15 vjetori i shpallje së Pavarësisë së Kosovës
Botimet historike për Kosovës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
17 shkurti është një ditë e ndritshme në historinë e popullit shqiptar, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës apo për ne, të Shqipërisë zyrtare, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo ata të Malit të Zi, por për të gjithë ku jetojnë e janë integruar në Greqi, Turqi, Itali, për të gjithë bijtë e Shqiponjës që përbëjnë diasporën tonë, mërgatën shqiptare deri në Zvicër e Gjermani, Belgjikë e Suedi, Francë e Australi, Angli e SHBA, kudo në botë. Sot është një ditë e shënuar për ndërgjegjen etnike, sepse është Jubileu i 15-të i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga 109 deputetë të Parlamentit të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u bënë firmëtarë të Pavarësisë së Kosovës martire nga Serbia e pushtimit. Ne sot nderojmë yjet e Kosovës, që falën jeten e tyre për lirinë e pavarësinë e trojve amtare që kur jeta është zënë. Pikërisht sot ndihemi më të qetë e krenarë të kujtojmë të 85 heronjtë e Kosovës dhe mbi 2500 dëshmorët e rënë për liri e pavarësi. Historinë e shkruan ata që e bënë, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët, si dhe ata që e rrëfejnë – dëshmitarët, vulë trimërie, që e transmentojnë brezave si Stafetë Kujtese, se nuk ka cep të Kosovës pa lapidarë, përmendore, shtatore, varreza e komplekse memoriale që dëshmojnë jo vetëm robërinë e thellë të këtyre trojeve, por edhe luftën e përjetshme të kosovarëve për liri.
E derisa të rënët përgjatë historisë janë pa numër, deri në ditët tona kanë mbërritur emrat e vetëm pak prej tyre, apo më saktë, vetëm të atyre që e bënë historinë.
Ky 17 shkurt është nderim për udhëheqësit e Luftës Çlirimtare, së pari për ideatorin vizionar e të shumëditur dr. Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar Aden Jashari, për Adem Demaçin, Rexhep Qosen, për të gjithë ata strategë të luftës e heronj të gjallë, që nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj., që janë në burg për turp të interesave të vogla e të liga të të mëdhenjve ziliqarë, të zinj e pa dinjitet.
Nderim për të gjithë ata burra e gra që e bënë Kosovën me emër në Hartën e Qytetarisë Europiane! Mirënjohje e përjetshme për SHBA!
Në nderim të 15 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si një shtet i pavarur, sovran e demokratik, dëshiroj t’ju bëj me dijeni se në Bibliotekën shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ka literaturë njohëse të mjaftueshme për Kosovën dhe nga autorë kosovarë, e cila vihet në shërbim të studentëve tanë, të pedagogëve dhe studiuesve të tjerë, varësisht nga interesat e tyre në fushat e kërkuara për studime profesionale, njohëse, kulturore, universitare, pasuniversitare, apo kërkimore shkencore të thelluara. Në fondin e hapur dhe në arkivin e bibliotekës së Universitetit tonë, e cila mbulon të katër fakultetet me 3 biblioteka specifike ka mbi 100 tituj libra, tekste mësimorë, botime të nivelit akademik jo vetëm nga fusha e historisë, por edhe nga arkeologjia, ekonomia, folklori dhe etnolgjia, gjuhësia dhe letërsia, mjekësia, shkencat e natyrës, ato teknike etj.
Në këtë fjalëz nderimi, edhe si kujtesë shpirti, mendimi dhe reflektimi në këtë Akademi nderimi për 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dua të shprehem se, vetëm nga fusha e historisë janë mbi 40 tituj të rëndësishëm, një pjesë të së cilave i kemi paraqitur në ekspozitorët tanë në ballë të sallës në kuadër të bashkorganizimit nga Qendra e Kulturës dhe Artit dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë të kësaj Akademie nderimi për Ditën e Shenjtë të Kosovës dhe mbarë Shqiptarisë. Kohërisht, nuk është e mundshme të bëj një paraqitje të hollësishme të titujve, autorëve dhe përmbajtjes së tyre, por, siç e vëreni, duke shfletuar tekstet që ju kemi paraqitur tekste nga autorët më në zë shqiptarë dhe të huaj, Kosova është pjesë integrale e trupit amë në të gjitha rrafshet me përbashimet e shumta dhe përveçimet e pakta, veçmas në ballë të kurorë së nderit, lavdisë, sakrificave dhe dinjitetit të Mëmës Shqipëri. Ndër autorët shqiptarë janë përfshirë autoritetet me banim në Tiranë dhe në Prishtinë, që nga akademikët Aleks Buda, Kristaq Prifti, Kristo Frashëri, Myzafer Korkuti, Beqir Meta, Pëllumb Xhufi, Marenglen Verli, profesorët Neritan Ceka, Luan Malltezi, Paskal Milo, Skënder Muçaj, apo Emin Riza, (korçari nga Gjakova, po ashtu profesorët Gjon Berisha, Kosovë; Sabit Syla, Kosovë, drejtor i Institutit të Historisë; gjithashtu Saimir Shpuza, Luan Perzhita, Ferid Duka, Adem Bunguri, Apollon Baçe, Sonila Boci, Ledi Dushku, Marenglen Kasmi, Avni Këpuska etj.
