bie të jenë edhe miq të tij, në se do i referoheshim shprehjes proverbiale të popullit, që thotë se; miku i miqve të mi, është edhe miku im! Në rininë e tij, Vuçiç ishte një fans i tërbuar i Crvena Zvezdës (Yllit të Kuq të Beogradit), klub ky famëkeq për huliganët e tipit Ivan Bogdanov, dënuar në Itali, pas ndeshjes në Xhenova të ndërprerë e të fituar në tavolinë nga italianët, i cili u shfaq, edhe pse po “vuante” dënimin në Serbi, edhe në të famshmen idiotëri tashmë recidiviste huligano-futbollistike të serbëve në Beograd, gjatë ndeshjes tjetër të luajtur, e gjithashtu të ndërprerë, ndaj përfaqësueses së Shqipërisë, (14 Tetor 2014), fituar me vendimin e KAS-it të Lozanës nga përfaqësuesja jonë, ndeshje të cilën pata fatin e madh ta përjetoj drejtpërdrejtë në tribunën e stadiumit të JNA, ndryshe i Partizanit të Beogradit, falë një miku shumë të mirë timit, diplomat i rëndësishëm amerikan në ambasadën e USA, në kryeqytetin serb. Atë mbrëmje, s’kish se si të mos më kujtohej kualifikimi historik i “Flamurtari”-t, të Vlorës pas atij supergoli të Kushtës në portën e Fahrudin Omeroviçit, portierit të “Partizani”-t të Beogradit, luajtur po në këtë stadium. Duke e zgjatur pak me futbollin serb dhe Vuçiçin, miq të tij dëshmojnë, se ai ishte më shumë se një fans i Zvezdës, çka e tregoi edhe në derbin e “Dinamo”-s së Zagrebit me Crvena Zvezdën më 13 maj 1990, ku u paralajmërua, se nga topat e futbollit, grushtet dhe shkelmat në fushë, tribuna, e jashtë tyre, do të kalohej shpejt te topat nacionaliste të artilerisë! Bëmë baba të të ngjaj. Edhe djali i madh i Vuçiçit, u kap nga kamerat e TV, mes një grupi tifozësh huliganë serbë, gjatë Botërorit të Rusisë, por për të atin, kjo kishte qenë thjeshtë vetëm një rastësi?!
Vuçiç u martua për herë të parë me Ksenija Jankoviç më 27 korrik të 1997, edhe kjo një gazetare e Radio Index&Srpska reç, me të cilën patën dy fëmijë dhe u divorcuan më 2011. Më 14 dhjetor 2013 Vuçiç martohet për së dyti, si rëndom edhe shumë lider të tjerë politikë të Lindjes, kur mendojnë se u janë plakur bashkëshortet. Kësaj here me një diplomate të MPJ së Serbisë, e quajtur Tamara Gjukanoviç, e cila një javë pasi bashkëshorti i saj hyri zyrtarisht në zyrën presidenciale (31 maj 2017), lindi një djalë.
