Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër ministrit për Kthim në Qeverinë e Kosovës Dalibor Jevtiq
PRISHTINË-Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër ministrit për Kthim në Qeverinë e Kosovës Dalibor Jevtiq, ministër nga Lista Serbe, si dhe për një sekretar të përgjithshëm dhe një drejtor të departamentit të administratës dhe financave të kësaj ministrie, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës thuhet se tre të pandehurit D.J., N.S. dhe M.P., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre, sipas prokurorisë, me qëllim që të përfitojnë çfarë do dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht ti shkaktojnë dëme ministrisë përkatëse.
“I pandehuri D.J., në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerr vendimin me nr.172/2 të datës 11.02.2014, me të cilin i jep në shfrytëzim të përhershëm të një (1) automjeti zyrtar pronë e Ministrisë një kompanie private, përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës. Ndërkaq, i pandehuri N.S, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë se kësaj ministrie duke e ditur se një vendim i tillë është i kundërligjshëm, ai pajtohet me një veprim të tillë dhe urdhëron zyrën ligjore të kësaj ministrie që të përpiloj kontratën (marrëveshjen) mbi dhënien e automjetit në shfrytëzim të përhershëm Radio KIM TV-Centar me seli në Çagllavicë. I pandehuri i tretë, M.P. si person përgjegjës në departamentin e administratës dhe financave në këtë ministri, duke nënshkruar kontratën me nr.172/2 të datës 11.02.2014 në mes të ministrisë dhe Radio KIM TV- Centar me seli ne Çagllavicë duke dhënë në shfrytëzim të përhershëm automjetin e përmendur zyrtar”, thuhet në njoftimin për media.
Tre të pandehurit me këto veprime, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Komentet