Shqipëria ndodhet në një pikë kritike dhe është në dorën e Shqiptarëve nëse duan të ndryshojnë diçka. Ndërsa miliona shqiptarë largohen në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit, fuqia punëtore po zvogëlohet dhe varfëria po rritet. Sidoqoftë, ekziston një alternativë e qartë, koherente dhe e provuar kurdoherë që funksionon. Duke kombinuar masa ekonomike emergjente me politika konservatore pro-rritje, Shqipëria mund të ndryshojë drejtimin e saj të rënies, të rrisë produktivitetin dhe të ofrojë shpresë për një të ardhme të begatë. Shqiptarët kanë shansin që të votojnë për një alternativë konkrete. Madje më shumë se kaq, të bëhen pjesë e një vizioni optimist e realist për të ardhmen e tyre. Vetëm duke u bërë pjesë, mund të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet dhe të kërkojnë llogari pas katër vitesh.
Mes tepsisë, tallavasë, timonit nga njëra anë dhe propozimeve konkrete nga ana tjetër, unë jam i bindur që Shqiptarët nuk do e përdhosin dinjitetin e tyre duke lënë të tallen me ta, ata që e marrin votën e Shqiptarëve për të mirëqenë.
Plani që ka paraqitur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për rimëkëmbjen e Shqipërisë nuk është vetëm për të trajtuar problemet e sotme—është për të vendosur bazat për një ekonomi të qëndrueshme dhe dinamike. Themelet e këtyre politikave qëndrojnë te ai që quhet konservatorizmi i dhembshur, ku lehtësimi ekonomik për ata që janë në varfëri të plotë sot kombinohet me nisma afatgjata për të nxitur rritjen, forcimin e tregut të lirë,prodhimtarinë, krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e familjeve.
Paga minimale 500 euro, paga mesatare 1,200 euro, minimumi jetik 200 euro, rritja e konsiderueshme e pensioneve, heqja e taksave për karburantit, lehtësimi për çmimin e energjisë elektrike janë pjesë e masave emergjente që do të merren në muajt e parë. Natyrisht që nuk janë të vetmet. Kam parë mjaft keqkuptime e paqartësi në javët e fundit në lidhje me këtë. Pa diskutim PD do zbulojë së shpejti programin e plotë, por disa aspekte mendoj janë me vlerë të sqarohen.
Kritikë të këtyre masave argumentojnë se ato mund të jenë të paqëndrueshme pa një strategji ekonomike gjithëpërfshirëse. Ky është një shqetësim i vlefshëm. Në afatgjatë, rritjet e pagave duke printuar para pa një rritje përkatëse të produktivitetit mund të çojnë në inflacion, konkurrencë të ulur dhe përfundimisht në kolapsin e vetë masave. Por PD asnjëherë nuk ka thënë se këto janë masat e vetme. Në themel të vizionit të Partisë Demokratike qëndron rritja e prodhimtarisë në vend, me një synim të palëkundur në ndryshimin e modelit ekonomik nga konsumator e importues në prodhues e madje dhe eksportues. Rritja e prodhimtarisë dhe e konkurrencës bën që të krijohen vende pune, të shkohet drejt rritjes së pagave, kushtevemë të mira në punë, uljes së çmimeve, inovacioneve teknologjike, industrializimit etj. Është ky element i produktivitetit i cili bën që këto masa emergjente të krijojnë ndryshim të qëndrueshëm dhe domethënës.
Unë jam një mbështetës i vendosur i ekonomisë së tregut të lirë dhe kapitalizmit, kundër ndërhyrjeve në treg. Ndaj kam parë me kënaqësi se propozimet e paketës së emergjencës nuk rrisin borxhin dhe as nuk kthehen në barrë për taksapaguesit. Paratë për masat e emergjencës janë tashmë në buxhetin e shtetit, por të shpërdoruara në programe jo produktive apo dhe korruptive. Ndërsa fokusi do të jetë dhe te rritja e prodhimtarisë, paratë e kursyera nga të gjithë projektet e alokuara me kosto korruptive do të financojnë masat e emergjencës. Inflacioni është një fenomen monetar, i krijuar nga printimi i parasë nga Banka Qendrore pa rritur prodhimtarinë. Ky program këtë të fundit e ka në qendër.
