Midis editorëve të Voice of Albanians – VOAL.CH ( Elida dhe Skënder Buçpapaj) dhe gazetës Dielli, Vatra ka ngritur murin e censurës.
Shkak u bë një opinion i Elida Buçpapajt për ambasadorin e Shqipërisë në Zvicër Ilir Xhelil Gjoni, i cili prej dy mandatesh keqpërdor postin si zyrtar publik.
Por si pretendim Vatra nxori faktin se VOAL.CH ka botuar deklaratat e Vatrës tjetër (tashmë janë dy Vatra), iu ka marrë intervistë dhe se Skënder Buçpapaj mori pjesë në një simpozium organizuar prej saj.
Editorët e VOAL.CH nuk janë përzierë me asnjë palë, përveçse kanë ushtruar detyrimin ndaj fjalës të lirë, si botues dhe si gazetarë.
Lirinë e fjalës e garantojnë të gjitha Kushtetutat e shteteve Perëndimore.
Amendamenti i parë i Kushtetutës të SHBA garanton lirinë e shprehjes.
Editorët e VOAL.CH nuk e kanë pritur kurrë këtë reagim të Elmi Berishës, të cilin e kanë respektuar pa asnjë rezervë për kontributet e tij duke besuar se kanë ideale dhe një gjuhë të përbashkët.
Në një kohë kritike, kur përçarja ndërshqiptare është këlthitëse, nuk kanë dashur të dalin publikisht dhe janë përpjekur padobi të komunikojnë me Elmi Berishën.
Ndaj të gjitha palëve editorët e VOAL.CH kanë mbajtur qendrime shumë korrekte dhe të ndershme, duke bërë thirrje që palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Vatra dhe Dielli censurojnë editorët e VOAL.CH, çojnë në gjyq Vatrën tjetër, ndërsa nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë ka gjetur një gjuhë të përbashkët me presidentin e Serbisë !
Qendrimi i Vatrës ndaj Buçpapajve është një akt i paprecedent dhe bjerrje majtas e kësaj shoqate panshqiptare që ka në themel parimet demokratike dhe luftën kundër komunizmit.
Editorët e VOAL.CH nuk do të rreshtin së kërkuari që Dielli të heqë censurën dhe të ketë një drejtim serioz, si të etërve dhe elitës që e ka drejtuar këtë gazetë, prej themelimit:
Elida Buçpapaj & Skënder Buçpapaj
Botuesit e VOAL.CH
Komentet