A.Vuçiç hyri në politike me pranimin në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Shesheljit, më 1993 duke bërë një karrierë të shpejtë, pasi vetëm dy vite më vonë zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i saj. Kjo ishte një parti nacionaliste e ekstremit të djathtë, më saktë një parti fashiste, që moto të saj kishte Serbinë e Madhe. Një pjesë e madhe e anëtarëve të saj ishin në avangardë të krimeve, masakrave dhe gjenocidit që serbomëdhenjtë kryen në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, duke i vënë damkën Jugosllavisë, si vendi ku u kryen masakrat më të mëdha e më të egra në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe të mos harrojmë se Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, ishte Aleksandar Vuçiç. Më 1998 kjo parti, hyri në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste të Milosheviçit dhe vetë Vuçiçit, iu dha portofoli i ministrit të Informacionit, variant serb ky që mbulonte dhe justifikonte si Zhdanovi në Bashkimin Sovjetik të Stalinit dhe Gëbelsi në Gjermaninë e Hitlerit, sektorin e Propagandës, detyrë, që duhet pranuar, se ai e kreu me shumë devocion. Pikërisht në kohën që ky dikaster drejtohej prej tij, me propozim të vetë Vuçiçit u miratua një ligj i egër i represionit ndaj mediave (kuptohet, atyre në oponencë me regjimin), i cili binte ndesh edhe me vetë Kushtetutën e kohës. Ishte kjo politikë që çoi deri në arrestime, burgosje, dënime, rrahje, tortura, rrëmbime, zhdukje e deri vrasje gazetarësh, siç ndodhi edhe me më të shquarin prej tyre, Sllavko Curuvija,( që kishte pasur raporte të pasqaruara mirë me Mira Markoviçin e Sllobos, i vrarë më 14 Prill të 1999, apo Milan Pantiç e Dada Vujasinoviç. Vetëm në Janar të 2014 policia arrestoi si të dyshuar për këto krime, dy agjentë special të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, Milan Radonjiç dhe Ratko Romiç, madje edhe vetë ish Shefi i madh i këtij Shërbimi me stazh 40-vjeçar Radomir Markoviç, ka pranuar implikimin e këtij Shërbimi në këto punë të pista, që kulmuan me vrasjen e Kryeministrit, Xhinxhiç, ish-Presidentit Ivan Stamboliç dhe atentatin ndaj Vuk Drashkoviçit, me ekzekutues material kolonel Milorad “Legija” Ulemek, këtë Rambo të Legjionit të Huaj francez dhe kapo të forcave Speciale Serbe, i implikuar në të gjitha luftërat dhe krimet në Jugosllavi. Në mbyllje të këtij kapitulli, mund të themi, se në cilësinë e Ministrit të Informacionit të Milosheviçit(24 mars 1998-24 tetor 2000), Vuçiç mbërriti apogjeun e hipokrizisë dhe gënjeshtrave propagandistike, për t’i hedhur hi syve Botës Demokratike e të Civilizuar, lidhur me krimet e përbindshme serbe në Kosovë, mision të cilin e mbylli duke dështuar me sukses të plotë, pasi NATO, SHBA dhe BE i thanë nëpërmjet “buldozerit” Riçard Holbruk, ndal, marrëzisë së skizofrenit Sllobo, duke i detyruar ata të miratonin deri dhe bombardimin e Beogradit, e që bashkë me luftën heroike të shqiptarëve të Kosovës: FARK, e sidomos UÇK, bashkë me udhëheqjen e urtë të Presidentit Rugova, Ghandit të Ballkanit, e gjunjëzuan përfundimisht atë dhe regjimin gjakatar stalinist të tij. Pikërisht për të gjitha këto në atë kohë, BE e futi Vuçiçin në top-listën e zezë të saj, nga e cila, ujku i vjetër serb, doli vetëm kur veshi lëkurën e qengjit, e padyshim, edhe me ndihmën e burokratëve të majtë të Brukselit, ku spikat dukshëm Komisionerja Federika Mogherini, dikur një ekstremiste e grupeve M-L. Karriera politike e Vuçiçit, njohu dy humbje të rënda, kur kandidoi dy herë rresht për kryebashkiak të Beogradit, më 2004 dhe 2008 tek mundej respektivisht ndaj Nenad Bogdanoviçit dhe Dragan Gjilasit. Me sa duket beogradasit nuk e deshën, por kjo nuk e dekurajoi, përkundrazi, mes problemesh të shumta dhe luftës së bërrylave për pushtet, ai vazhdoi çuditërisht me sukses betejat e tij. Mjeshtër i spërdredhjes, ai e braktisi shefin Sheshelj, i cili tashmë e shihte botën nga dritarja e vogël e qelisë në burgun Sheveningen të Hagës, i dënuar për gjenocid, krime lufte, spastrim etnik etj. Madje ai braktisi edhe vetë Partinë Radikale të tij, teksa së bashku me Tomislav Nikoliçin pas shizmës së partisë krijuan një parti të re (6 Tetor 2008), të cilës, me sa duket, për ironi i vunë emrin Partia Progresiste Serbe, që në aleancë me socialistët e Daçiçit formuan qeverinë e re, duke marrë madje edhe postin e presidentit për pesë vite, ish-varrmihësi Nikoliç, por edhe Vuçiçi njohu ngritje në detyrë, përderisa iu dha portofoli ministrit të Mbrojtjes (27 korrik 2012-2 shtator 2013, njëkohësisht dhe Zv/KM i Parë deri më 27 Prill 2014), dhe u zgjodh edhe Kryetar i Partisë Progresiste Serbe. Duke ndërruar vendet me Daçiç-in, ai merr detyrën e kryeministrit (27 prill 2014–31 maj 2017) dhe pasi e nxjerr në pension Nikoliçin, zgjidhet President i Serbisë, funksion në të cilin është edhe aktualisht. Interesant dhe mjaft domethënës mbetet fakti, që Vuçiç, detyrë të parë i vuri vetes, marrjen në Gardën Presidenciale për sigurinë e tij, të trupave speciale “Kobra”-s, të cilat në kundërshtim me ligjin e kishin ruajtur gjatë gjithë kohës kur qe kryeministër.
