Albert Osmani nga Kosova është njohës i mirë i verës dhe pijeve të tjera alkoolike. Ai është besimtar mysliman dhe tregtar vere. «Kjo nuk është kundërthënie», thotë ai. Përkundrazi: e lehtëson dialogun mes kulturave.
Në shtëpinë e verërave, në «House of Wines», në qytetin e Cugut (Zug) në Zvicrën qendrore të gjitha kulturat janë të dëshiruara. Disa porosisin shampanjë, të tjerët verë nga Toskana e Italisë, një amerikan kërkon një «mild red wine» për dhuratë – dhe largohet nga dyqani i lumtur, pasi ka paguar 55 franga për shishe.
Albert Osmani i përshëndet klientët përzemërsisht në anglisht. “Çfarë nuk e dinë shumica: Albert Osmani është shqiptar nga Kosova dhe mysliman.” Si është e mundur kjo?! Fundja, sipas Kuranit, besimtarëve parimisht u ndalohet të pinë alkool.
Albert Osmani qesh. Ai thotë: unë rrjedh nga një familje e hapur ndaj botës. Në të vërtetë në shtëpi nuk kemi pirë asnjëherë verë, por rakinë që e kemi pjekur vetë përherë e kemi vendosur në tavolinë kur vinin mysafirë», shkruan gazeta «Bote der Urschweiz».
Albert Osmani thotë se është edukar në frymë shumë liberale fetare, «vetëm mish derri nuk ka». Osmani erdhi në Zvicër në vitin 1992 dhe shumë shpejt zbuloi pasionin e tij për verën, u kualifikua në fushën e shitjes, punoi një dyqan të rëndësishëm të verërave dhe tani drejton një dyqan të vetin për shitjes e verërave në Zug.
«Edhe vetë pi verë – por jo për të konsumuar alkool, por si artikull për shijim. Për mua vera është udhëtim nëpër kultura të tjera», thotë Albert Osmani, i cili është i martuar me një kosovare dhe ka një djalë 12-vjeçar.
«Të pish alkool për mua nuk është mëkat dhe për këtë arsye nuk më ka sulmuar askush», tregon Osmani. Ai thotë se ndonëse nuk shkon në xhami, në zemër e konsideron veten njeri fetar: «Besoj në të mirën». Bashkë me priftin Urs Steiner kosovari Albert Osmani organizon takimet «Spierit and Wine», qëllim i të cilave nuk është vetëm të degustohen pijet, por edhe të flitet për tema të ndryshme, me ç’rast vera është element që bashkon./DP
Komentet