Për të rritur prodhimtarinë në vend, çliruar tregun nga klientët qeveritarë dhe rritur ekonominë, Partia Demokratike përherë ka propozuar, dhe kur ka qenë në qeveri i ka zbatuar elementët e mëposhtëm:
1- Heqja e barrës së rëndë rregullatore, gjobave, presionit qeveritar dhe kostovetë tepërta administrative, si dhe favorizimet për aktorë specifikë në tregje, duke liberalizuar tregjet. Kjo do t’i japë oksigjen sipërmarrjeve të të gjithë niveleve, të cilat do kenë më shumë hapësira për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e punës, për të marrë më tepër punonjës në punë. Sa më shumë sipërmarrje të ketë, dhe sa më shumë ide inovative të ketë në treg, aq më shumë kompanitëdo të konkurrojnë me njëra tjetrën për punonjës. Kjo do të bëjë që njerëzit të kenë më shumë mundësi të negociojnë për pagën e tyre dhe kushte më të mira në punë. Në vitet 1980, politikat ekonomike të Presidentit Reagan fokusoheshin në shkurtimin e burokracisë dhe liberalizimin e ekonomisë, çka çoi në një bum ekonomik. Duke zvogëluar barrën rregullatore mbi bizneset, Shqipëria mund të krijojë një mjedis që nxit sipërmarrjen, meritokracinë dhe lejon bizneset e punonjësit të lulëzojnë.
2- Ulja e Taksave – taksa e sheshtë 10% për çdo qytetar e sipërmarrje dhe ulja e TVSH: Ulja e taksave krijon stimul ekonomik të menjëhershëm duke rritur të ardhurat qëbizneset dhe individët kanë në fund të muajit në xhep. Sa më shumë para të kenë qytetarët në xhep në fund të muajit, aq më shumë do të konsumojnë ata, dhe aq më shumë mundësi do kenë dhe për kursim. Sa më shumë para të kenë sipërmarrjet në fund të muajit, aq më shumë mundësi do kenë për të rritur rrogat, për të zgjeruar kompanitë e tyre. Sa më të mëdha të jenë kompanitë, aq më shumë para do shkojnë në buxhetin e shtetit për punë publike. Ndërkohë këto ulje taksat do pasohen me uljen e TVSh për të gjithë dhe veçanërisht për pensionistët, me anë të kartës së konsumatorit. Do të pasohen me uljen e taksave për karburantet. Të gjithë këto ndihmojnë që ekonomia të ecë përpara. PD e ka bërë këtë reformë në vitin 2007 me rezultate të mira. Reforma tatimore e Trump në 2017 uli normat e taksave korporative, e cila inkurajoi kompanitë të ri-investojnë në bizneset e tyre, të punësojnë më shumë punonjës dhe të rrisin pagat.
3- Reduktimi i Shpenzimeve Qeveritare dhe Ulja Drastike e Shpërdorimeve duke ulur burokracinë e rritur digjitalizimin e shërbimeve dhe sigurinë kibernetike:Qasja konservatore e PD mbron idenë se paratë që individi heq nga xhepi për t’ia dhënë shtetit duhen përdorur me kujdesin më të madh dhe në mënyrë efikase. Si konservatorë ne e shikojmë individin si ruajtës të vendit, ekonomisë dhe pronës së përbashkët, për t’ua lënë brezave të tjerë më mirë se ç’e gjetëm. Ndaj, konservatorët në filozofinë e tyre ulin shpenzimet e tepërta, dhe ulin borxhin, që është një taksë më shumë për të gjithë ne. Kjo qasje ul ndjeshëm dhe mundësinë për vjedhje e korrupsion.PD e ka bërë në qeverisjen 2005-2013, dhe pas 2025 do të ulë drastikisht shpenzimet qeveritare të panevojshme dhe duke drejtuar burimet drejt zonave që gjenerojnë rritje afatgjatë dhe përmirësojnë jetën e njeriut, si infrastruktura, shëndetësia dinjitoze, arsimi shkencor e patriotik, rimëkëmbja e bujqësisë dhe siguria kombëtare. Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Bush panë potencialin e prerjes së shpenzimeve të panevojshme, të cilat u përdorën për të financuar nisma pro-rritje dhe për të krijuar një klimë ekonomike ku familjet mund të lulëzonin, edhe nëpërmjet granteve dhe politikave të targetuara për grupe të caktuara si pensionistët, të rinjtë, gratë sipërmarrëse etj.
