Nga Peter Van Buren, SPECTATOR
Shteti ligjor amerikan, që këto ditë duket kaq i çmuar për këta demokratët më të shenjtë se Papa, varet te një gjë mbi të gjitha: në besimin e shumicës se ndërsa askush nuk është mbi ligjin, ai do të zbatohet me drejtësi për ata që prek. E doni apo e keni inat Trump-in, kaq gjë e dini: ajo që po ndodh në Manhattan tani është e padrejtë dhe e papranueshme për një komb që dikur mburrej se besonte te shteti ligjor. Cili nga amerikanët besojnë ende sot?
Akuza e vulosur më parë tregon se Donald Trump u akuzua për 34 vepra penale të falsifikimit të dhënave të biznesit. Ky krim normalisht ndiqet penalisht si kundërvajtje në Nju Jork. Por zyra e Bragg-ut me sa duket i ngriti të gjitha akuzat për krime me arsyetimin se sjellja kishte për qëllim fshehjen e një krimi tjetër themelor: shkeljen e ligjit për financimin e zgjedhjeve (‘me qëllim mashtrimi dhe me qëllim kryerjen e një tjetër krimi dhe për të mundësuar e fshehur kryerjen e tij’) .
Ka më shumë tym sesa zjarr dhe nuk është çudi që Prokurori i Qarkut donte ta mbante këtë rrëmujë të mbyllur sa më gjatë të ishte e mundur dhe gjyqtari nuk do të lejonte kamerat në sallën e gjyqit. Sa e padrejtë është kjo në mënyrë specifike?
Dy shkelje themelore prokuroriale. Nëse duhej të akuzohej për diçka, Trump do të ishte akuzuar për një kundërvajtje të thjeshtë, të ashtuquajturin falsifikimin e të dhënave të biznesit, për paratë që i pagoi ligjërisht Stormy Daniels dhe të tjerëve si pjesë e një marrëveshjeje moszbulimi si ‘shpenzime ligjore’ si dhe pagesa për National Enquirer për të ‘kapur dhe vrarë’ një histori rreth lidhjes së pretenduar të Trump me Karen McDougal dhe histori të tjera.
Rasti i përgjithshëm nuk ka viktimë “krimi” nga Trump dhe në thelb është vetëm një stuhi mbi kontabilitetin. Përplasja e gjithë kësaj deri në akuza për krime të bazuara vetëm në supozimin e Bragg se gabimi është bërë me qëllimin për të mashtruar ligjet e financimit të fushatës është thjesht e tepërt. Po përpiqet ta bëjë të gjithë këtë të duket më e rëndësishme nga sa është në të vërtetë.
Ngatërrimi i kartave, shkelja e dytë themelore e prokurorisë, i referohet përpjekjes së Prokurorit të Qarkut për ta ndarë një “krim” në sa më shumë pjesë të mundshme (34 pika, një për çdo çek të dhënë avokatit Michael Cohen, me pretendimin për Stormy Daniels, e të tjera). Ai ekzagjeron edhe rëndësinë e gjithçkaje dhe ndihmon në justifikimin e rritjes së shkallës së kundërvajtjeve.
Alvin Bragg e bazoi kandidaturën për postin mbi ndjekjen penale të Trump-it. Ai po mban një premtim të fushatës dhe po u kthen besimin përkrahësve të tij. Bragg, sipas fjalëve të profesorit të drejtësisë, Jonathan Turley, kishte një ‘proces shumë publik, pothuajse hamletian, ku debatonte nëse ai mund ta realizonte këtë teori “bootstrapping” [përplasja e kundërvajtjeve deri në krime]. Ai e ndaloi për njëfarë kohe dhe pati presion për ta vazhduar. E gjithë kjo përmban më tepër politikë sesa dispozitë prokurorie’
Në të vërtetë, nëse Bragg do të kishte parë me korrektesë precedentët, ai do të ishte ndeshur direkt me çështjen John Edwards. Edwards, një ish-senator dhe kandidat demokrat për zëvendëspresident më 2004, u padit më 2011 me akuzat për shkelje të ligjeve të financimit të fushatave gjatë fushatës presidenciale 2008. Akuzat erdhën nga pretendimet se Edwards kishte përdorur gati 1 milion dollarë në kontribute të paligjshme për fushatën për të fshehur një lidhje jashtëmartesore gjatë fushatës.
Autoritetet pretenduan se Edwards kishte marrë pará nga dy donatorë të pasur dhe i përdori ato për të mbështetur partneren dhe fëmijën e tyre në këmbim të heshtjes, çka përbënte një shkelje të ligjeve të financimit të fushatës, të cilat kufizojnë sasinë e parave që individët mund të kontribuojnë në një fushatë dhe kërkojnë që këto kontribute të bëhen publike. Edwards pohoi se pagesat ishin dhurata dhe jo kontribute për fushatën, dhe për këtë arsye nuk i nënshtroheshin ligjeve të financimit të fushatës. Juria e shpalli të pafajshëm Edwards për akuzën për shkelje të ligjeve të financimit të fushatës dhe bllokoi pesë pikat e mbetura. Prokuroria përfundimisht vendosi të mos apelonte.
