Nga e majta: Ylli Mici, Shpresë Çekaj, Feriz Trezhnjeva, Saim Tahiraj
Shqiptarët e Kosovës kaq shumë i goditi lufta dhe paslufta, sa nuk kanë as muaj dhe as javë të vitit pa gjëmë e vajë. Edhe prilli nuk bën përjashtim. “Dasmë pa mish nuk ka”,- thotë populli. Dhe, si festë dasme ishte thyerja, hapja e kufirit, pas afro një shekulli ngujimi. Duke e gëzuar këtë fitore, fort domëthënëse, ngriu buzëqeshja e shqiptarërve, me lajmin e shuarjes fizike të komandant Agim Ramadanit, më saakt. shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK). Me rënien në fushën e nderit për liri, përjetohen, njëherësh, dy ndjenja: dhembja e skajshme dhe krenaria e ligjshme. Andaj, vajtimi i lënë vendin kushtrimit dhe për t`i mobilizuar ushtarët luftëtarë, zakonisht, edhe këndohet.
Nuk kishte kohë për vajtim
Vetëm një javë më vonë, një tjetër lajm i kobshëm: komandant Sali Çekaj bie në fushë-betejë. Trupin e pajetë e tërheqin shokët e luftës, përkatësisht, ushtarët e batalionit “Kobra”, nën kmomandën e Naser Vllasit, madje nën breshërinë e zjarrit armik. Preferohet që ushtarët në front, në ballë të luftës, të mos e mësojnë humbjen e shokëve e, aq më pak, të komandantëve. Sepse nuk ka kohë për vajtim, ngaqë lufta në Koshare ishte ballore dhe intensive. Krismat, gjuajtjet ishin zhurmuese dhe në vijimësi. Çdo pakujdesi mund të kushtonte me jetë.
Saliu dhe Agimi janë heronj të Mërgatës, janë heronj të Kosharës, Kosovës. Jetuan dhe punuan, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Pfaffenhofen-i, një qytet, relativisht, i vogël, rreth 50 kilometra nga Mynihu i madh. Aty punojnë e jetojnë shokët e luftës të Sali Çekaj: Osman Ferizi nga Dukagjini dhe Kadri Gubetini nga Llapi. Këta me shokë themeluan Shoqatën Kulturore e Humanitare Shqiptaro – Gjermane. Emri ishte i gatshëm, emri i shokut të luftës, “Sali Çekaj”, Hero i Kosovës. Dhe, ky emër është i zëshëm, dëgjohet larg, madje shumë larg, anëpërtej Gjermanisë, madje edhe në Zvicër. Dhe, lajmi se në Pfaffenhofen organizohet Akademia Përkujtimore për Sali Çekaj dhe Agim Ramadanin, mori dhenë.
Familja e madhe dhe e nderuar Çekaj, kishte ardhur nga Stuttgart-i, e prirë nga vëllai i Saliut, Baca Hasan; bashkëshortja e Saliut, Hala, vajza Shpresa e Donjeta; kunatat Eminja dhe Nusha, nipërit: Sinani me nusen Albanë; Besarti, mbesa Besjana me bashkëshortin Arbër Cacaj. Bashkëpunëtorët e ngushtë të Saliut: Donikë Gërvalla e Agim Kamberaj kishin bërë disa qindra km. rrugëtim. Mërgimtarët e hershëm, shokë të Jusuf Gërvallës: dajë Adem Thaçi, bacë Nikollë Skeli, Mehmet Koka, Xhafer Leci, Hysen Bicaj, Ahmet Kolgeci me vëlla, edhepse të pensionuar, vazhdojnë të jenë gjithnjë aktivë në mesin e Mërgatës, organizatorët u kishin rezervuar ulset e para. Veterani i arsimit, bashkëthemeluesi i LDK-së në Deçan, Emrush Lokaj, së bashku me djalin Fatosin, i cili filmonte shokët dhe miqtë e Sali Çekaj; intelektuali dhe veprimtari i hershëm i LDK-së, Naim Gashi; kushëriri Emrush Çeku dhe ushtaraku Shpend Shala kishin ardhur nga Lindau.
