Sipas Prokurorisë, pesë serbët e akuzuar vranë 8 civilë shqiptarë, dy nga të cilët i kanë vendosur në grumbull drunjsh, e njërin e kanë djegur për së gjalli. Në njoftimin e organit të akuzës theksohet se, si pjesë të grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë edhe në rrahje, maltretim, torturë, plaçkitje e dëbim të popullatës civile shqiptare
KOHA
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të premten kundër pesë serbëve, që dyshohen për krime lufte të kryera në rajonin e Gjilanit.
Të dyshuarit janë: Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jevtiq. Sipas prokurorisë, ata vranë 8 civilë shqiptarë, njërin prej të cilëve e kanë djegur për së gjalli.
“Për pesë të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civilëve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjsh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj, me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”.
Kur pesë të dyshuarit u arrestuan në gusht, dëshmitarët rrëfyen për krimet.
Fitim Imeri ishte 17 vjeç kur forcat serbe ia vranë të atin dhe një të afërme më 5 prill 1999.
Ai i ka thënë KOHËS se kujtimet e krimit makabër në fshatin Llovcë të Gjilanit e lënë shpesh pa gjumë, meqë të atin Rrahimin atë ditë e pa të masakruar.
“Babai ishte i prerë shumë keq (me bajoneta v.j.), sidomos në pjesën e prapme të trupit. Ka qenë aq i hapur saqë i shiheshin pjesët e barkut”, rrëfen Imeri për babain që e pa të masakruar. “Diku prej atje (lart në rrugën e fshatit v.j.) ka pasur gjak rrugës, por në këtë pozicion poshtë ka pasur më së shumti gjak”.
Për këtë vrasje dhe të tjera në fshatrat përreth, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në gusht janë arrestuar pesë serbët që janë rajoni i Gjilanit.
Veprimet e Prokurorisë Speciale ia kanë ngjallur Imerit shpresën për drejtësi sado të vonuar, por shprehet edhe i zhgënjyer e i mllefosur.
Vëllai i tij më i madh, Bekimi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale për këtë krim.
Në Prokurori ka dhënë dëshminë e tij edhe Bexhet Mehmeti, një prej viktimave të rrëmbimit dhe keqtrajtimit nga forcat serbe në fshatin Llovcë.
“Mua personalisht bashkë me një bashkëfshatar dhe një mikeshën time, na kanë marrë peng aty në vendin e krimit, na kanë shoqëruar nëpër fshatrat përreth Gjilanit, deri në stacionin e tyre. Na kanë keqtrajtuar në formën më mizore”, ka rrëfyer Mehmeti. “Deri tani kemi qenë të zhgënjyer me sistemin, me organet tona, sepse nuk kanë vepruar me kohë. Mendoj se tani ka ardhur koha që Policia dhe Prokuroria ta kryejnë punën e tyre. Është çështje e tyre sa zgjat, por besoj se do të dalin para drejtësisë akterët”.
Mehmeti ka thënë se dy prej shtatë civilëve të vrarë, kanë qenë të djegur.
“Krimet kanë qenë barbare. Është e vështirë të përshkruhet”, është shprehur ai.
Pesë serbët e arrestuar dyshohet se në fshatrat Llovcë, Kokaj, Pogragjë e Uglar, në prill të 1999-s kanë vrarë, plagosur por edhe djegur për së gjalli viktima civile shqiptare.
Po ashtu dyshohet se kanë marrë peng, kanë dhunuar, plaçkitur e dëbuar civilë shqiptarë.
Shumë nga të mbijetuarit e krimeve të luftës dhe familjarët e viktimave kanë hezituar të deklarohen dhe të ofrojnë hollësi, meqë i kanë thënë KOHËS se janë udhëzuar nga Prokuroria të mos i zbulojnë detajet që mund të ndikojnë në hetim.
Por kanë theksuar se janë shumë më shumë serbë të përfshirë në këto krime, sesa pesë sa janë arrestuar.
Komentet