Ditën e parë të qëndrimit në Zvicër e filluam me pjesëmarrjen në konferencën “Business Agility Day”, në Zyrih të Zvicrës, ku para përfaqësuesve të 150 kompanive ndërkombëtare, prezantuam përparimin që ka shënuar vendi ynë, angazhimin tonë për transformim digjital dhe inovacion si dhe potencialin për tërheqje të investimeve të huaja.
Përgjatë ditës e në margjina të konferencës, patëm takime me drejtues e përfaqësues të lartë të kompanive të mirënjohura si Belimo, Migros, Bühler, PostFinance, Galenica, Xebia, Allianz, Xabia Group, Levi, Microsoft, Baloise dhe Flux Mobility. I veçantë ishte takimi me Shefin e Operacioneve të kompanisë “de Sede” nga Zvicra, Arben Mehmeti me prejardhje nga Presheva. Arbeni drejton operacionet e kësaj kompanie, e cila eksporton prodhimet e saj në rreth 70 vende të botës, nga viti 2014. Nga fillimi i vitit 2021, përmes partneritetit me “Swiss Seams Leather”, “de Sede” nën udhëheqjen e Arbenit ka zgjeruar operacionet edhe në Kosovë.
E në mbrëmje, me ftesë të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë, isha në Universitetin e St.Gallen (HSG) për një ligjëratë para studentëve dhe bashkëbisedim me studiuesin e njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Christoph Frei, mbi temën “Investimi në të ardhmen e Kosovës: Roli i politikës dhe ekonomisë në formësimin e mundësive dhe tejkalimin e sfidave për gjeneratat e ardhshme”.