Pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli në lidhje me dakordimin për deklaratën për të pagjeturit gjatë luftës si edhe draft statutin për Asociacionin.
Kurti tha se një draft statut i tillë për Asociacionin që është prezantuar e sot në takim nga Ekipi menaxhues, për të cilin dëgjoi por sidomos tha se lexoi, fundamentalisht është i papajtueshëm me Kushtetutën, kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, njofton RTK.
“E përkundër kësaj, ne do të jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje”, tha Kurti, duke shpjeguar se ka propozuar një draft-vizion, që si kryeministër i Republikës së Kosovës, përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike, e duke pasur në konsideratë edhe nenin 10.
“Gjithsej në 11 pika unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat e principet, kornizat që rregullon çështjen e komuniteteve jo shumicë, pakicave kombëtare, përkatësisht komunitetit serb”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se beson se ajo do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit Borrell e Lajçak, sepse sipas tij, në atë mënyrë mund të ndërtohet diçka e mirë e drejtë, të vërtetë e të dobishme.
“Jo vetëm për serbët sepse serbët duhet të jetojnë në shtetin tonë, të jenë anëtarë me të drejta e obligime në shoqërinë tonë e bashkërisht të krijojmë kohezive së brendshmi e që nuk e lë askund prapa”.
Kurti i dorëzon Borrelllt e Lajçakut fakte për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia dhe Vuçiqi
Kryeministri Kurti tha se gjithashtu ka dorëzuar tek ndërmjetësit edhe një dokument mbi atë se si nga 27 shkurti kur palët janë pajtuar për marrëveshjen bazë, Beogradi zyrtar e ka shkelur atë.
“Nga ai dokument shihet qartë në mënyrë faktike se nga 11 nenet e marrëveshjes bazë, 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se vetëm në muajt maj e prill janë shkelur 8 nga 11 pikat e marrëveshjes.
Ai tha se ka dorëzuar edhe një dokument ku janë tri deklarata të presidentit të Serbisë, se si ai thotë se nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë, se si nuk do ta zbatojë atë në tërësi.
“Prandaj unë kisha nevojë për garanci, se kemi seriozitet të procesit me qenë se kemi marrëveshje dhe kemi siguri ne si palë. E kjo mu tha qartë nga ndërmjetësit Borrell e Lajçak se kemi marrëveshje e se ekziston marrëveshja dhe se 27 shkurti në Bruksel e 18 marsi në Ohër, njëmend kanë ndodhur”