Qengji i sotëm Vuçiç, në 20 korrik të 1995, kur edhe ndihej ujk, i frymëzuar nga shovinizmi histerik serbomadh i Sllobos, Karaxhiçit, Mlladiçit e Shesheljit po e po, pati lëshuar kërcënimin himlerian, bash para Asamblesë Kombëtare, se për çdo serb të vrarë në Bosnje do ekzekutoheshin 100 myslimanë!? Më pas, ky kameleon gjatosh, foli për keqkuptim të thënies së tij dhe si fytyrfortë që është, guxoi të shkojë në përkujtimin e 20-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës në Bosnje, me 8000 të vrarë, kinse për të kërkuar një lloj faljeje, që shkodranët tanë të mençur të humorit fin e luksoz, e përcaktojnë si: m’ka çu nana (Serbi), me la gojën! Një breshëri gurësh prej prindërve e të afërmeve të viktimave, u lëshua mbi kokën e Vuçiçit, një pëllëmbë më lartë se e të tjerëve, dhe falë kobrave që e mbronin me çadra, shpëtoi paq kryekobra e Serbisë.
Në 7 tetor të 2014 kryeministri Vuçiç, me ftesë të Ramës, vizitoi Tiranën. Propaganda zyrtare e të dy qeverive e paraqiti si historike këtë vizitë, madje gabimisht e quajti të parën e një kryeministër serb në Shqipëri, duke harruar se i pari kryeministër serb që vizitonte Shqipërinë ishte Milan Paniç, njëkohësisht edhe bos serbo amerikan i prodhimeve farmaceutike (në këtë kohë Serbia ishte ende pjesë e Federatës Jugosllave, ndërsa Prof. Dr. Sali Berisha, mikpritësi i tij ishte President i Shqipërisë). Duke e ditur se ishte në fokusin e kamerave televizive, që përcillnin drejtpërdrejtë vizitën, para shqiptarëve e më gjerë, Rama mbajti një qëndrim deri diku të pranueshëm, por gaboi rëndë, teksa e quajti mik Vuçiç-in! Jo të gjithë miqtë e Ramës, mendoj, detyrimisht duhet të jenë edhe miq të shqiptarëve. Po për këtë do të rikthehemi të shprehemi përsëri. Rama ia ktheu vizitën mikut të tij më 27 maj 2015 në Beograd. Kësaj here “mikpritësi” Vuçiç, shpalosi atë, që serbët dinë të bëjnë më mirë, sjelljen “qytetare”, leksionet për të cilën, ia ka ngarkuar shefit të djeshëm dhe vartësit të sotëm Ivica Daçiç, për të cilin tashmë, vetëm pak ditë më parë kam botuar, në po këtë gazetë të nderuar një opinion të gjatë. Vuçiç-i dukshëm gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Ramën shfaqi padurueshmërinë e tij deri në bezdi, nuk pyeti as për protokoll e ceremonial, duke nisur të largohet para mikut të ftuar, që ende nuk kish mbaruar së foluri dhe që për konsum të brendshëm e karshillëk ndaj Ramës, përdori fjalën PROVOKACIJA !
