Të madhin, Agim Qirjaqi pata rastin ta njoh nga afër në vitin 1987. Atë vit kreva në Tiranë (Shtëpia e Krijimtarisë Popullore), një kurs 5- mujor për regjisurë. Unë vija nga rrethi i vogël i Kolonjës, të tjerët nga rrethet e tjera. Aktorët e Teatrit Kombëtar i ndiqnim në prova dhe kur jepnin shfaqje, pasi ndjekja e tyre ishte pjesë e programit mësimor. Mes aktorëve të mirënjohur vëmendjen e kursit tonë e tërhoqi edhe aktori Agim Qirjaqi. Dikush prej aktorëve me të cilët ishim miqësuar, më tha: “Edhe Qirjaqi nga Kolonja është”. Më vonë mësova se ai ishte nga fisi i Qirjaqëve të Rehovës, fshat i hershëm dhe me tradita, rrëzë malit të Gramozit mbi qytetin e Ersekës. Të qenit e tij nga Kolonja zgjoi tek unë interes të veçantë, ndoshta ngaqë ishim nga i njëjti vend. Kjo më nxiti për të mësuar më shumë mbi jetën aktoriale të Qirjaqit. Ditën që u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, ndieva vërtet një kënaqësi të veçantë. Ishin të shumtë kolonjarët që shprehën mirënjohjen ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta. “Ai është bir i Kolonjës, – shtonin të tjerët, – foli me teatrin absurd kur jetonim kohët absurde”.
Kush ishte Agim Qirjaqi
Vlerësimet për aktorin, regjisorin dhe pedagogun Agim Qirjaqi u bënë gjithnjë e më të shpeshta, e quajtën: aktor të mrekullueshëm dhe regjisor plot fantazi. Talent nga më të spikaturit, aristokrat i vërtetë, regjisor mendjehapur dhe aktor elegant. Fjalëpakë dhe sanguin në skenë, poliedrik dhe inteligjent, yll në kinematografi dhe në teatër, i suksesshëm në rolet dramatike dhe komike. Hynte lehtësisht në psikikën e personazhit, skalitës i roleve që s’vdesin; racional në zbërthimin dhe ndërtimin e karaktereve të personazheve; aktor intelektual me logjikë absolute interpretimi dhe finesë; përçues me efikasitët i nëntekstit etj. Loja e tij përshkruhej në këto terma: Gjithmonë aktor me sens mase, i përmbajtur, pa teprime, pa artifice, me aftësi për t’u distancuar nga roli, me përgjegjësi krijuese dhe amplifikime emocionale në rolet kinematografike dhe në teatër. Pathosi, forca e fjalës, stili dhe individualiteti i tij e bënin të rrallë çdo karakter. Ai ishte edhe një pedagog i përkushtuar. Vëmendje tërhiqte edhe portreti i tij. Përshkrimet në shtyp ishin të tilla: “Portret ekspresiv, vështrim të thellë dhe mimikë të pasur. Tek ai spikaste diçka filozofike jo vetëm te portreti, por edhe te qendrimi, që e tregonin Qirjaqin ndryshe nën lëkurën e tij; ishte një aktor i mirë brehtian, ndaj edhe dekorimi i të madhit Agim Qirjaqi u prit mirë nga kolegët, adhuruesit e tij, dashamirësit e artit dhe njerëzit, por fatkeqësisht talenti i tij, nuk u shpreh deri në fund. Kishte ende shumë për të thënë…
Dhimbje për ikjen e Qirjaqit
Trishtimin e thellë të ikjes së Agim Qirjaqit e tregon me shumë dhimbje, miku i tij, aktori i mirënjohur kosovar, Çun Lajçi, me më shumë se 200 role në teatër e mbi 30 në kinematografi, bashkë me aktorin Bajrush Majkun. Ata mbërritën në Tiranë bashkë me trupën e aktorëve me komedinë “Tartuf” të Molierit që flet për një klerik që kishte fituar simpatinë e besimtarëve, por që në të vërtetë nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një gënjeshtar i keq. (Premiera e kësaj komedie në Kosovë ishte dhënë më 17 dhjetor 2008, në Tiranë erdhën më pas). Pas përfundimit të provave, aty nga ora 11.00, me të dalë në oborrin e Teatrit Kombëtar mbetën si të ngrirë. Lajçi dhe Majku u vështruan me habi sikur donin të pyesnin njeri-tjetrin: “Të jetë e vërtetë kjo që po shohim?!” Përpara tyre qëndronte aktori i madh