Në ambjentet e Hotel “Tirana Internacional”, në prani të dhjetra të pranishmëve, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, profesorë, gazetarë, diplomatë dhe veprimtarë kombëtarë, u promovua të mërkurën, më 21 shkurt, libri i ri i Prof. Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, botim i mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili ishte dhe organizator i këtij takimi.
Për vlerat dhe rëndësinë e librit kumtuan opinionet e tyre kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, Prof. As.Enis Sulstarova, Prof. As. Dr. Hasan Bello dhe studiuesi e publicisti i njohur Çerçiz Loloçi.
Siç pohoi diplomati dhe studiuesi i mirënjohur Shaban Murati, Mjeshër i Madh në Diplomaci, ky libër është fryt i një përvoje 55 vjeçare. Si ekspert i çështjeve ballkanike , i cili është marrë mbi gjysmë shekulli me problematikat korrente rajonale të gadishullit dhe më gjerë, Prof. Shaban Murati shpjegoi nevojën dhe kushtet e kompozimit të një gjeopolitike shqiptare. Prof. Murati tha se nuk mund të ndërtojmë aleanca në mënyrë folklorike, ndaj duhet të përcaktojmë qartë se cilët janë aleatët tanë strategjikë. Nuk mund të bëjmë “Traktate Miqësie” me shtete që nuk njohin Kosovën, tha diplomati i njohur. Përpara se të ndërtojmë aleanca është i domosdoshëm kullimi i çdo emocioni politik, si dhe shmangia e çdo ndërhyrjeje të huaj në diplomacinë tonë. Duhet të eliminojmë paragjykimet që kemi ndaj shteteve të caktuara. Ne shqiptarët në përgjithësi jemi emotivë, por diplomacia duhet t’i shohë gjërat shumë ftohtë dhe me racionalitet, tha më tej ambasadori. Diplomacia duhet të shoh me kujdes vorbullat që thithin interesat e gjera të shtetit, jo interesat momentale të forcave politike. Qeveritë përgjithësisht bëjnë një politikë koniunkturale absurde. Ndaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm në përcaktimin e aleatëve tanë në Ballkan, duhet të ndërtojmë një aleancë strategjike që të mbështetet në themele kombëtare dhe të përshtatet me kohërat që do vijnë, jo të bëjmë aleatë strategjikë kë të na dalë përpara, ishte apeli i ambasadorit Murati.
Duke sjellë në vëmendje të auditorit konstatimin e prof. Shaban Muratit se “Serbia dhe Greqia janë të detyruar ta llogarisin rrethanën e aleancës strategjike të kombit shqiptar me Turqinë, pasi ky është një avantazh gjeopolitik për Shqipërinë, për Kosovën dhe për kombin shqiptar”, Drejtuesi i Fondacionit Çamëria, z. Alket Veliu, tha: ”Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” mbështet këtë mendim të ambasadorit dhe vlerëson se aleanca të tilla shumëdimensionale janë në interesin tonë të përbashkët, përderisa nuk është fjala për të lëshuar ndonjë parcelë të sovranitetit. Ne mendojmë se arsyeja e kësaj aleance strategjike duhet kërkuar në faktorët historikë e shoqërorë, të vjetër e të rinj. Nuk është rastësi që trashëgimia jonë kombëtare u ngjiz në Stamboll, ku mori hov gjenia e dishepujve dhe filozofëve të shquar iluministë, prijësve të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të Pavarësisë, si Hasan Tahsini, Abdyl e Sami Frashëri, Abedin Pashë Dino, Rasih Dino e shumë të tjerë, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë kombëtare turke”.
“Padyshim që ne kemi nevojë për miqësinë e një shteti të madh e të fuqishëm si Turqia, për shumë arsye, dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia fshehim vetvetes”, tha më vijim zoti Veliu. Për sa kohë kombi shqiptar është i kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë e tij, për sa kohë që fqinjët e tij serbë e grekë i sillen si rivalë e kundërshtarë dhe manifestojnë nacionalizën ekstrem, aleanca me Turqinë është mjaft e rëndësishme, nga pikëpamja gjeopolitike dhe e sigurisë kombëtare. Kjo do të thotë mbrojtje e integritetit etnik kombëtar, pasi qëllimi i mbramë i fqinjëve tanë për asimilimin e shqiptarëve nuk do të ndryshojë kurrë gjatë shekujve. Këtë biletë fati na ka prerë historia.
