Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi në një konferencë për media një propozim prej 5 pikash për shtensionim në veri të Kosovës.
Ai tha se këtë propozim ua ka dhënë ndërkombëtarëve, duke nisur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe ambasadorëve të QUINT-it. Kurti tha se nuk ka marrë përgjigje për këtë propozim.
Kurti tha se plani duhet të nisë me sundim të ligjit në veri.
“Duhet menjëherë të përfshihen e identifikohen dhe ndiqen penalisht grupet kriminale”, tha ai për pikën e parë.
Pikë të dytë ai ka propozuar tërheqjen e menjëhershme të grupeve të dhunshme dhe të ndalen hapat kriminalë.
Sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Pas tri pikave, Kurti ka thënë se do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Në pikën e pestë, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen menjëherë në tavolinën e dialogut për normalizim.
“Kam shprehur gatishmërinë time për deeskalim të situatës në veri për çfarë pikë e parë është sundimi i ligjit. BE-ja ka mision për sundimin e ligjit në Kosovë, misioni më i madh i jashtëm i BE-së në kuadër të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes është EULEX-i dhe ku ka nevojë më shumë sesa në veri të Kosovës të dëshmohet kjo gjë. Unë jam i interesuar që të ketë zgjedhje të reja në veri, e kuptoj që dalja ka qenë e ulët, legjitimiteti është larg prej të qenit tamam në ato komuna, mirëpo ata të tjerët nuk kanë fare legjitimitet, nuk mund të shkohet prej rrugës me shok bomba e plumba në pushtet komunal. Nevojitet proces zgjedhor. Kjo është oferta ime duke u bazuar në përgjegjësitë që kam unë dhe pres një përgjigje dhe diskutime të mëtutjeshme me Brukselin për këtë gjë. Presim që Brukseli, z.Borrell ta vlerësojë gatishmërinë tonë edhe për vlerësim të përbashkët të sigurisë në veri, edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme atje, dhe nuk kam thënë se unë po e caktoj datën, duhet t’i konsultojmë të gjithë akterët, nuk kemi nevojë edhe për një nxitim që na sjellë në një dështim të ri, kemi nevojë që procesi i ardhshëm zgjedhor jo vetëm të jetë i lirë, demokratik dhe fer, por edhe ta ketë fushatën parazgjedhore”, ka thënë ai.
Për pikën e shpalljes së zgjedhjeve të reja, Kurti ka thënë se s’mund t’ua kërkojë dorëheqjen kryetarëve aktualë, por ka shtuar se propozimi që përmes peticionit të kërkohen zgjedhjet e reja, “është më i drejtë, arsyeshëm e dobishëm”.