Mediat ndërkombëtarë vazhdojnë jehonën e protestës së opozitës shqiptare me datë 7 tetor.
Rrjeti i njohur, Al Jazeera shkruan se opozita kërkon një qeveri teknike dhe zotohet se do vazhdojë mosbindjen civile.
“Mbështetësit e opozitës në Shqipëri kanë dalë në rrugë për të kërkuar që qeveria të zëvendësohet nga një kabinet kujdestar teknokratik përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Opozita konservatore ka akuzuar prej kohësh socialistët e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të votimeve të mëparshme dhe uzurpim të pushteteve të gjyqësorit.
Partia Demokratike e ish-kryeministrit Sali Berisha ka mbajtur protesta në parlament gjatë javës së kaluar pasi një prej anëtarëve të saj u dënua për shpifje dhe u burgos në një çështje që e konsideron të motivuar politikisht. Ervin Salianji ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.
Demokratët, të cilët kanë organizuar ndonjëherë protesta të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013, kërkojnë gjithashtu lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak.
Disa mijëra protestues u mblodhën të hënën para godinës kryesore të qeverisë në Tiranë, duke thirrur “Poshtë diktatura” dhe “Berisha, Berisha”. Pas një përplasjeje të shkurtër me policinë, ata hodhën kokteje molotov.
Jashtë selisë së Partisë Socialiste, ata hodhën përsëri kokteje molotov dhe dogjën një poster të kryeministrit, i cili drejton partinë. Të njëjtën gjë bënë edhe para Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë.
Para parlamentit, policia hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
Qindra oficerë policie kishin zënë pozicione për të mbrojtur institucionet qeveritare. Policia tha se trafiku është bllokuar në shumë rrugë në qendër të qytetit.
Policia tha se 10 oficerë u plagosën nga kokteje molotov, sende piroteknike dhe sende të forta. Disa protestues u dëmtuan nga gazi lotsjellës dhe disa u dërguan në spital, sipas mediave lokale.
Sekretari i Përgjithshëm i Demokratëve, Flamur Noka, i dha fund protestës duke u zotuar se “mosbindja civile” do të vazhdojë,” raporton Al Jazeera. sn