Nuk duhet të harrojmë që Turqia, në shumë momente historike, ka qenë në krah të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Le të kujtojmë së fundi vitin 1997, kur qeveria turke, duke përdorur një notë diplomatike, ndaloi futjen e ushtrisë greke në territorin shqiptar, duke duke garantuar kështu kufijtë e Shqipërisë. Shqiptarët gjithmonë kanë dëshiruar që me fqinjët të jetojnë në paqe dhe qetësi, por fqinjët tanë serbo grekë nuk e kanë lënë dhe vazhdojnë të mos e lënë të qetë kombin shqiptar. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për të penguar zhvillimin ekonomik dhe demokratik të popullit shqiptar. I kemi parë ngjarjet e fundit në Kosovë dhe provokimet e rënda serbe. Shikoni ç’bëjnë grekët në jug të Shqipërisë për helenizimin e Himarës dhe gjithë jugut!
Çështja çame, për të cilën nga qeveritë shqiptare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë iniciativë, duhet të trajtohet pranë forumeve të larta ndërkombëtare dhe institucioneve themelore të të drejtave të njeriut, për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të plotë.
Turqia disponon mjaft dokumenta historike për Çamërinë. Në regjistrin kadastror të viteve 1690, të ruajtura në arkivin e Sulltanit në Stamboll, që sot quhet arkivi i Kryeministrisë, shihet qartë se popullsia e Çamërisë, emrat, mbiemrat, toponimet janë tërësisht shqiptare. Ndërsa në hartën e Turqisë evropiane, Strasburg 1828, Epiri shënohej “Shqipëri e poshtme”.
Në Turqi ne kemi shoqatën tonë “Çamëria”, që ka bërë mjaft në drejtim të sensibilizimit. Shoqata Patriotike Çamëria në Tiranë, që nga viti 1991 kur u krijua, ka pasur kontakte me drejtues të Ambasadës Turke në Tiranë, si dhe me përfaqësues të qeverisë turke dhe kabinete të ndryshme kryeministrore në Ankara, ku është prezantuar problemi çam. Në prill 2008 u publikua një Raport i plotë i Ministrisë së Jashtme të Turqisë mbi çamët, raport i mbushur me fakte dhe prova mbi autoktoninë shqiptare të Çamërisë, genocidin dhe spastrimin etnik. Që nga viti 2008 nuk kemi një deklaratë zyrtare, veç një kërkesë pranë Kongresit Amerikan, ku i kërkonte këtij të fundit të ndërhynte për zgjidhjen e çështjes çame.
Në mbyllje të fjalës së tij, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, falenderoi Profesor Shaban Muratin që “me vepra të tilla shumëdimensionale na vjen në ndihmë për të hequr paragjykimet, për të fshirë disa tabu, për të kuptuar se arsyeja është historike dhe diplomacia nuk bëhet pa kordinata dhe shenja dalluese”.
Libri i ri i Shaban Muratit përmban një mesazh shumë të qartë, tha prof. as. Enis Sulstarova. Etiketimi i Turqisë si rrezik për Ballkanin bie ndesh me aleancën strategjike të këtij shteti me Shqipërinë, aleancë që më shumë i sjell përfitime Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Disa mund të thonë që është qeveria e sotme e Turqisë ajo që po i largohet Perëndimit e vlerave perëndimore dhe që po kërkon të ndërtojë një pol të vetin gjeopolitik që ushtron forcën e vet tërheqëse në Ballkan, Kaukaz e Lindjen e Mesme. Edhe sikur ky pohim të jetë kështu, mjafton të lexohet artikulli që hap librin e ambasadorit për të kuptuar se aleanca strategjike midis dy shteteve nuk lidhet me format e regjimeve politike, dhe as me emrat e përveçëm që drejtojnë përkohësisht shtetet. Aleancat strategjike nuk mund të shihen nga kënvështrimi i përplasjeve të brendshme politike dhe as nga oshilacionet e marrëdhënieve të njërit apo tjetrit shtet me palë të treta. Aleancat strategjike lidhen për të përballuar më mirë rreziqet ndaj ekzistencës së kombit dhe pavarësisë së shtetit. Duke marrë parasysh stuhitë dhe trazirat e shek XX, duke parë sjelljen e disa shteteve ballkanike tani në shek.XXI, kuptohet qartë se përfituesit më të mëdhenj të aleancës strategjike Shqipëri-Turqi janë shqiptarët, por prej saj përfitojnë edhe ata faktorë që dëshirojnë paqen, sigurinë dhe perspektivën europiane për Ballkanin.
Mësimi i parë , që del nga dija dhe përvoja personale që autori ka ndarë me ne, është se vijon të zbatohet strategjia e qartë e qendrave antishqiptare rajonale për t’i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe mundësisht këtë ta bëjnë vetë shqiptarët.