Agim Qirjaqi, dikur shtatlartë, tashmë i kërrusur, i vetmuar, i dridheshin këmbët, koka e gjithë trupi. Lëvizte me vështirësi. Lajçi nuk donte ta besonte që ai ishte Agim Qirjaqi me të cilin në vitin 1998, për tre muaj me radhë, kishin xhiruar filmin “Kolonel bunker”, me regji dhe skenar të Kujtim Çashkut, ku Qirjaqi interpretonte rolin e kolonelit Muro Neto, i cili njihej si “Kolonel bunker”. Bëhej fjalë për bunkerizimin që i ishte bërë popullit shqiptar. Bashkë me Qirjaqin kishin hyrë e dalë në dhjetra bunkerë anë e kënd Shqipërisë, gjatë kësaj kohe u bënë shumë miq. Më pas ishin takuar në premierën e filmit ndërsa njëherë tjetër e kishte patur mysafir në Prishtinë.
Folën sytë e tij
Çun Lajçi bashkë me Majkun bëri drejt tij, por Qirjaqi nuk e njohu që në fillim, bëri të pamundurën për ta nxjerrë nga kujtesa mikun e harruar, por nuk po mundej. U përpoq të fliste por ajo që tha nuk u kuptua, ishte tepër e mundimshme për të. Kur gjithçka iu kthjellua, sytë iu mbushën me dritë… E kishte marrë malli… U përqafuan… Agim Qirjaqi prej kohësh vuante nga alzaimeri (parkinsoni i avancuar), nuk i gjente dot më fjalët. Kështu i kishte ndodhur edhe te drama sociale “Pjata prej druri”, harronte batutat. Po atë çast, Lajçit i lindi ideja që bashkë me Bajrushin ta çonin Qirjaqin për drekë në Durrës. “Do drekojmë bashkë në Durrës, i tha, të hamë peshk si atëherë me polakët kur xhironim dhe të pimë verë të kuqe…” Për të shkuar deri atje mund të udhëtonin me makinën e Agim Qirjaqit. “Benz”-i tij, kishte muaj që rrinte pa lëvizur në oborrin e Teatrit. Dikush prej aktorëve që dëgjoi bisedën e tyre i tha Lajçit me zë të ulët: “Kolegë, nëse e merrni Gimin (kështu e thërrisnin shkurt Qirjaqin), do të bëni shumë mirë sepse gati të gjithë e kanë harruar, kolegët e tij ikin nga ky.” U nisën të tre. Mbërritën te Plepat, pranë hotel “Adriatikut”. Shkuan atje ku i pëlqente Qirjaqit, ku porositi peshk të egër e fruta deti, ato çaste ndihej vërtet i lumturuar, e kishte nxjerrë mikun e tyre nga harresa dhe vetmia…
Vetmia e Agim Qirjaqit
“Shumë herë m’i puthi duart gjatë drekës, – tregon aktori Çun Lajçi. “Ke bërë sevap me mua, – i thoshte Qirjaqi, – sepse që prej kohës së xhirimeve këtu në plazhin e Durrësit, kurrë më s’kam qenë. Nuk rri kush më me mua, e lëre të më gostis diku me ndonjë drekë apo darkë”. Ishte e dhimbshme ajo që po më tregonte aktori i madh shqiptar i qindra roleve, – rrëfen Çun Lajçi. E mjerueshme m’u duk Shqipnia atë ditë. Të mjerueshëm edhe kolegët e mi shqiptarë. Po si iket nga nji yll filmi e teatri për shkak të sëmundjes, – i thosha vetes. E ktheva në Tiranë, “Benzin” ia parkova aty ku deshi ai. Nuk di a hyri në sallë m’e pa “Tartufin” e kolegun Çun atë natë, sepse kur u ndamë më tha: “Po shkoj pak me pushu se jam i lodhur, dhe m’i puthi prapë duart, tue belbëzuar: “Ma mbushe zemrën plot jetë sot, more kosovari im! Ajo natë, krejt e zezë, na ndau përgjithmonë, tue ma lanë kujtimin e një dreke e të një filmi. Vdiq n‘vetmi tue iu dridhë duar e kambë. Medet që s’mujta me marrë pjesë në varrimin e tij, se fatkeqësisht isha në sheshxhirim te Guri i Zi në Shkodër, e regjisori amerikan s’ma plotësoi dëshirën kur e luta. “Nuk guxoj prej producentit me ndërpre xhirimin”, – më tha. “Unë kurrë s’e harrova drekën e fundit me Ty Agim Qirjaqi dhe “Benzin” tand që mbet’ shkret’ n‘oborrin e Teatrit Kombëtar…”. Ndaj dekorimi i Presidentit Ilir Meta me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, erdhi si një balsam mbi brengat e kolegëve që e deshën dhe si kujtesë për ata që e harruan.
