Raimonda Dervishi Shundi, gazetare
Në fakt ajo është Tatiana Sulejmani. Apriori evidentohet dyshtetësia e saj: emri rus, mbiemri shqiptar. Është fëmija i parë i dashurisë së historive diplomatike të komplikuara, por me kaq interes për Tiranën pritëse në fillimin e viteve ‘50. Kadare, Agolli, Mula… ishin vetëm një pjesë nga emrat që mundën të na e shpërfaqnin (haptazi, ose nënë zë) atmosferën moskovite. U komentuan gjatë pasionet e studentëve të parë në vendin e Dostojevskit, Tolstoit, Balshoit, Stanislavskit.
Arsimimi në vendin e kulturës më impresionuese për shumëkënd, ndryshoi përfundimisht destinacionin e tyre final. Njëra prej tyre ishte dhe familja e personazhit tonë të ditës, ikona e baletit shqiptar të viteve ‘80, Albana Sulejmani. Si mund të flasim për Tanjën dhe të mos i rrëfejmë lexuesve që jetojnë në epokën e konsumizmit emocional-virtual, se dikur gjërat funksiononin shumë më ndryshe nga sot, në çdo gjë, e gjithkund?
Familja
Nexhat Hysen Sulejmani, kosovari i shëtitur e më mirë të themi, i përzënë nga serbët familjarisht nga Mitrovica në Stamboll. Pastaj, babait i Nexhatit vendosi të shpërngulet në Kavajë. Studimi në Itali në Akademinë Ushtarake përkon dhe me fillim-luftën, ndaj ai studioi vetëm tre vjet, duke e ndërprerë vitin e fundit. Nuk mundi të diplomohej, pasi dëshira për të qenë pjesë aktive e luftës e hodhi në frontin e vërtetë të luftimit. Territoret e nxehta të luftimeve e konsoliduan kolonelin model, me gjithë dhimbjen e humbjes së shumë miqve. Studimet në Moskë i ndoqi në Akademinë Ushtarake “Lenin” për rreth tre vjet. Studimi dhe përkushtimi tërhoqën vëmendjen e profesoreshës së frëngjishtes (Nadjushi, nga familjet intelektuale moskovite). Vizitat e shpeshta në shtëpinë e saj krijuan mundësinë e njohjes me mbesën bukuroshe të tyre, Margaritën. Miqësia me ushtarakun nga Kosova, Margaritës i ndryshoi përfundimisht jo vetëm mbiemrin, por edhe nënshtetësinë. Për të kjo histori e ëmbël ishte lidhja e parë dhe e fundit me një djalosh. Miqësia mes të rinjve ndezi ankthet e dakordimit me ambasadat reciproke, por fati ishte në anën e tyre. 18 vjeç u transferua në Shqipëri dhe nga aty gjithçka shkoi si në fundet e ëndërruara vetëm në përralla, të lumtur përgjithmonë.
Shqipëria ishte vendi ku Margarita kaloi pjesën tjetër të jetës të saj, tashmë si një shqiptare. Fëmija i parë qe Albana jonë, ndërsa i vëllai, Iliri, erdhi në jetë pas nëntë vitesh diferencë.
Duartrokitjet e nxehta pas çdo premiere zjarronin publikun, por ftohtë, tepër ftohtë shihej nga kokat e shtetit që asistonin në shfaqje. Atyre u pëlqente vetëm partizani, kooperativisti, punëtori muskuloz dhe asgjë më tepër. Kurrsesi nuk e miratonin personazhin e dashuruar mes djalit e vajzës në skenën e baletit tonë, qoftë edhe shkarazi, mungesa e së cilës si dhe vënia e vulës proletare, e cila e rëndonte shfaqjen, i rëndonte edhe balerinët, baletmaestrin, ndaj të cilëve Partia–Shtet shpesh mostronte dhëmbët me masat ekstreme që ndërmerrte. Profesor Kanaçi, Sulejmanin e shihte si gurin e tij të çmuar dhe çdo premierë si e huaj apo edhe shqiptare, por sidomos ato që vinte vetë, i takonin automatikisht vetëm të parës sonë të baletit, Albana Sulejmanit.
Ajo ishte balerina soliste mes dy meshkujve protagonistë të TKOB (Ilir Kerni, Ludmill Çakalli) të suksesshëm në të gjitha vëniet e Teatrit të Operës dhe Baletit të viteve ‘80. Personifikim i përsosur i emrit të madh që ajo përfaqëson në genin amëror.
