(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e I)
Në korrik të këtij viti ndjehesha i dobët e shumë i merzitur. Kisha hyrë në të 80-at, kisha hartuar e botuar qindra artikuj studimorë, dhjetë libra me studime dy prej të cilë monografi pesëqindfaqshe, njëra kushtuar jetës e veprës së Heroit të Popullit Mihal Grameno dhe tjetra jetës e veprës së përhapësit të shquar të Krishtërimit – Shën Palit. Për to kishin dhënë vlerësime pozitive studiues të kualifikuar shqiptarë e amerikanë, por jo institucionet përkate të atdheut.
Bashkeshortja ime, Julia, bashkë me vajzën Ani dhe djalin Ergon, më sugjeruan duke më ndihmuar e financiarisht, që të bëja një vizitë të gjatë në Shqipëri. Kështu munda të vizitoja shumë qytete e fshatra rreth e rrotull atdheut. Pashë me vëmendje rrugët, ndërtesat, lokalet moderne, njerzit që dukeshin të ushqyer e veshur mirë. Shumë hotele e restorante lluksozë, vila e shtepi komode, objekte tregetie dhe industriale, plantacione me fruta, toka te mbjella, kope me dhën, dhi e lopë, koshere bletësh me shumicë, pyje të rigjeneruar, turistë të shumtë në bregdet e nëpër qytete e fshatra të ndryshëm…
Me një fjalë pashë dhe shijova realitetin konkret të Shqipërisë së Re, që ka lulëzuar pas virit 1992, kohë kur atdheu ynë është në aleancë me boten Perendimore Euro-Atlantike.
Duket qartë se gjatë 45 vjetëve që kaloi Shqipëria në aleancë me Botën Lindore Socialiste, populli punoi rëndë, por ecja ishte e ngadalshme, me shumë mundime e sakrifica, nën frikën e terrorit të partisë-shtet, e cila ndiqte parimin që i dha krijuesi i saj Miladin Popovici: “Partia duhet të luftojë armiqtë dhe kur nuk ka të tillë, t’i krijojë ata“.
Në këto 30 vjet Shqipëria, duke qenë në aleancë me ShBA-të dhe BE-në ka bërë transformime, të cilët mund t’i bënte jo më shpejt se në 300 vjet, po të vijonte nën drejtimin e partisë-shtet. Këtë ndryshim kolosal e pranojnë edhe ish-komunistët, por këta ia njohin si meritë Partisë Socialiste dhe jo aleancës me ShB-të e BE-në dhe nuk pushojnë se ankuari, se sistemi demokratik ka krime, korrupsion dhe fukarallek. Nuk duan t’ua kujtosh krimet dhe fukarallëkun e mbarë popullit të kohës kur ata ishin në pushtet. Nuk duan të kuptojnë se në botën Perëndimore ku sundon demokracia dhe shteti ligjor ka korrupsion, por ky korrupsion ka kapur disa individë, por jo sistemin, kurse në Shqipëri ku sundojnë pasardhësit e klanit komunist, korrupsioni ka kapur gjithë klasën sunduese, e cila do të mënjanohet pasi të vendoset ligji.
NË RESPEKT TË MËSUESIT SADIK LEKA DHE POETIT HAVZI NELA.
Kur jetoja në qytezën Lancaster MA isha njohur me dy të rinj kuksianë të zgjuar e punëtorë, Albert e Besim Leka. Të dy bashkë me nuset e tyre Eliamonda dhe Laureta na prisnin e na respektonin mua dhe Julian si prindërit e tyre. Kjo miqësi u forcua edhe më pasi erdhën edhe prindërit e tyre, Sadiku e Baftia dhe vëllezërit e tjerë Albani, Adriatiku e Klodi. Luanim shah, bilardo, shëtisnim bashkë, laheshim te pishina, bisedonim për të kaluarën në atdhe, etj. Te Sadiku dhe Barfia dhe djemtë e tyre njoha tipin model të malësorëve shqiptarë që dalloheshin për virtute, për edukatën tradicionale, që nuk ta jep shkolla por jeta. Të gjithë ishin të pashëm, të shëndetshëm, njëri më të mirë se tjetri. Mirëpo vitin e kaluar Sadikut iu përshpejtua pleqëria dhe brenda disa muajve u largua nga jeta. Bashkëshortja dhe djemtë e tij shkuan dhe e varrosën në fshatin e lindjes pranë nënës e vëllait të vet, si ua kishte lënë ai amanet.
Sivjet, zonja Baftie, Alberti e Besimi me nuset dhe Albani kishin vendosur të shkonin përsëri në Shqipëri për të përkujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të babait të tyre të dashur. Ky vendim më nxiti që ta shfrytëzoja rastin për të shprehur respektin tim për mikun e mirë, mësuesin e nderuar Sadik Leka. Të këtij mendimi kishin qenë edhe motra e Bafties, z-nja Mereme me bashkëshortin z. Bardhi Gjinollari dhe motra e Lauretës, z-nja Diona me bashkëshortin z. Lumtor Vrapi.