Kjo është një linjë e nisur kohë më parë, që nga hedhja e parullës “Ballkani i ballkanasve”, që nga politika e gabuar e udhëheqjes komuniste të Shqipërisë që izoloi vendin, që nga zotimi se Shqipëria do të gjendej në krah të Jugosllavisë në rast sulmi nga sovjetikët, që nga mënyra se si parulla “dy popuj miq” u shndërrua më vonë në “Rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina”, e deri te etiketimi i Turqisë si “rrezik për Ballkanin Perëndimor”. Rreziqet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve vijnë pike së pari nga shtete ballkanike. Sot barometri shqiptar për të matur trysninë politike të shteteve ballkanike ndaj shqiptarëve është Kosova. Kush nuk e njeh Kosovën dhe në diplomaci vepron për pengimin e njohjeve ndërkombëtare të saj nuk mund të jetë shtet mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Në situata të tilla aleanca me Turqinë ballkanike dhe me shtete të tjera jashtëballkanike është frymëmarrje për kombin shqiptar.
Mësimi i dytë është se anëtarësia në BE e NATO nuk i pengon shtetet anëtare që të ndjekin interesat e veta, e madje të veprojnë në kundërshtim me rregullat dhe frymën kolektive. Shembulli më i dalluar, që sjell ambasadori Murati, është sërish Greqia, e cila ka lidhur një sërë marrëveshjesh me Qipron, Egjiptin dhe forcat rebele në Turqi, që janë marrëveshje të drejtuara kundër interesave të Turqisë në Mesdheun Lindor. Në vitin 2021 Greqia ka nënshkruar pakt ushtarak me Francën, sipas të cilit parashikohet ndihmë e menjëhershme ushtarake në rast se ndodh një sulm nga një shtet i tretë, edhe në qoftë ky aleat i NATO-s. Shqipëria, si shtet kandidat, duhet të harmonizojë politikën e jashtme të saj me politikën e jashtme të BE, por pa rrezikuar aleancën me Turqinë.
Turqia nuk kërkon rithemelimin e Perandorisë Osmane, por gjithnjë ka qenë dhë është për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Janë shtete të tjera ballkanike ato që kanë penguar në fakt dhe pengojnë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE të fqinjëve të tyre, sic ka vepruar Greqia dhe Bullgaria në raport me Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu mund të themi se ne shqiptarët duhet ta shfrytëzojmë lidhjen fetare për të forcuar aleancën strategjike me Turqinë, padyshim duke ruajtur laicitetin në sferën publike dhe duke mos hequr dorë nga synimi për integrimin në strukturat euro – atlantike. Aleanca strategjike më Turqinë duhet mirëmbajtur dhe forcuar, për hir të sigurisë së paqes në rajonin ende të ndezur të Ballkanit perëndimor. Prandaj ky libër i ambasador Muratit duhet të bëhet pjesë e bibliotekës së punës së diplomatëve, politikëbërësve, analistëve të politikës, gazetarëve e publikut të interesuar shqiptar, përmbylli fjalën e tij prof. Sulstarova.
Prof.as. Dr. Hasan Bello, e cilësoi Ambasador Shaban Muratin “një personalitet i njohur jo vetëm për karrierën e gjatë dhe detyrat shtetërore, por edhe për kontributin si analist i zhvillimeve ndërkombëtare në shtypin shqiptar dhe, veçanërisht për trajtimin e tyre nga këndvështrimi i interesave tona kombëtare.
Për dekada me radhë ai ka qenë dhe mbetet një zë eminent i diplomacisë shqiptare. Ajo që bën diferencën mes tij dhe diplomatëve të tjerë që kanë shërbyer në MPJ dhe trupin tonë diplomatik është se ai ka disa cilësi, si: profesionalizmi, integriteti nga partitë politike, duke vendosur në radhë të parë interesat shtetërore dhe ato kombëtare e mbi të gjitha, ai është autorë i disa librave me analiza, refleksione dhe prognoza diplomatike”, tha Hasan Bello, duke vijuar më tej:
“Një nga këta libra është edhe “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, i cili është fokusuar posaçërisht në kontekstin rajonal të marrëdhënieve dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Për mua si historian i cili ka studiuar marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën e pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në vitet 20-30-të, por edhe pas vitit 1944, në këtë libër ka mjaft informacione, të cilat plotësojnë mozaikun e raporteve mes dy vendeve. Prandaj parë nga ky këndvështrim, libri në fjalë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen do të jetë një burim referencial për të kuptuar dhe shkruar mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke. Kjo edhe për një arsye tjetër, sepse analizat e bëra në këtë libër janë shkruar në kohë reale, duke përcjellë te lexuesi kontekstin politik, diplomatik, ekonomik, apo gjendjen psikologjike dhe emocionale. Të gjitha këto karakteristika që përmendëm më sipër, ne si historianë e kemi të vështirë t`i perceptojmë nga gjuha e ftohtë e dokumenteve arkivore. Në këtë aspekt, libri do t`i shërbejë historianëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatëve, analistëve të shtypit dhe MPJ si një manual për të kuptuar trajektoren e marrëdhënieve Shqipëri-Turqi; interesat e përbashkëta; intereferimin e palëve të treta në raportet mes dy vendeve etj.