Eprori që ushtroi komandoset e parë
Saim Tahiraj, shok armësh i Saliut dhe bashkëveprimtar i Agimit, kishte ardhur me famijle e shokë nga Zvicra; veprimtari Mehdi Laçaj nga Sllovenia. Nga Kosova kishin ardhur veprimtari veteran i Mërgatës Brahim Gërvalla dhe i vëllai i tij, Haxhi Smajl Gërvalla, shoku i klasës i Presidentit Rugova, në Gjimnazin – Normale të Pejës, tani imam në Krushec. Veprimtarët veteranë të Mërgatës, Isa Bilali e Halil Neziri kishin ardhur nga Rosenheim-i; djali i Smajl Hajdaraj, Blerimi, i cili e vuan vrasjen e babait, komandant i Rugovës, kishte ardhur nga Ulm-i; Agim Aliçkaj, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Hessen me shokë; Tahir Buqolli, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së në Baden Würtemberg; Mehmet Zymeri, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Bavari me shokë; Aktivi emërmirë i LDK-së, me kryetar Gani Batatina dhe anëtarët e kryesisë, Ibrahim Potoki e Sadedin Dushi me shokë, nga Starnberg-u; Aktivi i LDK-së në Mynih, i prirë nga Xhevdet Muriqi; Shoqata “Abeja”, me kryetar aktivistin e njohur, Xhemajl Hoxha dhe anëtarët e kryesisë Arifi Arifaj e Naim Haxhiaj, nga Freissing-u; Shoqata “Rilindja”, me drejtues Bekim Gërvalla dhe Afrim Mulaj me shokë, nga Mynihu; të rinj dhe të reja, studentë dhe shkollarë të mesëm nga Pfaffenhofen-i me rrethinë.
I ftuar nga Tirana ishte oficeri që ka ushtruar e përgaditur djemtë luftëtarë të ardhshëm të Kosovës, në Surel të Tiranës, në vitin 1991, përfshi këtu edhe Sali Çekaj, kolonel Ylli Mici. Ai, me ushtarët e tij: Osman Ferizi, Muharrem Bobaj, Kadri Gubetini, Ramadan Begun, Afrim Zena, Shemsi Krasniqi, Lutfi Jonuzi, po takohej dhe çmallej pas 24 vitesh, në këte Akademi Përkujtimore. I ftuar nga Kosova ishte oficeri tjetër shqiptar, komandanti nga Tropoja, Feriz Trezhnjeva, tani oficer i karrierës në Ferizaj. Ai shoqërohej ngas ushtari i tij i orëve të para në Koshare, Isuf Çetaj, nga Trubohovci i Istogut. Oficeri, komandanti në luftën e Kosharës, Farush Thaçi.
Si melmesë e gjithë kësaj Akademie, madhështore në shumëçka, ishte mysafiri i veçantë, artisti i madh i filmit dhe i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, i cili u bë i famshëm edhe në skenat botërore, me Sokratin e tij të lashtësisë. Artisti Kabashi, që po u afrohet të `70-ve, përgjatë skijimit kishte pësuar lëndime në të dy këmbët. Andaj, lëvizte me ndihmën e shkopinjëve.
Në balloren e sallës ishin vendosur portretet e heronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani. Në këndet e skenës djemtë shkollarë, Dardan Dashi, Fatlum Shala e Luan Hoxha, të veshur në uniformën ushtarake, me qëndrim të palëvizshëm, mbanin flamujt kombëtarë. Ndërkohë, studentët Gent Ferizi, Drilon Gubetini e Kurbin Gërvalla merresheshin me teknikën e aparaturave, që shërbenin në funksion të Akademisë Përkujtimore, si zëri, muzika, shfaqja e dokumentarit përkatës e tjera.
Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj, me kryetarin e saj Osman Ferizi, i prisnin, gjithë respekt e mirësi, madje përgjatë gjithë Akademisë. Të pozicionuar në anësoret e sallës, qëndronin në këmbë, si homazh, i zgjatur në kohë, për heronjtë e Kosovës, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani: Kryetari Osman Ferizi, nënkryetarët Gazmend Gashi e Mustafë Shala, arkatari Zymer Zeneli, anëtari i Kryesisë dhe zëdhënësi i Shoqatës, lezhjani – Ardian Ndreka, anëtarët Shemsi Haziri Azem Daka, Rafet Mehmeti, Shaban Muli, Maxhun Smajli Selman Syla.
