Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë të hënën homazhe tek varrezat në Mejë të Gjakovës për nderim të ditës së 27 Prillit – përvjetorit të të zhdukurve në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti ka thënë se familjarët e viktimave të luftës meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim.
Kurti ka thënë se sot, 21 vjet pas, përgjegjësit – emrat e të cilëve janë përmendur edhe në Gjykimet e Tribunalit të Hagës, “janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit”.
“Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë, këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer”, ka theksuar Kurti.
Në komunikatë bëhet e ditur se si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, është pamundësuar pjesëmarrja në këtë vizitë e familjarëve të viktimave dhe familjarëve të të zhdukurve të kësaj masakre bashkë me Kurtin e Osmanin.
Nga kjo masakër mungojnë edhe 13 trupa të tjerë ende të pagjetur. Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë. 376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, masakruan dhe rrëmbyen brenda ditës. Prandaj 27 Prilli, dita kur ndodhi masakra në Mejë, shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.
Kane kalu 21 vjet zoti kryeminister,deri kur?