Në bisedimet e tanishme për kodin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, Partia Demokratike duhet të kërkojë me forcë, si kusht të panegociushëm, lejimin e aleancave parazgjedhore dhe të listave të hapura 100 përqind.
Ky është mendimi im personal. Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama shkeli Marrëveshjen e 5 qershorit të vitit 2020, të lidhur në selinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, të negociuar për pesë muaj rradhazi me nismën e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian. Marrëveshja me 12 pika e 5 qershorit 2020 përcaktonte se çdo çështje për reformën zgjedhore duhej të kalonte nga tryeza e Këshillit Politik.
I. Si Kodi Zgjedhor i Rames dëmtoi dhe ndrydhi energjinë e opozitës më 25 prill 2021
Më 21 korrik 2020, Rama kreu ndryshimet ne Kodin Zgjedhor, duke shkelur në mënyrë të pacipë Marrëveshjen e 5 qershorit. Me këto ndryshime, Rama shmangu Këshillin Politik të ngritur nga Marrëveshja dhe vendosi a priori që të pengoheshin koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura 100 përqind në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.
Rama e realizoi këtë, në hundën e ndërkombëtarëve, pa pyetur opozitën dhe pa marrë dakordësinë e saj, sikurse kërkonte Pika 10 e Marrëveshjes. E grisi Marrëveshjen , duke mashtruar faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë shqiptarët, të cilëve u përbetohej se ishte për koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura plotësisht.
Kjo situatë nuk duhet dhe nuk ka pse të përsëritet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Koalicionet parazgjedhore zgjerojnë dhe energjizojnë bazën e opozitës, si dhe fuqizojnë tek qytetarët thirrjet e saj për ndryshim. Hyrja në garën zgjedhore me koalicione të tilla është një e drejtë e natyrshme e forcave politike pjesëmarrëse në garë në një vend demokratik.
Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor më 21 korrik 2020, Rama jo vetëm që shkeli 10 nga 12 pikat e Marrëveshjes së 5 qershorit 2020, por i mohoi opozitës marrëveshjet politike përpara garës, koalicionet parazgjedhore. Pa ndryshimet e Kodit Zgjedhor, pa këtë mashtrim ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të vendit nga ana e Ramës, opozita e bashkuar me siguri do t’i kishte fituar zgjedhjet e 25 prillit 2021.
II. Domosdoshmëria e listave 100 përqind të hapura për demokracinë zgjedhore në vend
Sistemi zgjedhor aktual proporcional rajonal me lista të mbyllura, në të cilat, shqiptarët zgjedhin një parti, ndërsa partia zgjedh deputetët që do të dërgohen në Kuvend, u vendos 16 vite më parë me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, me argumentet se sistemi krijon stabilitet në qeverisjen e vendit dhe heq mundësinë e përfshirjes në garat elektorale të personave që kanë probleme me drejtësinë.
Në të vërtetë, të dy këto argumente u rrëzuan nga historia e këtyre 16 viteve të qeverisjes së vendit nga sistemi i listave të mbyllura. Në vitin 2016, u detyruam të miratojmë ligjin Për Dekriminalizimin, pikërisht për shkak të numrit të stërmadh të personave me precedentë të penalë që hynë në Parlamentin e vitit 2013, përmes listave të mbyllura, kryesisht në ato të Partisë Socialiste.
Listat e mbyllura nuk krijuan as stabilitet në qeverisje. Ministrat u ndryshuan në vazhdimësi dhe qeveritë, sidomos ato socialiste, u përfshine nga skandale të njëpasnjëshme
Por problemi më i madh që kemi si qytetarë dhe që ka edhe Partia Demokratike me listat e mbyllura, është që Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që në një sistem demokratik duhet të kontrollojë qeverisjen, u shndërrua në një institucion të dobët dhe noter i rëndomtë i kryetarit të partisë në qeveri.
Humbi roli dhe pesha e anëtarit të partisë apo e grupeve të interesit brenda bazës së partisë, në vendimmarrjen se kush do të dërgohet si përfaqësues në Parlament e kush jo.
Sigurisht që është vështirë që vendi të kalojë në një sistem demokratik zgjedhor, pas autokracisë së kryetarëve të partive në 16 vitet e fundit. Partia Demokratike duhet të marrë kurajon dhe përgjegjësinë që të kërkojë si kusht të panegociushëm hapjen 100 përqind të listave të kandidatëve për deputet.
Sigurisht që kjo ka kosto edhe për ne deputetët aktuale të saj, por është gjëja më e mirë për t’u bërë, për vetë Partinë Demokratike dhe vendin.
PD nuk duhet të bjerë në kurthin e teknikaliteteve të PS-së me herës dhe pa herës, apo të propozimeve të saj për lista të hapura pjesërisht.
III. PD nuk është kënetë, për të pranuar kode zgjedhore që ndrydhin opozitën!
Argumenti i PS-së për lista zgjedhore pjesërisht të hapura, gjoja për të pasur kuota gjinore dhe për të mbështetur praninë e deputeteve në Parlament nuk qëndron. Shembull per kete është Kosova, e cila ka një sistem zgjedhor me lista 100 perqind të hapura dhe gjithashtu me kuota gjinore.
Në bisedimet për Kodin Zgjedhor, Partia Demokratike nuk duhet të lejojë kurrsesi përsëritjen e operacionit të stilit mafioz të Ramës, si më 21 korrik 2020.
Listat e hapura 100 përqind nënkuptojnë zhvillimin e primareve në parti dhe lëvizja rigjeneruese e Rithemelimit na sjell një shembull të çmuar të forcës mobilizuese dhe besuese në ndryshim, që kanë primaret.
Përjashtimi i Prof. Dr. Sali Berishes ishte një goditje e pistë e katërshes Rama-McGonigal-Soros-Basha. Na u deshën tre vjet që ta kuptojmë plotësisht këtë realitet. Ne si demokratë nuk mundemi të pranojmë të mos çlirojmë plotësisht energjitë opozitare për ndryshim, të mos bashkojmë shumicën e shqiptarëve rreth kauzës për ndryshim, pas 12 vitesh qeverisjeje të papërgjegjshme dhe skandaloze të sektit Rama,
Partia opozitare nuk mund të jetë një kënetë, ku nuk lëviz gjë në garën për fitore. Pa koalicione parazgjedhore, për të energjizuar shpresën për ndryshim, si dhe pa listat hapura 100 përqind të kandidatëve, ku mbështetësit e opozitës së bashkuar të shikojnë me sytë e tyre dhe të binden për kandidatët e ndryshimit, do ta kemi shumë të vështirë, në mos edhe të pamundur, për të fituar dhe arritur ndryshimin.