Intonimi i Hymnit Kombëtar i ngrinë në këmbë të pranishmit në sallën përkujtimore. Heshtja obligative është vdektare. Lavdi Heronjve,- thotë moderatori Maxhun Smajli, gazetar dhe krijues, ish-reporter i luftës në Kosovë, shtegtar, në rrugëtimin këmbësor, nga Fulda (Gjermani) – në Koshare (Kosovë), në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë të Shqipërisë londineze. Si njeri i zanatit, mjeshtër i fjalës dhe me sensin e masës, ai i përshëndeti të pranishmit, duke i falenderuar për pjesëmarrje masive. Pastaj, ftoi në foltore Osman Ferizin, kryetar i Shoqatës “Sali Çekaj”. Zotëri Ferizi përshëndeti Familjen e nderuar Çekaj; familjarët e dëshmorëve; Shoqatën simotër “Sali Çekaj” në Zvicër, të kryesuar nga Saim Tahiraj dhe të gjithë të pranishmit tjerë. Një përshëndetje të veçantë dhe gjithë respekt, ish-luftëtari Osman Ferizi e bëri për mysafirët e ftuar: artistin e madh shqiptar, Mirush Kabashi; oficerët Ylli Mici dhe Feriz Trezhnjeva.
Kryetari i Shoqatës Osman Ferizi tha se pjesë e këtij organizimit të kësaj Akademie janë edhe: Shoqata “Dardania” nga Mannheim-i, Shoqata “Abeja” nga Freissing-u, Shoqata “Rilindja” nga Mynih-u, Shoqata “Dardania” nga Wiesbaden-i si dhe Aktivi i LDK-së nga Starnberg-u.
Në vijim, moderatori Maxhun Smajli, fton në foltore, bashkëpunëtorin e heronjëve, në kohë paqeje dhe lufte, Idriz Zeqiraj, i cili foli për jetën dhe veprën e tyre të artë.
Pamje nga Akademia Përkujtimore
Idriz Zeqiraj: Heronjtë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani – një binom i harmonishëm
“Përkujtimet janë të shumëta, për dike mund të jenë të tepërta, por, për ne, që kemi humbur njerëzit tanë të dashur, janë shumë të nevojshme, madje të domosdoshme”, – tha, këto ditë, Shukrije Ramadani, e veja e Agimit.
Sikur pushtuesi serbo – sllav ishte i mangët në masakra e terror, në koordinim me atë, filloi krimi e terrori, i bandave të kuqe shqipfolëse, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Përgjakja e Kosovës vazhdoi edhe pas luftës dhe viktimizimi i bashkëpunëtorëve, veprimtarëve, oficerëve dhe ushtarëve të Ibrahim Rugovës ishte i listuar nga shtabistët banditë, të thirrur në UÇK-e.
Për të qenë ironia më e madhe, vrastarët e uniformuar dhe të rekrutuar në organizatën supërkriminale SHIK, hypën në kupolën e pushtetit dhe të shtetit, për ta vazhduar krimin e tyre shpengueshëm. Dhe, tani, sa herë hapet seanca parlamentare, kuvendore, krimi dhe terrori janë në tribunë, në ulëset e Kuvendit. Dhe, mijëra fëmijë jetimër të viktimave shpërthejnë në vajë, nuset në dënesje, motrat në piskamë, nënat në vajtim, vëllezërit në ofshamë, me mendjen tek kanuni, gjyshërit, zemërplasur, në rënkimin e përzëshëm pleqnorë. Pse lejohet e durohet gjithë kjo torturë moralizimi e cinizmi në tempullin e ligjshmërisë, duke mbrojtur paligjshmërinë, krimin dhe vrastarët e djeshëm dhe përtallësit e sotëm, të cilët i kanë hypur në qafë popullit dhe kanë përdhosur e përtokur pushtetin dhe shtetin. Kjo që i ndodhi Kosovës tonë, është e paparaprijëse në demokracitë e përbotshme. Dhe, kjo është arsyeja që ne kemi më shumë përkujtime se sa festime!
Sali Çekaj dhe Agim Ramadani janë një binom, me emërues të përbashkët: çlirimin, lirinë. Dy veprimtarë, me profesione të ndryshme: i pari, jurist i diplomuar, i dyti, inxhinier ushtarak i diplomuar, përkatësisht, në Prishtinë dhe Zagreb. Në karakterin e tyre mund të tërhiqet një paralele përafruese: fjalë- pakët, por të saktë. Intelektualë të formuar, me një edukatë supreme komunikuese, me bashkëpunëtorët, në paqe dhe në luftë. Familjarë të përkryer, natyrisht, në atë pak kohë të lirë. Dhe, megjithatë, të mirëkuptuar nga bashkëshortet e tyre ideale dhe familja tjetër.
Sali Çekaj, në vjeshtën e vitit 1991, ishte përgjegjës për tri grupet e hershme të djemëve të Kosovës, për përgaditjen ushtarake në Shqipëri, të ushtruar nga oficerët e Ushtrisë Shqiptare, në mes tyre edhe: Kastriot Hoxha, Ylli Mici, i cili na nderon sot me praninë fizike në këtë Akademi Përkujtimore në zbatim të marrëveshjes të Presidentëve: Ramiz Alia dhe Ibrahim Rugova, gjë që demanton bindshëm, stalinistët e LPK-së, sabotatorë të luftës, se kinse LDK-ja dhe Rugova ishin vetëm për paqen dhe jo për luftën.