Mbështetur në metodat tashmë të vjetëruara sovjetike, me skenar ala KGB e UDB, ka gjasa të shumta, që Shërbimi Sekret i Sigurisë së Serbisë, të ketë sajuar një atentat ndaj të porsazgjedhurit President Vuçiç, nëpërmjet një aksidenti të qëllimshëm automobilistik të një Bentley luksoz, brenda të cilit ishin tre persona të maskuar, që goditi makinat e autokolonës presidenciale. Analistët mendojnë se kjo ngjarje u shfrytëzua, për të spostuar vëmendjen e qytetarëve serbë nga kriza ekonomike, dështimet politike e sidomos ngecja e negociatave me Kosovën, që i rri si shpata e Damokleut mbi kokë Vuçiçit, të cilit i është bërë e qartë se pa njohjen e Kosovës, do të duhej ta harronte BE-në. Dikur thuhej për Greqinë, se ishte gruaja e Lindjes dhe dashnorja e Perëndimit, ndërsa sot mund të thuhet me plot gojën, se Serbia është gruaja e Rusisë dhe dashnorja e BE! Për këtë, ka aq shumë fakte dhe argumente, sa do të duheshin faqe të tëra gazetash t’i rreshtonim, por ne do ndalemi vetëm te disa syresh. Në luftërat e serbëve, që çuan Jugosllavinë drejt shpërbërjes e shkatërrimit, ata që i ndihmuan më shumë serbët, ishin rusët, kryesisht mercenarë, ish burgaxhinj ordinerë, pijanecë, të droguar, të degjeneruar, stalinistë e breznjevianë të deziluzionuar nga disfata në luftën 10-vjeçare në Afganistan, apo naziskinë ekstremistë, të gjithë delinkuentë të egër e të pamëshirshëm në krime. Po ashtu, Rusia dha ndihma të mëdha në armë, municione, dhe logjistikë, (kryesisht stoqe ushtarake të epokës sovjetike), por edhe në financa, e të gjitha këto, në kohën kur BRSS ishte shpërbërë, e po i merreshin këmbët më keq se Liderit të tyre sarhosh, Boris Jellcin. Të gjithëve iu kujtohet se si nxituan trupat ruse të kapnin para atyre të NATO-s aeroportin e Prishtinës dhe si bllokuan e bllokojnë çdo rezolutë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB, pa harruar se diplomacia e saj putiniste me Lavrovin në krye, këtë “gaspadin njet”, binjak i Gromikos, lobojnë fuqishëm pro Serbisë, kundër njohjeve të Kosovës, e pranimit të saj në OKB. Nga ana tjetër Çeçenia, Gjeorgjia, Abkhazia, Osetia, Nagorni Karabaku, e në fund Krimea, janë shembujt më të mirë, që tregojnë se në këto pika të nxehta, Serbia i është bashkëngjitur qëndrimeve politike dhe interesave të Rusisë, si shpërblim për ndihmën e përkrahjen e pakursyer, në këto 25 vitet e fundit, paçka se aneksimi me forcë i Krimesë nga Putini, me agresion ushtarak të armatosur dhe kërkesa e tij, që të njihet e drejta e rusëve të Krimesë për shkëputje e Pavarësi nga Ukraina, i nxjerr blof para gjithë Botës, si Rusinë, ashtu dhe Serbinë në politikat dhe diplomacinë dy standardesh të tyre, madje, jo rrallë përdoret si shantazh reciprok, në varësi të konjukturave. Nga ana tjetër, Vuçiç kërkon të hyjë në BE, duke blerë armë nga Rusia, madje deri sisteme raketash e antiraketash, se avionë MiG 29, Suhoj, tanke T 74, etj., ka blerë e blen me shumicë. Sa për shkëmbimet e vizitave reciproke zyrtare, shtetërore e diplomatike, ato sa vijnë e shpeshtohen. Vuçiç, përsëri mezi pret të shijojë çorbën e nxehtë ruse, servirur nga Putini në Kremlin, pak para Sesionit Plenar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork, për të rakorduar qëndrimet, por dhëntë Zoti, të mos jetë e prishur çorba, e pakonsumuar prej javësh, ngaqë Carin e Kuq, autokratin “pare excellence” Vlladimir Vlladimiroviç Putin, gjithnjë e më rrallë po e vizitojnë homologë të tij.
