Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të dielën drejt Tiranës ku do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.
“Në margjina të samitit, kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua më 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel, njofton RTK.
Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”, raporton RTKlive.
Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e acquis-communautaire.
Agjenda e ndërlidhjes së Procesit i referohet shkëmbimeve humane, bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimit politik të rajonit. Në kuadër të procesit të Berlinit janë krijuar: Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF) është arritje të padiskutueshme të Procesit të Berlinit.
Gjithashtu, krijimi i Korridoreve të gjelbra dhe Marrëveshja Roaming janë arritje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.
Krahas takimeve të zyrtarëve më të lartë qeveritarë, Procesi i Berlinit përfshin takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile, organizatat rinore dhe shoqatat e biznesit .