Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër katër personave në qytetin e Pejës për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë”.
Të dyshuarit, S.SH, R.SH, M.B dhe J.B, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, më 16 janar të këtij viti në bashkëveprim kanë vënë në qarkullim artikuj të dëmshëm ushqimor për shëndetin e njerëzve.
Këtë veprim ata dyshohet se e kanë bërë pavarësisht se ishin në njohuri se produkti ishte i dëmshëm për konsumin njerëzor.
Identifikimi i mishit të prishur u bë nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë muajin e kaluar.
Mishi i prishur planifikohej që të shitej për konsum publik, mirëpo pas konstatimit se mund të shkaktojë dëme për shëndetin e njeriut e gjithë sasia u asgjësua nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Komentet