Duket pak e çuditshme, por duhet pranuar, se Serbia ia ka dalë deri diku të mashtrojë djallëzisht, edhe disa vende të mëdha myslimane, si Indonezia e Irani, por edhe një pjesë të vendeve arabe, që ato të mos e njohin Kosovën. Madje Serbia, është shteti europian me raportet më të mira me Iranin e ajatollahëve, i vënë nën sanksione të forta nga bota perëndimore demokratike, për motive tashmë të njohura. Raportet e mira, që këto vende kanë me Serbinë ortodokse të masakrave në luftërat e viteve ’90-të, në një pjesë të madhe ndaj popullsive të religjionit islamik, si boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës, justifikohen plot hipokrizi prej tyre, nga miqësia me Titon, bashkëthemeluesin dhe Liderin e parë të vendeve të paangazhuara, nën idenë e gabuar se Serbia e sotme, nga që kryeqytet të saj ka Beogradin, është vazhdim i Jugosllavisë së dikurshme. Fakt është, se sot Kosovën e Pavarur e njohin 115 shtete, 110 prej të cilëve në vitet kur në Shqipëri qeveriste PD-ja (2005-2013) me kryeministër Berishën, e ministër të Jashtëm Bashën, diplomacia e të cilëve punoi fort me SHBA dhe vendet kryesore të BE, për vetë fuqinë, peshën dhe rolin që ato kishin dhe kanë në politikën botërore, duke i dhënë përparësinë kryesore problemit më të madh kombëtar që kemi. Në pesë vitet e qeverisjes së majtë rilindase të kryeministrit Rama, Kosovën e pavarur e njohën vetëm pesë vende, ndryshe, vetëm një shtet në vit! Një tjetër shembull i shkëlqyer i përkushtimit për çështjen kombëtare, ishte edhe ndërtimi gjatë qeverisjes së PD-së, me Berishën kryeministër dhe Bashën e Olldashin, ministra të Transportit, i Rrugës së Kombit, kësaj kryevepre madhështore me rëndësi jetike, historike dhe ekonomike.
Nisur nga qëllime të mira, Brukseli dhe Uashingtoni rekomanduan nisjen e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke mes dy shteteve, Republikës së Pavarur të Kosovës dhe Serbisë, duke ia bërë të qartë që në krye të herës serbëve, se pa e pranuar Kosovën e Pavarur, sipas Rezolutës 1244 të KS së OKB, njohur ndryshe si plani Ahtisaari, duhet ta harrojnë BE-në. Por si strategjia, ashtu edhe taktikat e përfaqësuesve të delegacionit serb, gjatë gjithë këtyre viteve të negociatave pa fund, madje edhe të mërzitshme për faj të tyre, kishin dhe kanë si Yll Polar, Yllin e Kuq të Kremlinit! Për të mos thënë asgjë, edhe në se është arritur diçka deri më tani, meritën kryesore e kanë SHBA dhe Gjermania, veçanërisht Kancelaria Merkel, që ka meritën e rakordimit të plotë me amerikanët deri në mbërritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Nga ana tjetër, me një djallëzi në dukje naïve, politikanët serbë, mendojnë, se si fytyrfortë që janë, do t’ia hedhin politikanëve e diplomatëve të regjur euro-amerikanë, me alibira, e pretekste të pakapërdishme, teksa vononin p.sh. deri në kalendat greke, linjën e interkonjeksionit( një investim i madh ky i BE-së prej 60-80 milionë euro), apo dhënien e një prefiksi të vetin të telefonisë për Kosovën etj, etj.
