Policia e Kosovës ka kryer një aksion kundër drogës në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.
Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.
“Banesa është shfrytëzuar nga S.M. [shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb] janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina anti-miner S9, 13 ventilatorë, poça elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë, tetë shok-bomba të modifikuara”, tha Elshani për Radion Evropa e Lirë.
Ekipit të REL-it nuk i është lejuar që t’i afrohet ndërtesës ku po kryet aksioni. Gazetarëve të REL-it u është thënë se bëhet fjalë për një banesë private.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.
Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.
Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.REL