Revista amerikane ‘Time’ ka zgjedhur aktivisten iraniane të të drejtave të njeriut dhe prezantuesen e emisioneve televizive në Zërin e Amerikës, Masih Alinejad, në mesin e 12 Grave të Vitit. Gazetarja e cilësoi vendimin e papritur e frymësues, duke ia kushtuar këtë vlerësim, grave dhe burrave të Iranit.
Revista me bazë në Nju Jork “Time” e nderoi aktivisten Masih Alinejad, për rolin e saj në mbështetje të protestave të vazhdueshme antiqeveritare në Iran. Masih Alinejad, e cila jeton në mërgim që nga viti 2009, i tha Zërit të Amerikës se vlerësimi ishte i papritur, por frymëzues. Ajo ia kushtoi atë grave dhe burrave të Iranit.
“Ka shumë heronj në Iran që thonë se ajo që thuhet se është liri nuk është e tillë, por ne jemi gati të paguajmë një çmim për të. Për mua, kjo është një mundësi për t’ia kushtuar vlerësimin që më bëri revista ‘Time’, grave të guximshme të Iranit, e burrave të guximshëm që qëndrojnë krah tyre, për t’i thënë jo Republikës Islamike“, thotë Masih Alinejad, gazetare dhe aktiviste.
Demonstratat në Iran filluan si kundërpërgjigje ndaj vdekjes në paraburgim të 22 vjeçares Mahsa Amini, shtatorin e kaluar. Ajo u arrestua nga e ashtuquajtuara polici e moralit, nën dyshimet se nuk e kishte vendosur siç duhet hixhabin (shaminë e kokës), duke mos iu përmbajtur sipas autoriteteve, kodit të rreptë të veshjeve, që zbatohet në Iran për gratë.
Protestat mendohet se përbëjnë kërcënimin më të madh ndër vite për regjimin iranian të udhëhequr nga Ayatollah Ali Khamenei. Zonja Alinejad tha për revistën ‘Time’ se gratë e Iranit janë armiku i tij më i madh.
Gazetarja Alinejad ka raportuar për abuzimin me të drejtat e njeriut dhe korrupsionin brenda qeverisë iraniane, si dhe ka udhëhequr një lëvizje në median sociale, kundër ligjeve të këtij vendi, të cilat i detyrojnë gratë të mbajnë hixhab.
Për shkak veprimtarisë së saj, ajo u bë objektiv i një komploti për ta rrëmbyer dhe kthyer me forcë në Iran, e të paktën një tentative për ta vrarë, të dyja të lidhura drejtpërdrejt me qeverinë iraniane. Redaktorja ekzekutive e revistës ‘Time’, Naina Bajekal dhe redaktorja e lartë Lucy Feldman, thanë se në listë përfshihen ato gra me rol udhëheqës, e ndikim të madh, që përdorin zërin e tyre për të luftuar për një botë më të barabartë.