Të sigurt se burokratët e BE do të lodhen një ditë, se administrata e re amerikane e Presidentit Tramp, sipas tyre, nuk e ka përparësi Ballkanin Perëndimor dhe se Rusia putiniste po ringrihet fuqishëm ushtarakisht, madje shantazhon Perëndimin me furnizimin me gaz dhe naftë, establishmenti serb, nëpërmjet delegacionit të vet të kryesuar nga Vuçiç, sa herë shkon në Bruksel, paraqet kërkesa maksimaliste të ekzagjeruara dhe bën sikur lëshon pe në disa kërkesa sekondare e terciare të përfaqësuesve të Kosovës. Kjo lojë e tyre, e vjetër sa vetë shovinizmi sllav, e modifikuar me metodat ortodokso-komuniste, për të “dhënë” diçka, nga ato që historikisht nuk kanë qenë kurrë të tyret, duhet hedhur poshtë me neveri!
Mitrovica e Veriut, me pasuri të jashtëzakonshme, që llogariten deri në rreth 200 miliardë euro, Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë (një mini Republika Srbska brenda saj), dhe pengimi me çdo kusht, deri dhe me nxitje revoltash të armatosura të serbëve të Kosovës, për të mos lejuar shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në ushtri të rregullt, deri tani kanë qenë litari jashtë varrit, që serbët vazhdojnë pa u tërhequr aspak t’i kërkojnë në bisedimet e Brukselit. Pjesë e skenarit mbështetës për kërkesat, kinse të drejta të tyret, janë edhe vrasjet mafioze politike të liderëve lokalë serbë në Kosovë, siç qe së fundmi edhe atentati ndaj Oliver Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut më 16 janar të 2018, të cilin, idiotët e propagandës vuçiniane, pa sukses, deshën t’iu a mveshnin shqiptarëve!
Për shtimin e dukshëm të ndikimit rus në Ballkan, tashmë jo vetëm nuk duhet heshtur, por duhet ngritur zëri në kupë të qiellit dhe dhënë alarmi. Kështu u vërtetua katërçipërisht roli i Rusisë dhe agjentëve të saj në organizimin e Grushtit të Shtetit të dështuar në Mal të Zi, përzierja përsëri e rusëve në ngjarjet e rënda në Kuvendin e Maqedonisë, ku u gjakosën deputetë, përfshi dhe kryeministrin aktual Zoran Zaev, dhe shpëtoi nga vdekja pas rrahjes barbare deputeti e kryebashkiaku shqiptar i Strugës, Zijaudin Sela. Ndërhyrje ruse ka pasur e ka edhe në Bosnje – Hercegovinë, por më intensive e më e rrezikshme ajo është bërë pas ngritjes së një baze spiunazhi rus, pranë aeroportit të Nishit, Autostradës së Koridorit 10 dhe ngjitur me ambientet e Naftna Industrija Serbije (aksionere kryesore e Gazpromit rus), maskuar pas emrit të bukur Qendra Humanitare Ruso-Serbe?!!! Qëllimi kryesor i saj është përgjimi i KFOR-it dhe bazës amerikane të Bondstill-it. BE i kërkoi Serbisë mbylljen e bazës, por ajo, jo vetëm se mbylli atë, përkundrazi, ajo po bëhet gati të lejojë edhe hapjen e një baze të dytë, kësaj here në Ecka të Vojvodinës, për të monitoruar nga afër veprimet e dy vendeve të NATO-s, Hungarisë dhe Rumanisë. Së fundi për nga radha, por jo edhe për nga rëndësia, është rritja e ndikimit rus në Shqipëri, nëpërmjet shtimit të bizneseve ruse, numrit të turistëve, blerjeve të trojeve në bregdet dhe riaktivizimit të agjenturës së tyre të vjetër apo bijve të tyre, pjesë e krahut nostalgjik filosovjetik stalinist të së majtës shqiptare, i cili duket që është ende i fortë, ashtu si dhe e ka përcaktuar kohë më pare, gjeniu i kombit, Ismail Kadare!