Më 25 korrik u bashkuam të gjithë në fshatin Qinamakë të Kuksit, mbi cepin jugor të Liqenit të Kuksit. Aty kishin shkuar dhe dy vajzat e të ndjerit, mjekja Violeta Hoxha dhe infermjerja Aferdita Sinaj.
Varrezat e bukura të fshatit ishin vendosur midis pemëve në një faqe kodre të pyllëzuar. Pas fjalëve ngushëlluese dhe fotove të rastit, pjesëtarët u drejtuan te klubi i fshatit, ish-shkolla e dikurshme, ku i ndjeri kishte sherbyer si mesues e drejtor. Për respekt të babës, Albani dha kafe, raki e duhan për ne dhe të gjithë bashkëfshatarët që u ndodhën aty. Kurse dreka ceremoniale me mbi 150 pjesëmarrës u dha në një lokal të ri madhështor në qytetin e Kuksit. Një hotel-restorant i tillë nuk gjendet në Clinton MA, ku janë vendosur familjet Leka, ndoshta as në Worcester MA, ku jetoj unë, sepse amerikanët I japin më shumë rëndësi funksionit sesa paraqitjes.
Pasi Hoxha bëri lutjen e rastit, pjesëtarët nëpër tavolina filluan të tregonin episode nga jeta e puna e mesuesit Sadik Leka në fshatin e tij, e sidomos në Suroj, ku ishte drejtor i gjimnazit. Në atë kohë në Surroj kishte pasur tri shkolla të mesme: një gjimnaz të përgjithshëm, një gjimnaz nate dhe një gjimnaz profersional bujqësor. Sot ai fshat ështe braktisur, aty jetojne vetem dy a tri familje, kurse në Qinamakë jetojnë rreth 50 familje, të shpërndara në disa mëhallë, që shtrihen në një sipërfaqe te madhe. Ky fshat me pyje e toka të shumta që shtrihet nga maja e malit e deri poshtë te Liqeni, ka mundësi të zhvillojë blegtorinë dhe të industrializojë ujrat e pishme malore, që burojnë në disa vende.
Vellezërit Leka kanë toka afer bregut të liqenit dhe mendoj se pasi të përfundojë rruga Kukës- Bicaj-Skavicë dhe të jetë vënë në funksion aeroporti i ri që po ndërtohet në anën lindore të liqenit, kanë për të ndërtuar aty një vilë verimi. E ardhmja e ketij fshati dhe e krejt anëve të Liqenit të Kuksit është e lidhur me ndërtimin e hidrocentralit te Skavicës në rrethin e Dibrës, sepse liqeni i ri që do të krijohet aty do të sistemojë e disiplinojë nivelin e ujit të liqenit…
Mbas drekës Z. Abdulla Domi, kryetar i Qarkut të Kuksit, fis i z-njës Baftie Domi, u dha kafet e lamtumirës familjarëve të të ndjerit, mikut të tij Sadik dhe neve që kishim shkuar nga larg. Në orën 4:30 PM u nisëm për Tiranë plot emocione pozitive. Gjatë rrugës mendoja për faktin se sa mirë i respektoi familja e madhe Leka traditat shqiptare lidhur me respektimin që I bëhet të vdekurit. Mundimi dhe shpenzimet nuk merren parasysh, mjafton që respekti të kryhet si e meriton Ai.
I paharuar qoftë kujtimi i babait, mësuesit e mikut të urtë Sadik LEKA!
TE FALEM HAVZI NELA, TY O POET MARTIR.
Gjatë shëtitjes në qytetin e Kuksit ndalova tek busti i poetit martir, guximtarit të rallë Havzi Nela (1934-1988), vendosur para shkollës që mabnte emrin e Tij. Në basoreljev ishin gdhendur katër rreshta nga një poezi e tij:
Thoni dritë ai kërkoi
E vetë dritë nuk pa me sy.
Thoni për njerëzinë këndoi
E për vete nuk jetoi!
Gjatë bisedave miku im Sadik Leka më kishte treguar se më datën 9 gusht të vitit 1988 ishin lajmëruar punonjësit e mësusit e rrethit të Kuksit të ndodheshin të nesërmen më 10 gusht në ora 10 AM para sheshit të qytetit për të parë ekzekutimin e tradhëtarit Havzi Nela. Por kur populli shkoi në ora 10 AM e gjeti të varrur kufomën e mësuesit dhe poetit rebel. Pushteti kishte frikë ta ekzekutonte para popullit këtë viktimë të tij, prandaj kishte porositur që akti të kryhej që në ora 2:00 e natës dhe kur të vinte populli të këputej litari e kufoma të tërrhiqej zvarrë lidhur pas një kamioni e pasi të vëtitej rreth qytetit për të ngjallur tmerr e frikë, të hidhej tek fusha e druve ku të mbulohej me plehra…
Me vrasje e varrje kishte filluar ai regjim, dhe ja një vit para rënies së murit të Berlinit, po kryente dënimin e tij të fundit, varrjen e një poeti disident…
Havzi Nela, busti yt në Kukës rezaton dritë si monumenti i Bajram Currit në Tropojë.