Regjisor i teatrit absurd
Agim Qirjaqi u lind në Kolonjë më 27 janar 1951, banoi në Tiranë, në lagjen Nr.1, rruga “Labinoti”, te Pallati i oficerëve. Në vitin 1972 përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, po atë vit filloi punë në Teatrin Kombëtar. Në fillesat e tij përmenden interpretimet te “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit” etj. Talenti i Qirjaqit u zbulua nga regjisori Viktor Gjika, i cili i dha rolin e profesorit te filmi “Rrugë të bardha”. Dy vjet më vonë regjisori Dhimitër Anagnosti i dha rolin e drejtorit të shkollës tek “Lulekuqet mbi mure”, ku fitoi çmimin e parë në Festivalin e II, më 1977; po atë vit Kristaq Mitro i ofroi kolonelin gjerman te “Dimri i fundit”. Pastaj erdhën filmat: “Streha vorfnore”, “Radiostacioni”, “Apasionata”, “Tela pët violinë”, “Rrethi i kujtesës”, Stola në park” etj. Në vitin 1978, u dërgua si regjisor në Radiotelevizionin shqiptar, ku qëndroi deri në vitin 1982, kur u rikthye në teatër. Më 1989 u dërgua nga Teatri Kombëtar për një trajnim 2- vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe paskësaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës.
Pas viteve ‘90
U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë, por pa u shkëputur nga rolet në teatër dhe film. Në vitin 1992, Agim Qirjaqi ishte edhe anëtar i bordeve të Studios “Alba film” dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit. Pas viteve ’90, solli edhe kryerolin e “Kolonel bunker” dhe “Rikardi”-n III të Shekspirit. Në nëntor të vitit 1993, u shpall regjisori më i mirë i Festivalit të Parë të Teatrove mbarëshqiptarë me komedinë “Fando dhe Lis” e Fernando Arrabal; në vitin 1994 në bashkëpunim me regjisorin Mehmet Xhelili vuri në skenë “Këngëtarja tullace” të Joneskos. Më 19 prill 1995, solli komedinë “Marrëzi e madhështisë” të Jani Durit dhe Vangjel Kozma sipas motiveve të romanit të famshëm “Don Kishoti” dhe më pas dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit etj. Tashm aktori dhe regjisori Qirjaqi kërkonte shpjegimin e psikikës njerëzore. Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”.
Në sezonin 2002-2003 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.
Hera e fundit qe aktori Agim Qiriaqi u ngjit ne skene ishte ne vitin 2006 per dramën “Pjata prej druri”, gjithashtu komedia “Këngëtarja tullace” u përkthye prej tij. Agim Qirjaqi u nda nag jeta më 28 mars të vitit 2010 në Tiranë. Gjatë qëndrimit në spital pati pranë vajza e tij që banonte në Itali. Qirjaqi ishte i martuar, por në vitin 1982 kishin bërë zgjidhje martese. Në fund të jetës së tij qendroi për pak kohë në shtëpinë e pleqve.