Por ajo që ka ndodhur këto javët e fundit me Presidentin Thaçi, jo vetëm ka befasuar, por edhe ka tronditur gjithë opinionin publik të kombit. Si një rrufe në qiell të hapur, ra, deklarata e parë e tij, se në negociatat me Vuçiçin, është hedhur edhe opsioni i ndarjes së Kosovës dhe se kjo me kushtin, gjoja të pranimit nga Serbia, të asaj që ka mbi dhjetë vite që është bërë fakt i kryer, Pavarësia e Kosovës. Reagimi ishte i tillë, kuptohet, ashtu si edhe duhej e ashtu si edhe pritej, ndaj dhe Thaçi “korrigjoi” vetveten, teksa tha se e kanë keqkuptuar dhe se po bisedohet vetëm për korrigjim të kufijve, e jo për ndarje! As më pak e as më shumë kjo s’është gjë tjetër, veçse tradhti kombëtare, që ka lënë pa mend të madh e të vogël në trojet shqiptare e në diasporë. A ka Kushtetutë, parlament dhe qeveri shteti i Kosovës? Kush institucion ia jep të drejtën Thaçit, të bëjë pazare me serbët, për tregti me klering të trojeve shqiptare, të lara me gjakun e mijëra e mijëra të vrarëve. Si iu dhënka kaq lehtë Mitrovica e Isa Boletinit, Vuçiçit?! Natyrisht, kjo s’ka për të ndodhur kurrë dhe turpi e marrja do i mbulojë ata që tentuan ta bëjnë. I pari që ngriti zërin dhe doli haptas ndaj këtyre deklaratave të Thaçit, ishte doktor Berisha, por Thaçi, ky enverist i djeshëm, e “atdhetar” i thekur sot, i prekur në sedrën “patriotike”, nuk vonoi t’i përgjigjej z. Berisha, me gjuhën dhe akuzat e mikut të vjetër të tij, Fatos Klosit.
Ishte po ky Hashim, që gjatë dy mandateve të doktor Berishës si kryeministër, nuk la rast pa humbur, për t’iu drejtuar me superlativa atij, për vlerat dhe punët e mëdha që bëri. Hipokrizi, që na kujton Enverin me qëndrimet e njohura dyfytyrëshe të tij ndaj Titos, Hrushovit dhe Maos. Fundja në rininë e tij, edhe Thaçi e kishte idhull “Qoftëlargun”, paçka se ai e shiti herët Kosovën, duke mos folur pothuaj kurrë për të, gjatë më shumë se 30 viteve, ndërkohë që në famëkeqen “Zëri i Popullit”, çdo ditë kishim lajme për tributë e Afrikës, indigjenët e Amerikës, maorët e Australisë, apo eskimezët e Groenlandës. Kush ia ka lënë Thaçit këto 1000 km2, që kaq “bujarisht”, do t’ia japë Vuçiçit të Serbisë?! Çfarë e mban peng Thaçin, Gjykata Speciale, apo ajo e Hagës, që ne nuk do të donim ta besonim kurrë?! Në se po, le të paraqitet burrërisht e vullnetarisht si kryeministri Haradinaj, e të pastrohet nga akuzat tip Dik Marti, apo Karla Del Ponte. Po heshtjen e Ramës, si duhet ta kuptojnë shqiptarët? Apo ai dhe Vuçiçi nuk dinë gjë, se Hashimi e paska bërë me kokën e vet!? Burime të denja për t’u besuar, shkruajnë se kjo projekt-ide është e plakut Soros, dhe nuk duket aspak e çuditshme, apo një koincidencë që vetëm pak javë më parë, mysafir nderi i Ramës në super rezidencën luksoze verore të Enverit në Vlorë, ishte Soros Junior.
Mirëpo në “trekëndëshin ballkanik” të Bermudës që krijuan, Rama –Thaçi–Vuçiç, mund të mbyten të vetëm, pasi, askush nga të mëdhenjtë e Botës, nuk i përkrahu, madje u deklaruan rreptësishtë kundër saj, siç u deklaruan opozitarët në Kosovë e Shqipëri, të gjithë fqinjët pa përjashtim, madje dhe vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që u shpreh se korrigjimi i kufijve, bëhet vetëm me luftë!