Albana u largua nga Shqipëria rreth viteve ‘92, në kohën kur piramidat shtoheshin dhe krijuan zemëratën e frikshme. Jetoi prej vitesh në Itali (Milano) së bashku me të shoqin, edhe ai balerin i parë (Ludmill Çakalli) dhe me vajzën e tyre. Në të ri ishin treshja e emrave më potentë që dolën nga ajo shkollë. Ishin tre emrat e parë të lokomotivës së talenteve tona me profesorët e studiuar në Rusi. Ishte treshja ku sakrifica, eleganca, teknika, muzikaliteti e finesa shkonin në të njëjtin fill, atë të balerinit model.
Misha van Hoecke – Këta të dy unë i dua për vete!
INTERVISTA
Jeni ikona e prima balerinës së viteve ‘80. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
As që e kuptoja se isha ikonë. Në ato vite ne dinim vetëm të punonim dhe vetëm të punonim. Për mua ishin vitet më të lumtura, edhe pse vështirësitë nuk ishin të pakta. Teatri për mua qe gjithçka, atmosfera ishte magjike dhe më tërhiqte si një fëmijë i humbur. Nuk di një herë që të kem munguar. Madje edhe kur isha me temperaturë 39 nuk mungoja. Shpesh, nëna ime kur shihte sfilitjen time më thoshte: “Do të të heq nga baleti”, kurse unë i përgjigjesha: “Më mirë të vdisja, se sa pa balet”.
Atmosfera, kushtet, aktivitetet, autoritarizmi dhe kufijtë e të qenit në rregull me normat partiake, sa ju kanë krijuar stres apo kënaqësi? (pak atmosferë të atyre viteve).
Na vinin shpesh njerëz të cilët nuk kishin të bënin me baletin për të gjykuar shfaqjet tona, dhe sinqerisht, viheshim në vështirësi kur na paraqisnin absurdin e kërkesave të tyre. Sidomos kur na vinin funksionarë të lartë partie. Gjykonin ideologjikisht shfaqjet tona me arrogancën e padijes ndaj profesionit tonë. Na pengonin të ekzekutonim kryesisht disa shfaqje të repertorit botëror. Të paktën, mundi të riparohej disi kjo traditë vitet e fundit me ndryshimin e sistemit politik.
Si do ta quanit periudhën që studiuat dhe punuat në teatër?
Teatri për mua ishte shtëpia ime e dytë. Në këtë periudhë, problemi im kryesor ishte se si të perfeksionohesha teknikisht dhe artistikisht. Në shkollë mëson shumë gjëra, por eksperienca në skenë është gjë tjetër. Në historinë e teatrit tonë por edhe atë botëror, për t’u emëruar një solist duhet relativisht shumë kohë, ndërsa për mua dhe dy kolegët e mi, kjo kohë u kapërcye shpejt. E them dy kolegët e mi, Ludmill Çakalli dhe Ilir Kerni, sepse patëm të njëjtin vlerësim. Në këto vite na quanin “treshja e të rinjve” në fillimet e ’80-ës, kur profesor Agroni rivu baletin “Lola”. Ai me shumë kurajë, sepse ne ishim fare të rinj, na caktoi që të dublonim në rolet kryesore: mua-Lolën, Ludin-Pablos dhe Ilirin-kapitenin. Kolegët tanë që kishin përvojë shumë më tepër se ne, bënë shfaqje shumë të bukura, mirëpo shfaqja jonë pati shumë eko, ndoshta për faktin se ne ishim shumë të rinj, gjë që ndodhte rrallë. Ky ishte fati ynë, pasi solistët aktualë i përkisnin një tjetër moshe. Pra, mungonin të rinjtë dhe ne mundëm të mbulonim një boshllëk aktual në teatrin e atyre viteve.
Diçka më në veçanti për profesor Panajot Kanaçin dhe Agron Aliajn, si ju gjetën për t’ju kthyer në të preferuarën e tyre?