Për nëpunësit e MPJ dhe politikanët shqiptarë që përpunojnë dhe drejtojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar, në librin e Ambasador Shaban Muratit ka shumë definicione, të cilat duhet të merren në konsideratë. Kjo për shkak se shteti dhe politika e jashtme ka dhe duhet të ketë 1) kontunitet dhe, 2) koherencë. Në fakt këto janë dhe dy pikat më të dobëta të rrugëtimit të shtetit dhe kombit shqiptar që nga viti 1912.
Duke u nisur nga këto premisa autori ka theksuar në formë postulati se “Karakteri dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhet me format e regjimeve politike në një periudhë të caktuar në të dyja vendet dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Eshtë një konstruksion i politikës së jashtme dhe marrëdhënie e interesit strategjik afatgjatë, pavarësisht kontributit që jep njëri apo tjetri personalitet në periudha të caktuara historike në dobi të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe”.
Autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme ka nënvizuar se aleancat strategjike dhe raportet mes shtetit shqiptar me shtetet e tjera nuk janë dhe nuk duhen ndërtuar mbi bazën e raporteve personale të drejtuesve të përkohshëm. Për fatin tonë të keq, ka ndodhur e kundërta. Kjo bën edhe diferencën e lidershipit tonë politik me homologët e tyre në shtetet fqinjë. Mungesa e koherencës në politikën tonë të jashtme ka qenë disa herë objekt i analizave të Ambasador Shaban Muratit.
Sipas autorit, Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. Edhe personalisht mendoj të njëjtën gjë, kur shikoj se skemat dhe boshtet diplomatike në Ballkan nuk kanë ndryshuar për më tepër se një shekull. Për mendimin tim ka momente në të shkuarën që shtetet fqinjë janë treguar më të suksesshme për ta inkuadruar Turqinë në planet e tyre politiko-diplomatike, që nëse do të realizoheshin do ta vinin në pikëpyetje ekzistencën e kombit shqiptar.
Për të gjitha këto arsye që u përmendën përciptazi libri i Ambasador Shaban Muratit meriton të bëhet pjesë e bibliotekave të çdo lexuesi e studiuesi që kërkon të dijë më tepër për busullën e diplomacisë dhe mbi të gjitha për interesat diplomatike të shtetit shqiptar.
Me shumë vëmendje u përcoll edhe opinioni i publicistit dhe shkrimtarit Çerçiz Loloçi, i cili ndër të tjera tha: Libri i radhës i Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” plotëson sagën diplomatike të Ballkanit, me një sërë botimesh të mëparshme për të gjitha vendet e gadishullit tonë, që pavarësisht hapave të hedhura integruese në tri dekadat e fundit, një pjesë e tij, megjithëse me përkatësi europiane, mbetet jashtë kësaj familje kontinentale.
Për shkak të profesionit dhe të editimit të një portali, nga autorë të tjerë të zëshëm nga Ballkani, kam parë libra të veçuar për një apo dy shtete, por ende nuk kam gjetur një autor që të fokusojë të gjitha vendet, me epërsitë dhe boshllëqet e tyre, siç ngjet me diplomatin tonë që vlerësohet herë si patriark i diplomacisë dhe herë tjetër si një institucion akademik i pavarur, që ndjek dhe analizon ftohtësisht zhvillimet, aktet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet dhe që ka një zë origjinal brenda dhe jashtë vendit.
Pavarësisht keqkuptimeve, mërive, mospajtimeve, protagonizmit të tepruar dhe shpesh të lajthitur të politikanëve në të gjitha viset e natyrshme, është fakt i pakontestueshëm që shqiptarët përbëjnë kombin më të rëndësishëm në Ballkan, me kontribute të hershme dhe të sotme në qytetërimin dhe vlerat perëndimore.
Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diku më shumë dhe diku më pak, me përkatësi shqiptare, janë gjithashtu anëtarë të Aleancës Euroatlantike, që shteti më i ri i Europës ka partneritet me SHBA, flet për një përfaqësim gjithnjë në rritje të faktorit shqiptar në planin ndërkombëtar.
Natyrisht SHBA, Bashkimi Europian, Anglia, Gjermania dhe Italia janë partnerët më të rëndësishëm për viset tona, por përveç tyre, sipas analistit të vëmendshëm Murati, një rëndësi të veçantë për interesat tona marrin edhe raportet me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Turqinë.
Pikërisht në këtë botim të fundit, me mbi tridhjetë e shtatë analiza, të publikuar në kohë të ndryshme, autori tërheq vëmendjen për ridimensionim marrëdhëniesh me shtetin më të madh të Ballkanit, me Turqinë, pa pretendime territoriale, me lidhjet të hershme dhe të reja, me prani të hershme në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me një kujdes të posaçëm kur kërcënohet integriteti tokësor.