Albin Kurtit po i faturohet një krizë të cilën ai do ta zgjidhë –drejt ose gabim- duke e konsumuar në të gjithë shtrirjen e saj, por nuk e ka prodhuar vetë. Këmbëngulja e tij për të shkrirë konfliktin e ngrirë të veriut të Kosovës, disave iu duket trimëri e të tjerëve marrëzi.
Edhe trim edhe i marrë bashkë, Kurtit nuk po i njihet edhe një përmasë tjetër, mençuria për të prodhuar, si me trimërinë si me marrëzinë, një rezultat zhbllokues për vendin e tij.
Rrënjët e krizës janë thellë, por leja që në veri të Kosovës të krijohen enklava serbe, përkundër parimit kushtetues të vendit dhe monitorimit të rreptë ndërkombëtar të cilësive të një republike multietnike, i ka siguruar një fitil të ardhmes konfliktuale. Rrënjët më tej janë shtrirë në atë që, përgjatë viteve të fundit, mund të konsiderohet si një appeasment policy ndaj një Beogradi gjithnjë e më cinik, nga një Perëndim dygjuhësh kur vjen fjala te kërcënimi rus dhe variablat e tij ballkanike.
Në këtë kuptim përshtypja që lind kur vrojton raportin bizar të Perëndimit me Serbinë është jugonostalgjia. Serbia ka konturuar idiomën politike të një mini-Jugosllavie, mosangazhimi i hapur i së cilës me kundërshtarin mjafton që të trajtohet si aleate. Gjuha e konservatorëve amerikanë ‘either with us or against us” është futur në millin e cancel culture-it të ri majtist i cili kërkon ta shtyjë përpara botën dhe historinë me një të vetëm kusht: duke mos parë mbrapa!
Licensa për këtë të mes të artë ka riprodhuar një Serbi tekanjoze të cilën e udhëheq Aleksandër Vucic, ish-ministri i Slobodan Miloshevicit. Ai nuk është krejtësisht anti-perëndimor, siç as nuk është krejtësisht panrus, por çka është me siguri, tashmë dihet: një vjelës i vileve të pasigurisë perëndimore që, ashtu të shtrydhura, prodhojnë për Serbinë një raki që ngroh gjoksin e nacionalizmit permanent serb.
Ajo çka Albin Kurti bën gabim, nuk është kokëfortësia, por butësia, ngashnjimi para iluzionit të mbështetjes ndërkombëtare për futjen e Republikës së Kosovës në enklavat serbe në veri, në fillim me anë të soft power-it të zgjedhjeve, dhe më pas me hard power-in e forcës policore. Kryeministri Kurti ka gabuar kur e ka lënë veten politike të shtyhet nga një PO e ndërkombëtarëve, të cilët e kanë luksin që ta analizojnë një ngjarje pasi ka ndodhur. Ajo “Po” për zgjedhjet në disa komuna, ku morën pjesë rreth 2-4 përqind e elektoratit, është shndërruar sakaq në “Jo” apo variant të saj (zgjedhjet mund t’i bësh, por jo ta ushtrosh verdiktin e tyre). Kryetarët e pakicës nuk janë ilegjitimë se nuk do të drejtojnë komunat nga zyrat e paracaktuara për këtë qëllim, por se ata kanë iluzionin se mund të ushtrojnë sovranitet pa legjitimitet dhe pa koherencë.
Kurti, bashkë me ta, mund të jenë sovranë me kushtetutë të Kosovës dhe me konventa ndërkombëtare, por nuk janë legjitimë dhe koherentë. Kryeministri kosovar e ka quajtur ‘naiv’ sekretarin Blinken, por po ai vetë ka treguar naivitet kur ka pranuar mbështetjen e tij për të funksionalizuar institucionet e ngrira të veriut nëpërmjet një palë zgjedhjesh, që kanë kuti, por nuk prodhojnë zgjidhje.
Të mosllogariturit e gatishmërisë serbe për të prodhuar dhunë dhe antidotin e çdo zgjidhjeje që vjen nga Prishtina, dhe jo nga Beogradi, nuk i shkon një politikani që ka kaluar nga dhuna e burgjeve të Serbisë te katakombet e politikës së Republikës më të re në botë.
Edhe pse zyrtarët ndërkombëtarë përdorin gjuhë të dyfishtë, që fajëson ushtruesin e dhunës dhe pësuesit njëheri, edhe pse Kurti është marrë përdore në atë shteg të pakrye nga çka mund të quhet international goodwill, ai duhet ta kuptojë që, për hir të Kosovës, është më mirë të presësh me amerikanët këtej urës së Ibrit, se ta kalosh urën pa ta dhe të futesh në një territor, i cili që prej vitit 1389 kullon pasiguri dhe ankth antishqiptar.
Kosova u detyrohet amerikanëve, jo vetëm kur ata kanë të drejtë, por edhe kur gabojnë.
Pasë ditur këtë, nxitimi këtu në Tiranë për ta trajtuar Albin Kurtin si anti-amerikan është një poshtërsi politike dhe kombëtare. Nuk është qëndrim dhe as lexim realist gjeopolitik, por hakmarrje me mjete të tjera për një kryeministër në Prishtinë, që ka dëshmuar fibrën e një integriteti shtetëror që në Tiranë ka humbur prej kohësh, në dalldinë e basteve me delirin e madhështisë.
Projektimi i një Kurti sovranist dhe përjetimi i kësaj si tradhëti e euroatlantizmit, nga thuajse e njëjta farë që rrjedh nga dega e vjetër e atyre që për Traktatin e Varshavës dhe izolimin shkëmbgraniti përbetoheshin në të gjitha gjuhët e Lindjes, është një krusmë që duhet ta durojmë.
Pavarësimi i Prishtinës, si nga Tirana, si nga fuqi edhe më të mëdha, dëshmon se shteti i Kosovës, me rrënjë të njoma dhe kryelart, po sheh nga Perëndimi.
Sepse, të dashur miq dhe armiq, zonja dhe zotërinj, nuk ka gjë më oksidentale se guximi për të thënë “Jo”, dhe e drejta për të kuptuar se nënshtrimi ndaj kërcënimit të dhunës është legjitimim i tij./Politiko.al