Dyert e teatrit Dodona në Prishtinë u hapën për aktoren e re Yllka Lota e cila solli premierën e monodramës “Rruga 42” (42nd Street), pas asaj në New York që u shfaq në qershor. Është kjo një mondramë e shkruar dhe e drejtuar nën regjinë e Diar Xanit.
Yllka interpreton disa karaktere, aktron, këndon dhe kërcen me shumë emocion pa dalë fare nga skena për më shumë se 40 minuta. Shtjellohet jeta e emigrantes së sapo ardhur në Amerikë me peripecitë dhe jetën plot të papritura dhe realitetin e ashpër Nju Jorkez.
Brenda personazhit Liberta, shumë emigratë e gjejnë veten, shumica prej tyre të paktën një herë kanë hasur nëpër sfidat të tilla. Peripecitë janë të panumërta dhe shumë reale e që përkojnë me aktualitetin e dhimbshëm të emigrantëve shqiptar.
Yllka mrekullisht është mishëruar me personazhin, duke pasur parasysh se është e vetmja aktore në skenë, i vetmi zë që duhet të përçoj te publiku emocionin e duhur dhe në këtë formë cilësitë e saj vihen në pah akoma dhe më shumë.
Kalimi nga një skenë në tjetrën duket se e vështirëson lojën skenike, por aktorja brilante ia del për mrekulli. Aktrimi i tri punëve, monologu me miun, ndryshimi i veshjes së saj në çdo krakter brenda monodramës, paraqet risi për teatrin kosovar, për çka adhuruesit e artit skenik e admiruan dhe e duartrokitën tej mase këtë artiste të re e të talentuar.
Aktrimi gjenial i Yllka Lotës të emocionon, të bën të qash e të qeshësh, mbetesh pa frymë deri në skenën e radhës.