Me maestro Panajotin kam punuar shumë. Ai m’i besoi të gjitha rolet kryesore të baleteve të tij. Profesori ishte një koreograf i mirëfilltë dhe jo vetëm për faktin se ishte diplomuar në Moskë për koreografi, por sepse kishte një kulturë të gjithanshme me një inteligjencë që rrallë e takoje. Unë kështu e njoha profesor Panajotin dhe kështu do të mbetet gjithmonë: supernjeri. Ndërsa profesor Agroni nuk ishte thjesht personi që “ushqeu” trupën e baletit klasik, por për mua, ai ishte emri që më rriti në shkollë dhe më shoqëroi në pjekjen time artistike edhe në teatër. Ai për të gjithë ne ishte profesori, maestro, koreografi, pianisti që na shoqëronte në ushtrime, piktor, poet etj., etj. Është e vërtetë se isha e preferuara e tij. Pse-në nuk e di ta them, di vetëm se ai ishte gjithçka për mua. Faleminderit!
Çfarë mbani mend nga koha e turneve në teatër?
Kemi bërë shumë turne, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit. Turnetë në vend ishin të vështira artistikisht pasi kushtet e balerinit dhe spektaklit në përgjithësi janë shumë specifikë, por publiku ishte shumë i ngrohtë dhe entuziast. Ndërsa turneun e parë jashtë shtetit e kam bërë në Kinën e largët të Mao Ce Dun-it në vitin 1972. Isha vetëm 14 vjeç. Ishim vetëm fëmijë dhe nuk kuptoja asgjë nga politika, por ky turne nuk harrohet kurrë. Jo vetëm që patëm mundësi të njihnim artistë të zotë kinezë, por sidomos pritja e tyre ishte fantastike. Një nga batutat tona të nënzëshme ishte se, “do shkojmë për turne te goca e tezes” meqenëse dy popujt tanë ishin “parti motra”. Ndryshe ndodhte me turnetë në Paris, Greqi, Turqi, Itali… Ato ishin turne shumë impenjative. Unë isha protagoniste e roleve kryesore ndaj përgjegjësia ishte shumëfish më prezente. Publiku ishte entuziast, ndërsa unë dhe kolegët nuk dinim si ta përshkruanim kënaqësinë e punës tonë.
Si ishte dieta juaj ditore?
Dieta për mua nuk ka ekzistuar ndonjëherë, si atëherë kur isha e re e që kërceja gjithë ditën, ashtu edhe tani që jam në rolin e maestrës. Besoj që është në natyrën time. Unë nuk kam qenë ndonjëherë hamëse e madhe… pooor, më pëlqejnë ëmbëlsirat.
Është e natyrshme që një emër si juaji i xhelozon kolegët. Sa të rrezikshëm ishin, po sot?
Xhelozia ka qenë dhe do të jetë në çdo fushë. Ndoshta në art është më e theksuar. Për natyrën time ky aspekt nuk më ka munduar shumë. Kam qenë gjithmonë e mirëpritur dhe e inkurajuar nga brezat më me eksperiencë. Ka njerëz që aspekti i xhelozisë i shkatërron, ndërsa në rastin tim, nuk ma ka kushtëzuar aspak jetën. Tani në rolin e mësueses, mbas një përvojë kaq të gjatë pune në Itali, xhelozia pothuajse nuk na takon më. Komplimentet na rrethojnë kudo.
Kthehemi pak në vitet e para të ikjes në Itali: pse u larguat?
Në momentin që lashë teatrin, qe një periudhë e vështirë si për Shqipërinë, dhe në veçanti për Teatrin e Operës. Unë kujtoj që dadoja ime e mbyllte vajzën në korridor, pasi aty nuk kishte dritare. Ishte frika se ndoshta ndonjë plumb qorr na hynte në shtëpi. Qeveria na kishte dhënë një shtëpi në qendër të Tiranës, në katin e gjashtë. Ishte pa ashensor dhe kur vinte uji, qe një festë e vërtetë për banorët. Pa ujë ishte mallkim dita. E imagjinoni që unë pasi kisha punuar në sallë për orë të tëra, kur vija në shtëpi më duhej të ngjitja edhe ujin me kova lart në katin e 6-të? Këto dhe shumë të tjera si puna e këtyre, na bënë që të na mbushej mendja të emigronim. Fati im i keq ishte se ika në një moshë kur mund të jepja edhe shumë më tepër për trupën tonë të baletit, aq më tepër kur pjekuria artistike ishte shumë herë më e madhe. I kam uruar pafundësisht ata artistë që mundën të mbesin dhe vazhduan të punonin në teatrin e asaj periudhe të shëmtuar.
