Pas lajmit të disa viteve më parë, kur pamë një pamje tjetër të aktores Hajrie Rondo, për shkak të luftës së saj me sëmundjen e rëndë, na vjen sërish një lajm i keq prej saj.
Prej pak ditësh, saktësisht të hënën e javës që sapo shkoi, Rondo i është nënshtruar sërish një operacioni në kokë.
Pas njoftimit të Përparim Kabos, për gjendjen e aktores: “Një lajm i trishtë,… mikja jonë e shtrenjtë, artistja e shquar Hajrije Rondo, është shtruar në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje të rëndë… Mike e dashur, e di që më dëgjon… Ajo ditë në Fier, kohë Pashkësh në atë takim, ishte shumë e bukur, ishte e kthjellët si je ti në shpirt, ishte me dritë si drita e syve të tu, kishte kumbim se atje fole Ti me shpirtin e zërin e bukur, dhe me krenarinë e mençur…
T’i nis këto fjalë nga zemra ime …dhe jam me ty, trimja jonë… Nga sot lutem për ty…”, -kontaktuam me vajzën e saj, Klea Ikonomi, e cila pohoi se gjendja jo e mirë ishte rikthyer krejt papritur. “Kishte vetëm 10 ditë që nuk ndihej mirë, ishte e pafuqishme, prandaj shkoi të bënte një skaner, pas të cilit bëri menjëherë ndërhyrjen. Tani është më mirë, presim që të përmirësohet, ndonëse vazhdon të jetë e shtruar në spital”, na thotë Klea, që ka zgjedhur të ketë të njëjtin profesion me të së ëmës. Pikërisht Kleas i jemi drejtuar edhe më parë, për të më- suar rreth gjendjes shëndetë- sore të Hajries, e cila pas terapisë së gjatë, zgjodhi të ishte më e tërhequr, por pa i larguar asnjëherë nga portreti mimikat e humorit të saj.
RIKTHIMI ME “TRE DHËNDURËT” PAS RIKUPERIMIT
Hajrie Rondo, edhe pse ndenji për një kohë të gjatë në heshtje skenike, në një moment, vendosi të rishfaqet, ashtu energjike siç është në karakter, në Teatrin e Metropolit në Tiranë, me dramën “Tre dhëndurët” të dramaturgut të njohur shqiptar, Dionis Bubani. Hajrie Rodo ka sfiduar sëmundjen që e mbajti prej më shumë se pesë vjetësh larg nga skena dhe ekrani, për të luajtur rolin e Zenepes. Për aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo, pjesëmarrja në këtë shfaqje e ka bërë të ndihet mirë. “Erdha në kohën e duhur dhe vendin e duhur, sepse gjeta ekipin e duhur, njerëzit e duhur dhe institucion me dinjitet. Pashë që në këtë institucion punohet dhe dinjitetin ta jep puna, dhe unë njerëzit e punës i dua dhe i respektoj. Pashë një drejtoreshë tjetër, jo nga ato tipiket, puna e saj është maratonë.
Më janë krijuar kushtet dhe më është lehtësuar puna. Gjithashtu, edhe një regjisore të talentuar, egzigjente, punëtore dhe bashkëpunuese të mirë. Falënderoj dhe gjithë ekipin e aktorëve për komoditetin që më kanë krijuar”, pati thënë Rondo, duke e parë këtë edhe si një largim nga realiteti në të cilin ajo, do apo jo, me gjithë forcën, kujtohet përditë! “Arrita t’i bëja paralelisht të dyja: edhe terapitë mjekësore, edhe terapinë shpirtërore, që është teatri. I vendosa në peshore dhe ia dola”.
MEDALJA E MIRËNJOHJES “SIMBOLI I QYTETIT”
Ndërsa shfaqte komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët, aktorja Hajrie Rondo u prit disa muaj më parë në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.
Rondo, duke falënderuar Bashkinë, foli për sëmundjen e vet dhe theksoi se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo sukses, duke përballuar edhe sfidat që sjell jeta. “Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vë- mendjen tuaj. Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur.
Ne kishim premierën në Teatrin e Metropolit dhe unë jam pjesë e asaj shfaqjeje. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën, isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë?
Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha njëçikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”, u shpreh aktorja Rondo. Sot jemi ne që shpresojmë që aktorja t’ia dalë sërish!
Komentet