Aktivistët në Gjeorgji penguan një dasmë të mbajtur jashtë kryeqytetit Tbilisi, ku mendohet se po merrte pjesë vajza e ministrit të Jashtëm të Rusisë.
Sipas raporteve nga mediat gjeorgjiane, Yekaterina Lavrov, vajza e Sergei Lavrov, pritej të merrte pjesë në një festë pas dasmës, në një vendpushim malor në lindje të Tbilisit më 20 maj.
Dasma u tha se ishte e vëllait të Aleksandr Vinokurov, që është bashkëshorti i Yekaterina Lavrov.
Protestuesit nacionalistë organizuan një tubim jashtë resortit, duke u përplasur shkurtimisht me policinë, e cila arrestoi të paktën 16 persona.
Sipas raportimeve të mediave, disa protestues hodhën vezë mbi minibusët që dilnin nga hoteli, duke thirrur: “Rusët nuk kanë vend në Gjeorgji!”
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse festa pas dasmës ndodhi në të vërtetë apo jo. Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili tha se nuk nodhi, dhe se të ftuarit e dasmës tashmë ishin larguar nga lokacioni.
Një kanal televiziv opozitar më 19 maj publikoi një video të asaj që thoshte se ishte një ceremoni martese në një zyrë të regjistrit të martesave në Tbilisi. Ishte e paqartë nëse Lavrov mori pjesë në këtë ceremoni.
Zurabishvili tha gjithashtu se një ligjvënës rus kishte marrë pjesë në ceremoni.
“Kam marrë një premtim nga ministri i Punëve të Brendshme që familja, njerëzit që do të festonin dasmën sot, u larguan. Dasma nuk do të mbahet. Kjo është një fitore për shoqërinë, si dhe largimi i [deputetit të Dumës së Shtetit Sergei] Gavrilov nga ky vend”, tha ajo.
Incidenti ndodhi pasi Gjeorgjia u rivendosi fluturimet e ndërprera prej kohësh midis Tbilisit dhe kryeqytetit rus, Moskës. Më 19 maj, një aeroplan rus me pasagjerë u ul në Tbilisi – i pari që kur presidenti rus Vladimir Putin hoqi një ndalim-fluturimin e vitit 2019 javën e kaluar.
Ardhja e avionit u prit me protesta si në aeroportin e Tbilisit ashtu edhe në vende të tjera.
Marrëdhëniet zyrtare diplomatike midis dy vendeve nuk kanë ekzistuar që nga fitorja e shpejtë e Rusisë mbi forcat gjeorgjiane në një luftë të shkurtër në 2008. Si rezultat i konfliktit, Gjeorgjia humbi kontrollin mbi rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.
Gjeorgjia ka votuar vazhdimisht në favor të rezolutave ndërkombëtare që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Për më tepër, ajo ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën dhe ka pranuar mijëra refugjatë që ikin nga lufta.