Në një raport prej më shumë se 30 faqesh, hetimet për skandalin “CEZ-DIA” janë vetëm një hap larg mbylljes.
Prokuroria e Tiranës dy ditë më parë ka marr në duar aktekspertizën e kryer nga dy ekspertë, të cilët kanë bërë verifikimet përkatëse ndaj dy kompanive të Kastriot Ismailajt, kompanisë “DIA”, e cila ishte dhe e nënkontraktuar për mbledhjen e borxheve të CEZ-it dhe kompanisë “Adriatic Develoment Corporation LTD”.
Në raportin hetimor prej më shumë se 30 faqesh, që tashmë po studiohet nga grupi i hetimeve, në krye të të cilit ndodhet prokurorja Antoneta Sevdari, ekspertët kanë hedhur dritë mbi çdo qindarkë të qarkulluar nga kompanitë e Ismailajt, i cili prej 6 muajsh ndodhet prapa hekurave, për akuzat e “mashtrimit” dhe “pastrimit të parave”.
Nga një punë e imtësishme, ekspertët mësohet të kenë verifikuar çdo transaksion të kryer nga kompanitë e Ismailajt, “DIA” dhe “ADC”, si dhe kanë hartuar një raport të detajuar lidhur me mënyrën jo vetëm se si janë përfituar paratë, por edhe nëse ka pasur shpenzime.
Në raportin e vëllimshëm, që do jetë një ndër provat kryesore në procesin gjyqësor ndaj administratorit të “DIA-s”, janë zbardhur edhe emrat e 8 kompanive që kanë marr lekë nga Ismailaj.
Këto detaje janë nxjerrë në dritë nga ekspertët jo vetëm nga dokumentet bankare, por edhe nga dokumentacioni i marr nga Drejtoria e Tatimeve, si dhe të dhëna nga institucione të tjera. Në raport thuhet ndër të tjera se, Ismailaj ka kaluar para në llogari të të paktën tetë kompanive të tjera, në një kohë që këta të fundit nuk kanë kryer shërbime për llogari të tij.
Gjithashtu, ai rezulton të ketë marr të paktën 5 milionë euro nga kompania CEZ, në kohën kur ishte kontraktuar për mbledhjen e borxheve, por nuk figuron të ketë kryer asnjë shërbim.
Pra gjithë paratë, theksojnë ekspertët, janë produkt i një skeme mashtrimi.
Përfundimi i ekspertëve, e rëndon jo pak pozitën e Ismailajt, i cili deri më tani, ndonëse ka gjashtë muaj në qeli, nuk ka preferuar të japë shpjegime për prokurorinë.
Nuk dihet nëse administratori i “DIA”s do vendosë të flasë në momentin kur prokurorja Sevdari do të shkojë në qelinë e tij, për t’i komunikuar zyrtarisht akuzat./GSH
Komentet