A ishte zgjedhja e duhur largimi në Itali? Do ta ribënit sërish?
Për pyetjen nëse do ta ribënim… nuk e di si të përgjigjem.
Kur u përballët me profesionistët në Itali, si ishte reagimi i tyre pasi panë se me çfarë i kishte bekuar perëndia me prezencën tuaj e me të të shoqit tuaj?
Italia nuk bëhet kurrë Amerikë. Kjo për faktin se ata nuk mund të pranojnë profesionalizmin dhe aftësitë e të huajve si puna jonë. Kryetari i komisionit të Teatrit të Skalës, Misha Van Hoecke, personazh i famshëm i panoramës së baletit, mbasi pa punën tonë, tha se “të dy këta elementë unë do t’i merrja menjëherë në punë” duke iu drejtuar komisionit ku ishte drejtore e baletit të Skales, Elisabetta Terabust. Dua të them se Amerika është më përpara për të vlerësuar kapacitetin e tjetrit, pavarësisht se nga vjen. Fatkeqësisht në Itali nuk është kështu. Megjithatë, ne nuk është se e vuajtëm shumë, por racizmi ekziston në Itali. Unë dhe Ludmilli kemi punuar për 20 vite rresht në një akademi arti nga më të njohurat në Itali që quhet “MAS-Milano”. Ludi ka qenë drejtor artistik i kësaj akademie, ku vartësit e tij ishin 30 docentë italiane dhe të huaj, ndërsa mua më konsideronin si docente nga më kryesoret. Aktualisht jemi profesionistë të lirë që na kërkojnë për “stage” e leksione kudo.
Familja juaj është shumë e bukur, treshja perfekte. Çfarë të pëlqen të publikosh për ta, pasi e di se jeta familjare është pjesërisht e rezervuar?
Momenti më i rëndësishëm ishte kur bëmë bashkë me tim shoq Ludmillin kursin “Maitre de ballét” në Skalën e Milanos, që më pak fjalë ishte kurs pasuniversitar për “Maestro dhe Profesorë baleti” financuar nga Europa, e cila zgjati 2 vjet për 7 orë në ditë. Ishim 7 persona nga Europa, Italia, Gjermania, Rusia dhe ne 2 shqiptarët. Punët ishin provime serioze. Mësuam shumë gjëra, sidomos për atë çka ndodhte në botën e baletit. U njohëm me shkollën Franceze, Daneze, Angleze, Italiane dhe sidomos atë Amerikane. Atje u njohëm me baletin bashkëkohor, që për ne ishte diçka e re dhe mësuam “Labanotation”, mënyra që shkruhet baleti etj., etj. Ne të gjithëve na dhanë të punonim një balet repertori për tezën finale. Unë bëra tezën mbi baletin “Zhizel” ku pata shumë vlerësime. Ndërsa Ludi, ndryshe gjithë nga të tjerët, bëri tezën me titull “Dalla Russia all’America” që ishte një analizë mbi karakteristikat e shkollave të ndryshme të botës, dhe nuk ishte bërë ndonjëherë dhe që ngjalli shumë interes në komisionin e Skalës.
Ne punonim çdo ditë me trupën e baletit të Skalës. Një ditë, një maestro Amerikan, që quhet Bimich e që atë ditë drejtonte ushtrimet për të gjithë trupën, ishte edhe maestro personal i yllit Alessandra Ferri-t (e cila po ashtu ishte e pranishme). Na ndaloi ushtrimin duke m’u drejtuar mua: “E shikoni, e vetmja vajzë që hidhet si duhet!” (në kuptimin që muskujt e mi ishin të fuqishëm) … Unë nuk dija ku ta fusja kokën ngaqë më vinte zor! Konkluzioni ishte që shkolla jonë midis shkollave të tjera më vendoste në prioritet, pra kemi pasur shkollë të mirë dhe dinjitoze.
Në Tiranë njihesh me Albana Sulejmani, në Itali me Tatiana, pse?
Zgjedhja e emrit Albana në vend të Tatiana nuk ishte aspak zgjedhja ime dhe as e familjes sime. Ishte zgjedhje politike. Në vitet e para të 1970, d.m.th viteve të shkollës, duke qenë se elementi im kishte perspektive, dikush me marifet më këshilloi mua dhe familjen që të ndërroja emrin. Mesazhi ishte i qartë: balerina e parë shqiptare duhet të ketë emër shqiptar, megjithëse nëna e saj është ruse.