Nga Fjala e Presidentit Meta
“Të nderuar përfaqësues të artit, aktorë, regjisorë, të nderuar familjarë. Jemi sot, së bashku për të vlerësuar një figurë të shquar të artit tonë skenik aktorin, regjisorin dhe profesor Agim Qirjaqin, në ditën e 70-vjetorit të lindjes. Edhe pse zoti Qirjaqi nuk ndodhet fizikisht mes nesh prej kohësh, rolet e realizuara në kinematografi, apo veprat e vëna në skenë, nën regjinë e tij, mbeten në memorien e artdashësve. Ashtu siç mbetet në memorien e studentëve të tij, në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve), puna e tij e përkushtuar si pedagog.
Ndër të tjera presidenti tha:
I vënë në krye të artistëve sindikalistë, profesor Qirjaqi mbrojti çështjen e Teatrit, duke dalë kundër shembjes së tij dhe kundër ligjit ‘Për Teatrin’. Në karrierën e tij të gjatë, një nga figurat më të realizuara artistikisht, është ajo e Kolonelit Bunker, puna e tij krijuese arrin majat më të larta me këtë rol dramatik. Me përvojën e tij të jashtëzakonshme, Agim Qirjaqi do të vazhdonte të jepte kontributin e tij për teatrin dhe kinematografinë shqiptare. …Si një profesionist që asnjë herë nuk bëri kompromis me profesionin e tij dhe mbeti besnik i vetvetes, i teatrit dhe i filmit. Një njeri që gjithë jetën dashuroi profesionin dhe vetë jetën. Me mirënjohje për nivelin e jashtëzakonshëm të aktrimit dhe profesionalizmin e spikatur, për personalitetin e rrallë artistik e njerëzor, si dhe për përkushtimin në përçimin e dashurisë për artin tek brezat e shumtë të studentëve, si dhe për mbrojtjen e Teatrit dhe trashëgimisë sonë kulturore, vlerësoj sot, zotin Agim Qirjaqin, pas vdekjes, me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’”.
Disa nga rolet e Agim Qirjaqit në Teatër dhe Kinematografi
“Familja e peshkatarit”
“Orët e Kremlinit”.
“Hijet e natës”
“Rikardit III” etj.
“Rikardi III” të Shekspirit (1992)
“Fando e Lis” të Arrabalit,
“Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma,
“Këngëtarja tullace” të Ioneskos
“Armiku i popullit” të Ibsenit.
Filmografia:
Kronikë provinciale (2009)
I dashur armik – (2004)
Parullat – (2001)
Colonel Bunker – (1998)
Dasma e Sakos – (1998)
Viktimat e Tivarit (1996)
Misioni përtej detit – (1988)
Stolat në park – (1988)
Rrethi i kujtesës – (1987)
Tela për violinë – (1987)
Apasionata – (1983)
Në prag të lirisë – (1981)
Agimet e stinës së madhe – (1981)
Sketerre 43 – (1980)
Radiostacioni – (1979)
Dimri i fundit – (1976)
Lulëkuqet mbi mure – (1976)
Rrugë të bardha – (1974)
Për hartimin e këtij shkrimi iu referuam materialeve të poshtëshënuara:
-Mbrojti çështjen e Teatrit: Presidenti Meta, vlerëson pas vdekjes me “Nderi i Kombit” aktorin e mirënjohur Agim Qirjaqi: Besnik i vetëvetes
-Amaneti i Agim Qirjaqit: shembja e Teatrit është aferë e ndyrë
-Çun Lajçi: Agim Qiriaqi, si u nda nga jeta në vetmi tue iu dridhë duar e kamë
-Përse nuk ka asnjë dokumentar kushtuar këtij njeriu? Film apo një libër, një biografi?
-Agim Qiriaqi, ditët në agoni të aktorit
-Teatri i shqetësuar i Agim Qirjaqit
-Tre vite pa Agim Qirjaqin, miqtë dhe kolegët përkujtimore në kafen e tij të preferuar
-Agim Qirjaqi, një aktor i veçantë, që u largua nga jeta kur i duhej skenës dhe ekranit
Komentet