Të nesërmen e atentateve të 7 janarit, kam kaluar dy ditë i ngulur përpara televizorit, pa mundur ta shkëpus vështrimin prej lajmeve. Të nesërmen e atentateve të 13 nëntorit, nuk më ka shkuar mendaj as ta ndez fare televizorin. Jam mjaftuar me telefonatat që ju kam bërë miqve e të njohurve që jetojnë në lagjet e goditura (dhe bëhet fjalë për shumë syresh). Mësohesh edhe me atentate. Në vitin 1986 Parisi u godit nga një seri sulmesh me bomba, në vende të ndryshëm publike (Ishte Hezbollah-u libanez, që asaj kohe besoj se mori përgjegjësinë ndaj tyre).
Ishin katër apo pesë atentate, në distancë me ditë larg njëra-tjetrës, ndoshta brënda një jave, nuk e kujtoj mirë. Mirëpo ajo që nuk e harroj kurrë ishte atmosfera e nderë që u krijua në metro ditëve në vijim. Heshtja e nderë në korridoret nëntokësore të metrosë ishte e plotë dhe vështrimet e pasagjerëve kryqëzoheshin me mosbesim. Kjo për javën e parë. Pastaj, pothuaj me shpejtësi, bisedat rifilluan dhe jeta iu rikthye normalitetit. Ideja e një shpërthimi të pritshëm mbeti pezull në ajër, ajo peshonte në mendjet e të gjithëve, mirëpo tashmë kishte kaluar në plan të dytë. Përshtatesh edhe me atentatet. Franca do të rezistojë. Francezët do të dinë të rezistojnë, edhe duke mos lënë pas dore një lloj heroizmi të jashtëzakonshëm bile edhe pa pasur nevojë për një përfshirje kolektive në krenarinë kombëtare.
Do të rezistojnë sepse nuk kanë nga t’ja mbajnë, edhe sepse njeriu përshtatet me çdo gjë. Dhe asnjë emocion njerëzor, bile as frika, nuk është më e fortë si përshtatja, kur ti mësohesh me të.
“Keep calm and carry on”. (Ruaj qetësinë dhe vazhdo përpara). Dakord, do të bëjmë tamam kështu (edhe pse ajme, nuk e kemi një Churchill që e drejton vendin). Krejt ndryshe nga sa mendohet, francezët janë të urtë dhe lejojnë të qeverisen me lehtësi, por kjo nuk do të thotë që janë krejtësisht budallenj. E meta e tyre kryesore mund të definohet si një soj prirje sipërfaqësore me tendencë harresën, dhe prandaj here pas here është e nevojshme që t’u rifreskohet kujtesa.
Situata dramatike ku sot gjendemi u adresohet përgjegjshmërive politike shumë precise; dhe këto përgjegjshmëri politike herët a vonë duhet të analizohen. Është shumë e pamundshme që një oportunist i parëndësishëm që ka zënë kolltukun e kreut të shtetit, ashtu sikur një njeri aspak inteligjent që kryen funksionin e kryeministrit, të mos flasim pastaj për “tenorët e opozitës” (LOL) të mund ta dalin me nder pas kësaj analize.
Cili i dekretoi shkurtimet tek forcat policore, derisa u katandisën në dëshpërim, thuajse të paafta për të kryer obligimet e tyre ? Cili na ka mashtruar për vite të tëra, duke na thënë se kufijtë janë një absurditet démodé, simbol i një nacionalizmi të tejshkuar e të neveritshëm? Kuptohet që këto përgjegjshmëri janë të ndara gjerësisht në kohë.
Cilët udhëheqës politikë e kanë përzierë Francën me operacione absurde e të kushtueshme, rezultati kryesor i të cilave ishte në fillim kallja në kaos e Irakut, e pastaj e Libisë ? Dhe cilët qeveritarë ishin të gatshëm deri pak kohë më parë të përsërisnin të njëjtën gjë edhe në Siri? (Harrova, është e vërtetë që nuk shkuam në Irak, herën e dytë. Për pak u futëm dhe mesa duket Dominique de Villepin do të hyjë në histori veç për këtë, çka nuk është pak: Që nuk e la që Francën, vetëm një here, të vetmen here në historinë e kohëve të fundit, që të merrte pjesë ne një intervenim ushtarak kriminal – dhe për më tepër idiot).
Përfundimi i pashmangshëm dhe shumë i ashpër është se qeveritë që janë zëvendësuar në dhjetë vitet e fundit (njëzetë? tridhjetë?) kanë dështuar në mënyrë të dhimbshme, sistematikisht, mjerisht, në misionin e tyre themelor, që u është besuar si përgjegjshmëria e tyre për të mbrojtur popullin francez.
Populli, nga ana e tij, nuk ka dështuar askund. Në fund të fundit nuk dihet saktësisht se çfarë mendon populli, duke parë që qeveritë pasardhëse janë mbrojtur mirë nga thirrja për referendum (përveç njërit, në vitin 2005, që preferuan të mos merrnin parasysh rezultatin). Sondazhet e opinioneve, të autorizuara gjithmonë dhe – për këtë vlejnë – dëshmojnë pak a shumë në vija të trasha se populli francez ka ruajtur besimin dhe solidaritetin lidhur me ushtrinë dhe forcat policore; se populli francez ka reaguar me zemërim ndaj predikimeve të së “të majtës morale” (morale?) për mikpritjen e refugjatëve dhe emigrandëve dhe se populli francez nuk i ka pranuar kurrë pa dyshime aventurat ushtarake jashtë Francës ku i kanë tërhequr qeveritarët e tyre.
Mund t’i shumëzojmë pafundësisht shembujt e dështimeve – sot shumë të thella – krijuar midis qytetarëve dhe atyre që do të duhej t’i përfaqësonin. Diskreditimi që sot ka goditur në Francë klasën politike nuk është vetëm jashtëzakonisht i madh por edhe legjitim. Dhe më duket se zgjidhja e vetme që mbetet si forma e vetme e demokracisë të vërtetë, është demokracia direkte dhe e drejtpërdrejtë.1*
1* Demokracia e direkte e drejtëpërdrejtë është modeli i Zvicrës – shënim i shqipërueses E.B.
*Michel Houellebecq shkrimtar francez, autor i “Nënshtrimi”-t
Shqipëroi Elida Buçpapaj, marrë nga Correre della Sera
Komentet