Ora 23:27 – Pas më shumë se dy orë ka përfunduar debati në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fund të seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se nuk është ndaluar dinari në Kosovë, por euroja është e vetmja valutë pagese në Kosovë. Shefi i ekzekutivit kosovar tha se ka bashkëpunim shumë të mirë me serbët e Kosovës dhe nuk ka asnjë problem me ta. Kurti tha se BQK-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me Bankën Qëndrore të Serbisë. Sipas tij, ka qenë më e vështirë konvertimi i tabelave, se sa i valutës.
“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, qytetarët serbë mund ta mbajnë dinarin, por që euroja është valuta e vetme si mjet pagese. Vetëm euroja është mjet pagese. Kemi dhënë aq shumë subvencione, ndihmë sociale, grante për arsim e shëndetësi për komunat me shumicë serbe, të gjithë i pranojmë dhe pa kurrfarë problemi”, theksoi ai .
Kurti bëri me dije se nuk është asnjë rast që një qytetar serb i Kosovës ka thënë se nuk i pranojmë këto sepse janë në euro.
“Në vendin fqinj, në Mal të Zi, diku një çerek i popullsisë deklarohen si serbë, por që e kanë euron si valutë, serbët e rëndomtë nuk e urrejnë euron, është valutë pagese, mund të mbash para në çfarëdo lloj valute që dëshiron”, theksoi ai.
Kurti paralajmëroi se do të ketë fushata informimi. “Do të bëj më shumë komunikim, më shumë informim për serbët në ditët vijuese përgjatë gjithë muajit. Do të flas në serbisht ashtu që të më kuptojnë ndoshta më mirë e më qartë. Sepse ne që kemi qenë nën okupimin e Serbisë e dimë gjuhën serbe, por ata nuk e kanë mësuar gjuhën tonë. Do të flas në serbisht, nuk kam asgjë kundër serbëve, kam miq serbë, kam ministër në Qeveri, partia ime me votë të fshehtë e ka votuar zëvendës avokatin e popullit serb. Një prej katër anëtarëve të bordit në Trepçë që është ndërmarrja më e madhe minerale, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi, është serbe”, th Kurti.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se është socialdemokrat që beson te njerëzit, që besojnë se njerëzit janë të mirë, kriminelët janë individë. “Nuk ka komunitet që është kriminel, apo popull – asnjëherë. Jam kritikuar për veprime të njëanshme, por unë jam kryeministër për shkak se Kosova është Republikë, po të mos ishte vendi im Republikë, unë nuk mund të bëhesha kryeministër, pra i mbroj interesat e një republike demokratike. Për veprime të dyanshme, në të kundërtën e njëanshme, të nënshkruajmë marrëveshjen, të cilën e kemi dakorduar si tekst”, tha ai,
Teksa tha se ka marrëveshje, por që të mos kemi shkelje të marrëveshjes. “Unë po them që të marrim një veprim bilateral që do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes, ashtu që të përmbahemi dhe t’i përkushtohemi me nënshkrime tekstit dhe frymës së marrëveshjes”, tha kyeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Franca i dënon sulmet në Banjskë, Serbia t’i vë fajtorët para drejtësisë
Përfaqësuesi i Francës në OKB, Nicolas de Riviere ka thënë se e dënon sulmin serb në Banjskë të Zveçanit, duke i kërkuar Serbisë që t’i vë fajtorët para drejtësisë.
“Ky do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve. Franca rithekson thirrjen për pezullimin e vendimit menjëherë që të mundësohet një periudhë e tranzicionit. I dënojmë sulmet në Banjskë, kërkojmë që Serbia t’i vë fajtorët para drejtësisë”, ka thënë përfaqësuesi francez.
Ai ka vlerësuar pozitive deklaratën e Kurtit për periudhën transitore rreth valutës dhe rregullores së re. Ai për tha se duhet të punohet bashkë për implementim të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.
Mbretëria Bashkuar: BQK ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në KS në OKB, James Kariuki, tha se shteti i tij vlerëson të arriturat e Kosovës për këtë vite. Ai kërkuar që të ketë dialog deri në normalizim mes dy vendeve.
“Java e ardhshme është përvjetori i pavarësisë së Kosovës. Mbretëria e Bashkuar i mirëpret të arritura që i ka bërë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran”, ”, tha ai.
Sipas tij, së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme.
“Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumë etnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Sa i përket veprimet e fundit. BQK-ja ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë për të siguruar që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”, tha ai.
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në KS në OKB, James Kariuki, i ka nbërë thirrj që Serbia t’i vë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë.
Përfaqësuesja e Sllovenisë ka shprehur shqetësimin për sulmin ndaj trupave të KFOR-it nga protestuesit serbë në veri, duke thënë se Kosova e Serbia duhet të përmbahen nga veprimet që nxisin dhunë.
“Ftoj palët të mos ndërmarrin veprime që do të ndikojnë në rrezikimin e raporteve. Disa brenga të avancimit të ngadaltë me raportin e sulmit në Banjskë dhe dhuna ndaj stafit të KFOR-it është e papranueshme”, tha ajo.
Ky shtet e ka përshëndetur marrëveshjen për çështjen e targave.
Greenfield: ShBA dënon sulmet paramilitare ndaj Kosovës
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, ka kërkuar se nga Serbia që sulmi si ai i 24 shtatorit të mos ndodh më. Ajo tha se SHBA janë të përkushtuar për paqen në Ballkanin Perëndimor. Sipas saj dialogu është i mbështetur nga BE-ja dhe jo nga Këshilli i Sigurimit. Greenfield, në këtë mbledhje ka kërkuar edhe njëherë që të ketë koordinim të institucioneve të Kosovës dhe të ketë shtyrje të implementimit të rregullores së BQK-së dhe tranzicioni të bëhet.
“Shtete e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë ajo.
Zvicra: Të marrin përgjegjësi sulmuesit në Banjskë
Përfaqësuesi i Zvicrës në OKB ka ftuar Serbinë t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në Banjskë, e Kosovës i ka kërkuar që t’i shmangë veprimet e njëanshme. “Ftojmë që Serbia t’i ftojë në përgjegjësi ata që kryen sulm në Banjskë…Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që rrezikojnë situatën”, ka thënë ai.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së -VIDEO