TIRANË
Akademiku Artan Fuga është përfshirë në debatin për kalimin e Institutit të Albanologjisë nën varësinë e Akademisë së Shkencave. Në një letër dërguar Asamblesë së ASH, Fuga shprehet se një operacion i tillë do të kërkonte kalimin e një ligji të ri, bërjen e një statuti të ri të Akademisë të shkencave, për të ndryshuar themelisht mekanizmat vendimmarrës, kompetencat, etj.
Ai paraqet pesë pika të propozimit të tij konstruktiv. Sipas Fugës, prandaj kërkoj të kryhet fillimisht një debat, pastaj të shihet nëse ky atashim, riatashim, ka vend apo jo të bëhet duke analizuar hollësishëm eksperiencën e kaluar të mirë apo të hidhur dhe me plot arritje, por edhe sjellje korruptive dhe burokratizëm stalinist.
LETRA E PLOTË
E nderuar asamble,
Më lejo të shpreh mendimin tim.
Veç të tjerash një operacion i tillë do të kërkonte kalimin e një ligji të ri, bërjen e një statuti të ri të Akademisë të shkencave, për të ndryshuar themelisht mekanizmat vendimmarrës, kompetencat, etj. Pra do të ishte njohja e përfundimit të këtij modeli akademia shkencash, pa përfunduar as dy vjet nga ngjizja e saj, duke shpallur publikisht përfundimin e saj, me kërkesën për një tjetër model akademie shkencash.
Mundet që atashimi i instituteve të albanologjisë të jetë nismë e mirë, ose e ridështuar, nuk e paragjykoj, ndonëse bie në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Unë paraprakisht shprehem kundër mënyrës si arsyetohet juridikisht, si procedohet dhe si trajtohet çështja nga kryesia.
E para, të mos të interpretohet subjektivisht ligji duke u njehsuar me statutin. E drejta për njësi kërkim studimi nuk implikon juridikisht përthithjen e instituteve
ekzistuese të albanologjisë. Janë dy çështje të ndara qartë për këdo që kupton logjikën e ligjit.
E dyta, Akademia e Albanologjisë është institucion tjetër krejt i pavarur nga ASH, nën varësi të Ministrisë së Arsimit, ndaj ne si asamble s’kemi asnjë tagër të vendosim për statusin e saj.
E treta, nuk mund të veprohet pa diskutuar e marrë paraprakisht mendimin kolegjial të Akademisë të Albanologjisë. Si edhe të drejtuesve aktualisht në detyrë të saj pavarësisht që në këtë rast në konflikt interesi.
E katërta, këto vendime kaq kapitale dhe me pasoja nuk mund të merren pa një studim financiar, shkencor, administrativ dhe një debat në asamble. Nuk mund të
merren pa debat në seksionin albanologjik, nuk mund të merren me komunikime votash me telefon.
Prandaj kërkoj të kryhet fillimisht një debat, pastaj të shihet nëse ky atashim, riatashim, ka vend apo jo të bëhet duke analizuar hollësishëm eksperiencën e kaluar të mirë apo të hidhur dhe me plot arritje, por edhe sjellje korruptive dhe burokratizëm stalinist.
Aq më shumë që jam krejt kundër që te kryeministri të shkohet me një vendim propozimi të pa mbështetur në argumente bazuar në studim, por me bindje të brendshme që në shkencë nuk vlejnë fare. E pesta, rikthimi i instituteve mund të bëhet vetëm me procedura ligjbërëse nga Kuvendi dhe jo me masa administrative.
Pres përgjigje për propozimin tim konstruktiv, duke rezervuar të drejtën që nëse debati në asamble nuk bëhet, të shprehem lirshëm në të drejtën time në publik dhe t’i drejtohem instancave shtetërore vendimmarrëse dhe Kuvendit të Shqipërisë sepse ne nuk kemi tagër të interpretojmë ligje duke shtrembëruar germën dhe frymën e tyre, si edhe të shpreh argumentet e mia për çështjen në fjalë.
Me konsiderata krejt të veçanta, Artan Fuga
Komentet