Nëse kjo është gjithçka që kanë gjetur gjatë viteve të fiksimit për të shkatërruar Trump-in, ai duhet të jetë personi më i pastër që ka mbajtur ndonjëherë postin. Siç ka thënë ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Robert Jackson, dekada më parë për padrejtësinë, ‘çështja nuk është te zbulimi i një krimi e pastaj te gjetja e personit që e ka kryer atë; çështja është t’i vësh gishtin një personi e pastaj të hapësh librat e ligjeve apo të vësh hetuesit në punë për të gjetur ndonjë shkelje për t’ia ngjitur atij”, diçka që është thelbësisht e padrejtë.
Për hir të kombit, çdo aksion kundër Trump duhet të ruajë atë çka ka mbetur nga besimi te ligji, i zbatuar pa frikë apo favore, ose të rrezikojë heqjen e të drejtës civile në mos jo trazira të drejtpërdrejta civile. Për ta bërë këtë, dikush do të duhet të trajtojë rastin e Hillary Clinton, e cila kishte një server privat të pasiguruar për postës elektronike ku përpunonte materiale të supozuara të klasifikuara. Clinton shkatërroi dhjetëra mijëra emaile, prova të mundshme, si dhe telefona fizikë dhe BlackBerry.
Fushata e Hillary dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat (DNC) bënë diçka të keqe edhe duke paguar për Dosjen Steele si ‘shpenzime ligjore’ dhe jo shpenzime të fushatës, dhe u përballën me vetëm një gjobë të Komisionit Zgjedhor për ‘gabimin’ e tyre kontabël.
Përveç kësaj, ata që pretendojnë se akuza kundër Trump është e drejtë do të duhet të llogarisin edhe faktin se fushatat presidenciale të Barack Obama-s në 2008 dhe 2012 u zbuluan se kishin shkelur ligjet e financimit të fushatave dhe asnjëherë nuk u bënë akuza. Kjo pavarësisht faktit se gjatë fushatës së vitit 2008, donatorët ishin në gjendje të jepnin kontribute duke përdorur emra fiktivë, si “Mickey Mouse” dhe “Donald Duck”, dhe fushata u kritikua se nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar donacionet mashtruese. Një tjetër polemikë përfshin përdorimin e kartave të kreditit me parapagesë të pagjurmueshme nga fushata e Obamës, gjë që ngriti shqetësime për mundësinë e kontributeve të huaja të paligjshme. Nuk u ngrit asnjë akuzë.
Ky problem shkon përtej politikës presidenciale. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, shkroi në Twitter: “Prokuror i Qarkut Alvin Bragg po abuzon me detyrën duke shënjestruar Presidentin Trump, ndërkohë që ai e ka reduktuar shumicën e krimeve [në NYC], përfshirë krimet e dhunshme, në kundërvajtje. Ai ka rregulla të ndryshme për kundërshtarët politikë”. Taktikat e Prokurorit të Qarkut kanë çuar në një rritje të krimeve të kryera në Manhattan pasi ndjekjet penale kanë rënë. Bragg pretendon se barazia kërkon që ai të përndjekë penalisht në mënyrë selektive; ai reduktoi 52 për qind të të gjitha akuzave për krime në kundërvajtje, e kundërta e asaj që i bëri Trump-it.
Nëse standardet e Nju Jorkut qëndrojnë, atëherë ndërsa kjo është akuza e parë ndaj një ish-presidenti, nuk ka për të mbetur e fundit. Çdo prokuror lokal në vend tani do të ndjejë se ka dritën jeshile për të hetuar dhe ndjekur penalisht presidentët pasi ata të lënë detyrën. Demokratët që jargaviten mbi akuzat kundër Trump-it do të ndihen ndryshe kur një demokrat i shquar të jetë objekt i një përpjekjeje të ngjashme nga ndonjë prej mijëra prokurorëve të zgjedhur në prokuroritë lokale, të etur për të forcuar kockat duke goditur një president. Ndoshta çështja e radhës do të jetë pas rastit Hunter Biden?
A mund të arrijnë gjërat në pikën ku shtet ligjor do të thotë që një kandidat republikan do të duhet të qëndrojë jashtë shteteve blu për të shmangur ndjekjen penale? Trump shkoi vullnetarisht në Nju Jork; imagjinoni sikur të kishte qëndruar në Florida dhe të kishte luftuar një përpjekje ekstradimi për ta çuar atë në Manhattan. Tani imagjinoni Joe Biden të plakur si një i burgosur virtual i një kasaforte demokratike në Delaware. Historianët do të duhet ta quajnë atë Ligji Bragg. syri.net