Vini nga një nënë ruse dhe nga një baba në karrierë ushtarake. Çfarë ju ka mbetur nga mënyra e edukimit e familjes së parë, për ta kaluar tek ajo që aktualisht keni?
Unë jam produkt i asaj familjeje dhe i jam mirënjohëse për jetë.
Sipas jush, si mundet të rritet një fëmijë me mama mësuese dhe baba ushtarak?
Në sajë të tyre dhe dashurisë që kanë për artin, jam kjo që jam sot. Ua dedikoj atyre gjithçka. Faleminderit prindërve!
Italia ka vijuar me suksesin e radhës, sa ju kënaq kjo gjë?
Mënyra e edukimit është e njëjta, por ka nuanca të reja që na dikton koha. Për vajzën, Fiona, mund të them se desha që ajo të ndiqte gjurmët e prindërve, sikurse të gjithë prindërit dëshirojnë. Ajo nuk u bë balerinë, megjithëse studioi balet për vite, që megjithatë ne jemi të kënaqur për rrugën që zgjodhi. Mjafton të shikoni Facebook-un apo Instagram-in dhe të klikoni Fjona Çakalli, e duket se sa është e ndjekur. Ne prindërit e saj jemi të lumturuar.
A e ndiqni se çfarë ndodh me jetën artistike dhe politike në Shqipëri?
Ne jemi shumë të zënë, por mund të them se kohën që ndjek televizor e ndaj përgjysmë. Më pëlqejnë emisionet mbi natyrën, ndjek televizionet shqiptare dhe marr informacione për zhvillimet e artit dhe të kulturës. Nuk i lë pas edhe informacionet për politikën. Politika për mendimin tim më zhgënjen vazhdimisht. Jam e kënaqur me artin dhe kulturën tonë pasi e shoh se po bën hapa përpara. Baleti shqiptar po bën përpjekje të mira për të shkuar përpara, por duhet impenjim më i madh nga qeveria. Këtë nuk e shoh.
Sa shqiptare ndjeheni?
Ne jemi lindur shqiptarë dhe do të vdesim po shqiptarë.
Nëse do ju kërkonin të drejtonit Teatrin e Operës, si do të ishte përgjigja juaj?
Nuk e kam menduar ndonjëherë t’i kërkoj gjë drejtorit të radhës të Teatrit, por duke qenë se është një institucion i vështirë për t’u drejtuar, duhet ndihmë nga ana e pushtetit. Për të drejtuar një teatër jam e sigurt që do të them JO! Një balerinë është e vështirë të jetë një drejtuese e mirë e një institucioni aq kompleks siç edhe është Teatri i Operës. Nëse do të më propozohej për ta drejtuar trupën e baletit, mund të mendohesha paksa, gjithmonë në qoftë se ky propozim do të më ishte bërë vite më parë.
Si ishte orari i punës tuaj? Sot si është shkolla jonë e baletit?
Dita e punës fillonte në orën 09:00 deri më 13:00. Pasdite niste rreth orës 17:00 deri në 20:00. Unë nuk them se shkolla jonë e baletit sot është si ato që na kanë përgatitur ne dikur. Pedagogët që na kanë dhënë njohuritë e tyre, vinin nga shkolla të famshme ruse. Megjithatë, mbas disa vitesh tranzicioni, mund të them se shkolla e baletit është në rrugë të mbarë dhe drejtohet nga persona kompetentë dhe me pasion të madh për punën që objektivi është, rritja e kualitetit.
Vëllain tuaj, Ilir Sulejmani, spektatori e njeh në ato pak filma që ka mundur të japë derisa u largua. A është i realizuar atje ku ndodhet sot?
Për Ilirin mund të them vetëm se është mirë në Bruksel dhe duke ndjekur hapat e babait si një kosovar i vërtetë. Tani së fundmi i shoh përsëri filmat që ka xhiruar në Shqipëri. Mendoj se ka gabuar që nuk e ka ndjekur këtë pasion të parë. Sipas meje, ajo ishte rruga e tij.
Sa orë në ditë punoni sot?
Tani mbaj leksione baleti për profesionistë dhe për shkolla baleti kualitative. Jap një ose dy leksione në ditë nga një orë e gjysmë për secilën.
Komentet