Nga kjo përgaditje e suksesshme, rezultoi hyrja ilegale, me armë, në Kosovë, me qëllim të organizimit të rezistencës të armatosur, fillimisht, në Dukagjinë, Drenicë, Llap e Gollak, Ana Moravë e Karadak, të udhëhequr, përkatësisht, nga: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha me shokë.
Dukagjini avancoi i pari, me organizimin e Grupit të Djemve të Armatosur të Deçanit, pjesë e të cilit, veç të tjerëve, ishin edhe kryetarët e sotëm të Shoqatave, me emrin “Sali Çekaj”, në Gjermani e Zvicër: Osman Ferizi dhe Saim Tahiraj.
Përndjekja policore, për djemtë e ushtruar në Shqipëri, pas disa aksioneve të armatosura, të bëra në Dukagjin, u shtua dhe ata u detyruan të kalojnë në ilegalitet, fshehtësi. Sali Çekaj kaloi në Tiranë dhe prej andej në Gjermani, u kyç në Zyrën e LDK-së në Stuttgart, ku së bashku me: Hafiz Gagicën, Donikë Gërvallën, Hazir Krasniqin, Agim Kamberaj, Shaban Bobaj, Zymer Lulaj, Nezir Fejzaj me shokë, do ta bënin atë Zyre një Kosovë në miniaturë.
Në ditën fatale të masakrës në Prekaz, ku u shenjestrua Familja, rezidente e rezistente, Jasharaj, Saliu qe i pranishëm në Kuvendin e Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, në Ludwigshafen, ku unë e kryesoja. Një telefonatë nga Kosova e shtangu Saliun. Për hir të mosprishjes së Kuvendit, heshti, nuk tha asgjë, prveç se: “kërkoj falje, duhet të kthehem në Zyre në Stuttgart”, duke lënë kolegun Milazim Maraj, anëtar i Kryesisë të Degës së LDK-së në Gjermani, në Kuvend. Duke e parë se Saliu u ligështua, kryetari i Aktivit të Ludwigshafenit, Shaban Sadikaj e dërgoi me makinë në Stuttgart.
Prej andej, së bashku me ushtarakët tjerë, niset për Tiranë, në mes tyre edhe ushtaraku i karrierës Agim Ramadani, për t`u ngjitur në Malësinë e Gjakovës,Tropojë. Fillimisht, në Viçidoll, pastaj në Papaj aktivizojnë ushtrimorën ushtarake, për përgaditjen e ushtarëve për luftë. Kontraktor i lokacionit të ushtrimorës ishte vendori Muharrem Tafa, i cili, së bashku me Qazim Jakupin, babai i këngëtarës Leonora Jakupi, u gjenden të vdekur në aksin rrrugor Fierzë – Qafë Mali! Në strukturimin dhe ideimin strategjik dhe taktik, ne bazë të doktrinës ushtarake shkencore, një kontribut me vlerë dha edhe Ministri i Luftës, kolonel Ahmet Krasniqi, i ekzekutuar në mes të Tiranës, nga hafijet e LPK-së dhe të Sigurimit Shqiptar.
Dhe, janë pikërisht këta burra, vajza dhe djem, nën komandën e: Rrustem Berishës, Agim Ramadanit, Sali Çekaj, Anton Çunit, Skënder Hasangjekaj, Hysen Berishës, Adem Dahri, Afrim Beka, Skënder Rexhahmetaj, Xhafer Gashi, Musa Gjakova, Feriz Trezhnjeva, Farush Thaçi, Naser Vllasi, Agron Isufi, Afrim Sylejmani, Gani Gjuka, Isuf Haklaj, Sabahate Tolaj dhe të tjerë, të cilët, duke gëdhirë 9 prilli 1999, do ta zhbënin kufirin shqiptaro-shqiptar, për të hyrë në Koshare. Prej tyre, sot, nderojnë këtë Akademi, me pjesëmarrjen e fizike, oficerët eprorë Feriz Trezhnjeva dhe Farush Thaçi. Betejat në vijimësi, pëmblidhën në Lufta e Kosharës, si legjitimim i rezistencës të armatosur në Kosovë, për çlirim dhe liri. Lufta e Kosharës, çarja e kufirit, që therte, si heshtë, zemrat gjithëshqiptare, për 85 vjet radhazi, me të drejtë, është cilësuar si fitore e shekullit.