Këto tre elementë që kanë qenë në çdo qeverisje të PD, do të pasohen nga decentralizimi, zhvillimi i tregjeve financiare në mënyrë të qëndrueshme, reformë pensionesh, turizëm vjetor afatgjatë, pavarësi energjetike etj. Qasja e PD për një kombinim të masave emergjente me politikat prodhuese pro-rritje e pro-familje e që çlirojnë potencialin e çdo individi është në përputhje me parimet e një rryme të konservatorizmit, i parë në politikanë si George W. Bush, BenjaminNetanyahu, Donald Trump, ViktorOrban etj., të cilët janë të mendimit se ndërsa tregjet e lira duhet të udhëheqin shumicën e vendimeve, duhet të ketë edhe rrjeta sigurie për shtresat më në nevojë. Liberalët klasikë mund të mos jenë dakord me këtë kombinim, duke ja lënë në dorë çdo gjë tregut, por konservatorët europianë – e deri diku dhe ata anglo-saksonë, janë më të predispozuar për të ndihmuar me politika të targetuara në forcimin e familjes apo sektorëve specifikë, sidomos atyre që lidhen me sigurinë kombëtare.
Sidoqoftë, sot nuk kemi treg të lirë në vend. Ekonomia oligarkike e instaluar në vend ka lenë pensionistët dhe çdo qytetar shqiptar me të ardhura tejet të ulëta në krahasim me kostot e jetesës. Teksa tregu i lirë do çlirohet nga rikthimi i konkurrencës së lirë dhe do mundësojë rritjen ekonomike, masat e emergjencës të financuara nga paratë e kursyera nga korrupsioni aktual qeveritar (për shembull kostot e frikshme të rrugëve) do të ndihmojnë shtresat më vulnerabël që të rimëkëmben dhe të hyjnë në tregun e lirë kokëlartë.
Çelësi mbetet gjithmonë krijimi i një mjedisi ekonomik ku pagat do të rriten organikisht gjithmonë e më shumë, ndërsa bizneset zgjerohen dhe bëhen më konkurruese në rajon e pse jo dhe në Europë.E ardhmja e Shqipërisë mund të jetë një e ardhme e shpresës, begatisë dhe rritjes. Kemi një mundësi unike që vendi të krijojë një ekonomi të mundësive ku fuqizohet punonjësi i ndershëm dhe përdoren në mënyrë efektive burimet e vendit.
Shqiptarëve mund të mos u pëlqejë asnjë alternativë në tregun politik sot. Mund të jenë të lodhur nga politika. Por Shqiptarët duke ndjekur shembullin e votuesve amerikanë mund të votojnë për xhepin e tyre. Nuk kanë asgjë për të humbur. Përkundrazi! Duke prerë shpenzimet qeveritare të panevojshme, duke ulur taksat, duke inkurajuar industritë e sektorët prodhues dhe duke rritur produktivitetin, ne mund të sigurojmë që paga më të larta dhe standardet e jetesës janë të qëndrueshme në afatgjatë, e qytetari të fund të muajit të ketë më shumë para në xhep.Shqipëria mund të udhëheqë me shembull në rajon, duke treguar që konservatorizmi i dhembshur nuk është vetëm një imperativ moral, por një strategji efektive për krijimin e një ekonomie të fortë dhe dinamike. Është bërë në vende të tjera me sukses të plotë. Nuk ka përse të mos e bëjnë dhe shqiptarët.
Me udhëheqje të guximshme dhe një vizion të qartë, Shqipëria mund të rikthejë popullsinë e saj të dëbuar, të rindërtojë ekonominë dhe të ngrihet nga hiri i krizës aktuale. Është koha për të vepruar, për t’u bashkuar rreth një vizioni optimist, shpresëdhënës e realist për Shekullin Shqiptar, për të zbatuar këto reforma dhe për të bërë Shqipërinë një vend të mundësive për të gjithë. sn
Komentet