VOAL.ch – TIRANË – Këngëtari i njohur italian, Albano Carrisi dha të shtunën në darkë një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në nder të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Nga skena e Pallatit të Kongreseve, Carrisi performoi disa prej këngëve më të mira nga repertori i tij, që kanë shënjuar një epokë në muzikën italiane dhe kanë ndikuar po ashtu gjenerata të tëra edhe në Shqipëri.
Koncerti u organizua me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, 20- vjetorit të shoqatës kulturore “Al Bano Carrisi”, si edhe të 27-vjetorit të organizimit të koncertit të parë që dha çifti i këngëtarëve Al Bano & Romina Pouer (17 shtator i vitit 1989) në Tiranë.
Albano Carrisi, i cili mban edhe nënshtetësinë shqiptare, është ndër këngëtarët italianë me më shumë fansa në Shqipëri dhe koncerti i tij është pritur me mjaft interes.
Hyrja në koncert ishte e lirë për të gjithë të interesuarit që dëshironin të përjetonin live emocionet e dhuruara nga zëri i famshëm italian.
Albano Carrisi ka ardhur në Tiranë me ftesë të shoqatës kulturore “Al Bano Carrisi”. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, këngëtari i njohur italian me shtetësi shqiptare, Albano Carrisi, është nderuar edhe nga Bashkia e Tiranës me Çelësin e Qytetit.
Komentet