Në emisionin “Kafe Shqeto,” të moderuar nga Flavio Qarri, ishte i ftuar Alban Bala, trashëgimtar i pronës ku është ndërtuar Xhamia e Namazgjasë, si dhe ekspert në fushën e komunikimit strategjik dhe marrëdhënieve me investitorët.
Gjatë bisedës, Bala ndau detaje të rëndësishme mbi një proces të gjatë gjyqësor, i cili ka vazhduar prej 10 vitesh, midis familjes së tij dhe shtetit shqiptar. Konflikti lidhet me pronësinë e tokës në të cilën është ndërtuar xhamia e Namazgjasë, si dhe me shkeljet e pretenduara që kanë ndodhur gjatë këtij procesi.
Bala sqaroi se familja e tij kishte rënë dakord me Komunitetin Mysliman për të vënë në dispozicion një pjesë të tokës së tyre për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Ai theksoi se marrëveshja fillestare përfshinte edhe një leje ndërtimi për një objekt civil pranë xhamisë.
Megjithëse fillimisht ata pranuan projektin dhe qëndruan mbështetës të ndërtimit të xhamisë, Bala vuri në dukje se gjatë viteve, parimet e marrëveshjes janë shkelur, duke akuzuar si shtetin shqiptar ashtu edhe Komunitetin Mysliman për keqmenaxhimin e çështjes.
Gjatë intervistës, ai shprehu zhgënjimin e tij për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje, duke theksuar se, megjithëse kishin të drejtën ligjore për të kundërshtuar disa vendime, ata vendosën të respektojnë marrëveshjen fetare dhe morale.
Sipas Balës, problemi thelbësor qëndron në faktin se parimet islame që kanë udhëhequr marrëveshjen janë shkelur nga vetë përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, që, siç tha ai, kanë bashkëpunuar në grabitjen e pronës.
Bala theksoi gjithashtu se do të vazhdojnë betejën gjyqësore me shpresën se drejtësia do të vihet në vend dhe se një ditë Shqipëria do të bëhet pjesë e vlerave europiane, duke reflektuar mbi çështjet e drejtësisë dhe pronës.
‘Ne kemi 10 vjet që jemi në gjyq me shtetin shqiptar, por të jemi të kthjellët për diçka.
Duke qenë se ne kishim rënë dakord me Komunitetin Mysliman, për të ndërtuar atje Xhaminë e Namazgjasë, duke vënë në dispozicion një pjesë konsistente prej mbi 700 e kusur metra katrorë për ndërtimin e xhamisë nga toka jonë.
Ne kemi nënshkruar, kishim një marrëveshje me ta, kjo marrëveshje prodhoi një leje ndërtimi që do të caktonte praktikisht një ndërtim civil pranë xhamisë dhe vetë xhaminë.
Ndërtimi civil u dizenjua nga arkitekti i xhamisë, studio SASA, sepse vendi që ata kishin kërkuar dhe pozicionimi ishte i tillë saqë ne thamë: “Ne nuk e bëjmë dot, bëjeni ju si e mendoni.”
Ata e dizenjuan atë ‘pallatin’ që ishte më pak se 10,000 metra katrorë, dhe prapë e pranuam, sepse ishim dhe mbetemi në favor të ndërtimit të xhamisë. Është shumë e rëndësishme ta them këtë.
Ne kemi ndjekur parime islame në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Parimet islame janë shkelur nga ata që, në fakt, paguhen, njihen dhe qëndrojnë për t’i mbrojtur. Komuniteti Mysliman praktikisht ka bashkëpunuar për grabitjen e pronës. Shteti shqiptar nuk kishte në plan të ndërtonte një muze, toka është grabitur me qëllimin që ne do ta shpronësojmë këtë për të ndërtuar muze, por nuk kishte asnjë lek për muze.
Sipas ligjit, teknikisht, ne mund të kishim ndërhyrë dhe të kishim goditur vendimin e shpronësimit sepse, pas 3 muajsh, nuk kishin filluar punimet.
Ne do të godisnim lejen për ndërtimin e xhamisë, por nuk e bëmë këtë sepse i qëndruam një marrëveshjeje. Kjo marrëveshje është fetarisht e qëndrueshme. Ne pritëm që Komuniteti Mysliman të reflektojë fetarisht, por për fat të keq, gjetëm përballë një palë tërësisht të verbër në aspektin moral.
Ne i qëndruam një parimi, parimit moral për dëmshpërblimin e ndershëm me çmimin e tregut. Për këtë ka të paktën 2 kazuse të qëndrueshme që ne ia kemi parashtruar gjykatës.
Kemi 10 vjet që jemi në gjyq dhe do të vazhdojmë procesin gjyqësor me besimin më të plotë që, mirë ose keq, një ditë ky vend bëhet Europë.
Problemi real është që ky vend bëhet për njerëzit, sepse ky vend po bëhet tashmë i pabanueshëm për njerëzit.
Domethënë, të ndërtohet xhami mbi tokë të vjedhur, domethënë të klasifikohet si i tillë objekti…
Politika turke e njeh Komunitetin Mysliman tërësisht të padenjë për ta marrë në dorëzim atë xhami dhe për atë arsye edhe imamin do ta sjellin nga Turqia, sepse praktikisht këta janë ndjekës të Gulen-it dhe janë armiq të asaj qeverie që e ndërtoi atë objekt.
Ai objekt nuk është ndërtuar për xhami; ai objekt është ndërtuar si monument politik i pranisë së ish-Perandorisë Turke në ish-territoret e saj në Ballkan.
Unë, në këtë mes, jam viktimë e grabitjes së shqiptarëve ndaj një shqiptari. Jam viktimë e grabitjes së myslimanëve ndaj një myslimani. Jam viktimë e keqtrajtimit dhe mashtrimit masiv.’- u shpreh Bala.