Por le t’i kthehemi edhe njëherë Vuçiçit, këtij miku të Ramës, dje ministër ujk i dezinformimit me Sllobon e Shesheljin, e sot i konvertuar në qengj presidencial i serbëve. Si duhet ta ketë informuar botën ky ministër, kur ushtarët e Armatës, policët, paramilitarët e Zhelko Raznatoviç Arkanit, mercenarët rusë etj., kryen tetë masakrat e mëdha në Kosovë: e Prekazit (ku u masakruan 56 Jasharajt, me legjendën Adem Jashari në krye), e Reçakut(me 45 të masakruar, kjo e denoncuar botërisht nga ambasadori amerikan i OSBE, William Walker), e Izbicës, e Rezallës, e Dubravës, e Krushës së Madhe (Rahovec), e Rugovës së Hasit dhe e Studimes (Vushtrri). Dhe ja pasojat e krimeve serbe në Kosovë: 11.843 të vrarë (1.392 fëmijë dhe 1.739 femra). Dëshmorë 2.261(68 nga Shqipëria). Ende të pa gjetur 1.450. U dhunuan 20.400 femra. U shkatërruan 188.000 ndërtesa (shtëpi, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore, qendra kulturore, biblioteka, xhami, kisha katolike etj.) dhe u deportuan me dhunë 792.000 (mbi 500.000 në Shqipëri, ku ne dhamë një shembull të paprecedent; madje për Guiness, të mikpritjes vëllazërore)
Në se llogarisim edhe masakrat e krimet e tmerrshme serbe në Kroaci, e Bosnnjë-Hercegovinë, si ato të Vukovarit apo Srebrenicës, na duhet të themi se mes khmerëve të kuq në Kamboxhian e Pol Pot-it, Jeng Sarit, Khieu Samphanit etj, miq të diktatorit tonë Enver Hoxha dhe serbëve të Milosheviçit, Karaxhiçit, Mlladiçit, Sheshejlit, Vuçiçit, Daçiçit, Arkanit etj, ka pak, për të mos thënë aspak ndryshim. Tani Rama, le ta quajë përsëri mik Vuçiçin dhe Thaçi, në e lëntë kush, le të tentojë të bëjë pazare të pista e antikombëtare me të, Vuçiçi, nga ana e tij, mendon se është Stalini i 1939-1940-ës, i cili propozonte provokueshëm shkëmbim territoresh me Finlandën, pas refuzimit të së cilës, e sulmoi brutalisht atë, por aty la kockat e 132.000 ushtarëve agresorë rusë. Presidentin serb, mund ta frymëzojnë edhe deklaratat e pak ditëve më parë të Shefit partiak të djeshëm, famëkeqit Sheshelj (të cilit Haga ia ka “ndaluar” të merret me politikë), se serbët, mund të mbërrijnë me luftë deri edhe në Durrës! Nëse, ende nuk janë mbushur me mend, pas turpërimit shembullor nga luftëtarët shqiptarë dhe bombardimet e NATO-s, le ta provojnë përsëri, madje, vetë ata të parët, si trima të mëdhenj që qenkan, le të lidhen me zinxhirë si mburoja njerëzore në urën e rindërtuar në Beograd, e t’iu a venë gjoksin Tomahoukëve e Kruizëve amerikanë!
(Historian, analist, ambasador dhe diplomat i karrierës)
shoku taku gjysma e shkrimit eshte e sakte po kur thua qe berisha e basha qenkan patriote ketu e dhjeve
I tere shkrimi eshte nje lajthitje dhe gjynah qe paske gjithe keta tituj.Kur dikush te vjen ne shtepi o zoti ambasalesh edhe me kanun edhe me moralin shoqeror quhet “mik”, edhe hasem ta kesh.
Imagjinoni n.q.s sikur Kim Jong te kishte qene shqiptar ç’far do te thuej pas takimit me Trapin apo ç’far thuhet per takimet Trap-Putane.
Politika eshte kurve,diplomacia eshte prostitute