Agim Ramadani, zhegrani i Karadakut, ishte ushtarak i karrierës, i cili, pas diplomimit në Inxhinieri, emërohet kuadër në Bosnje. Ushtarakët tanë, në shërbimin ushtarak jugosllav, me mendje dhe zemër, ëndrronin dhe mendonin, që, në rastin e parë optimal, t`i shëbenin lirisë të Kosovës. Dhe, ishte nisma e luftës në Kosovë, rasti dhe çasti kur Agim Ramadani kyçet si kuadër ushtarak, njëherësh, edhe luftëtar i drejtëpërdrejtë. Agimi ishte një piktor dhe poet i shkëlqyer, i cili, fillimisht, me panelin e tij, pikturoi pejsazhe të natyrës së bukur të Atdheut dhe vargëzoi poezitë për dashurinë dhe romantikën e vendlindjes. Më vonë tematika e pikturave dhe e poezive të tij do të evolonin në krijime kushtrimi dhe zotimi të sublimimit për Atdhe.
Nga përndjekja e pushtuesit, Agimi fillon jetën e azilimit të detyruar, në Zvicër. Atje aktivizohet në veprimtaritë e kohës të mërgatës të atjeshme. Ai vihet në krye të aktiviteteve në klubin shqiptar, në mjedisin ku filloi jetën e mergimtarit.
Penda dhe pushka, në rrugëtimin për lirinë, tek Ai janë mishëruar natyrshëm: poeti, piktori, atdhetari, luftëtari dhe mbi të gjitha- shpirti guximtar.
Agim Ramadani, si ekspert ushtarak, është bashkëhartues i planit, për thyerjen e kufirit dhe, duke qenë prijetar në aksionin vendimtar në Koshare, është komandanti i parë, që bie në fushën e nderit. Andaj, emri i tij u përjetësua, duke i dhënë emrin Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Sali Çekaj, përveç detyrës të komandantit, bënte edhe detyrën e komisarit edukator, përgaditjen psikologjike e shpirtërore të ushtarëve për luftë. Presidenti Rugova, që nga aplikimi, zbatimi praktik, që i bëri Sali Çekaj Kushtetutës të Kaçanikut, si titullar në Komunën e Deçanit, kishte një afri shtesë me Saliun. Ai do t`ia përcillte, krejt intimisht, një porosi të veçantë: “Kujdes, të mos shuhen familjet”,- porosiste i ndjeshmi dhe i përgjegjshmi Dr. Rugova. Dhe, kjo do të thoshte që djemtë e hasretit, të dëshirit, të memëzi pamë, të mos vihen në vijën, e parë, në ballorën e luftimeve.
Ne, bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, shokët dhe miqtë e Sali Çekaj, kurrë nuk do të lejojmë as denigrimin dhe as përlavdërimin e tepëruar të heroit Sali Çekaj. Sepse, edhe njëra, edhe tjetra, do të dëmtonin dhe zhvlerësonin figurën reale të intelektualit, atdhetarit, luftëtarit faktik, deri në përmasën e Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
E themi publikisht e botërisht, sepse ata që dje lëshonin fletë-arrestin e parë për ushtarakun Sali Çekaj, që nënkupton likuidimin fizik të tij, sot i quajnë mërcënarë oficerët dhe ushtarët e tij, duke i përjashtuar nga lista e veteranëve dhe luftëtarëve të mirëfilltë për liri.
Por, nga ana tjetër, ne, as nuk e përlavdërojmë, nuk ia atribuojmë veprime e merita, që nuk i takojnë. Ne kurrë nuk themi se Sali Çekaj është alfa dhe omega e luftës për lirinë e Kosovës. Por, duhet të pranojmë se është nismëtari dhe prijetari i organizimit të kësaj lufte si dhe drejtues dhe luftëtar, me armë në dorë, deri në ditën e amëshimit.
Dhe, ruajtjen e sensit të masës, na përforcon veprimi skandaloz i profiterëve të luftës të luftës, i “komandantëve” pa ushtarë, të cilët, për llogari të tyre, ndoca luftëtarë trima dhe të përkushtuar për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, me supërlavdërimet krejt të panevojshme dhe të panatyrëshme, i kanë nxjerrë nga realja, i kanë bërë si përrallë, të pabesueshëm, duke i kthyer në hiç.
Për të qenë absurdi më i madh, ky denatyralizim e denigrim i luftëtarëve faktikë, është bërë në kohën e sotme, në kohë të digjitalizimit, Internetit. Dhe, heshtja e intelektualëve, tejkalon përmasat e turpit.
Komentet