Nuk kemi motiv e arsye që të bëjmë histori romantike dëshirore, por të shprehemi se emri i dardanëve lidhet me emrin dardhë – në gjuhën shqipe. Siç shprehet studiuesi dhe përkthyesi Avni Këpuska, që, si jurist ka studiuar në imtësi dhe historinë e përgjithshme të shtetit dhe të së drejtës …“Nga kjo literaturë shumë e lashtë u konfirmua bindshëm se Dardania – Kosova apo dardanët- pasardhësit e tyre, shqiptarët e sotëm të Kosovës, ekzistuan dhe tani e tutje ekzistojnë me një vazhdimësi të qëndrueshme më shumë se mbi 100 shekuj para e.s”
Përveç autorëve vendës, çështjen e Kosovës e kanë trajtuar edhe mjaft autorë të huaj si Justin Godart, Edit Durham, D. Heaton Armstrong, Ugo Ojjeti etj. “Kudo ku kaluam, në Shqipëri, dëgjuam kërkesat e formuluara nga Kosova, Dibra, dhe gjithashtu ato nga Hoti, Gruda, për një kohë shumë të gjatë nën pushtimin e huaj”- thekson Justin Godart, një ndër të paktët njerëz që, me guxim, në mbrojtje të së vërtetës, nuk i braktisi kurrë shqiptarët.
Historia e Kosovës është pjesë integrale e historisë së popullit shqiptar. Këtë e dëshmojnë të gjitha botimet e mundshme që na kanë rënë në dorë, ku vlen të përmendim botimet e nivelit akademik dhe veçojmë katër vëllimet e historisë së popullit shqiptar, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Historia e Kosovës ka lindur dhe është zhvilluar në kuadër të historisë së Shqipërisë, si pjesë e së tërës. Që nga Ilirët, Mesjetën, Shqipërinë nën Perandorinë osmane gjatë shek. XVI-vitet 20 të shek.XX; me Rilindjen Kombëtare nga vitet 30 të shek. XIX-1912; me historinë e popullit shqiptar, vitet 1913-1939 dhe në e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, vitet 1939-1991, historia e popullit kosovar ecën në një shtrat me historinë e popullit shqiptar. Në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Podujevë e në çdo qendër banimi të Kosovës festohet 15 vjetori i Pavarësisë dhe reflektohet për vijimin e udhës europiane, ne në Vlorë e Flamurit kombëtar nderojmë, kujtojmë, nuk harrojmë dhe mbështesim vëllazërisht Kosovën, që të jemi të denjë në Udhëtimin e përbashkët, të bukur e me sfida në familjen europiane.
Është nisur një udhëtim i vështirë, por i domosdoshëm, qe populli shqiptar i Kosovës dhe klasa politike po i përmbushin çdo ditë e me tepër, duke treguar aftësi shtetformuese dhe botëkutptim europian.
17 Shkurti i vitit 2008 vlerësohet sot në Vlorë si një ditë e madhe jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për mbarë popullin shqipear kudo ndodhet. Pavarësia e Kosovës është shumëdimensionale dhe ajo mund të trajtohet në disa plane:
Si shteti më i ri i pavarur në Ballkan dhe Evropë;
Dhënia fund e politikave shfarosëse dhe genocidiale ndaj popullit të Kosovës;
Realizimi i një aspirate shumë vjeçare të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur në trojet e veta;
Rrugëtim i popullit shqiptar në përmbushje të aspiratave të patriotëve të platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shek. XIX.
Parë në këto plane, Historia e Kosovës është e vjetër, është e pasur, e mbushur me sakrifica – një rrugëtim i larë me gjak deri në realizimin e Pavarësisë. Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon autonom brenda Republikës Federale Serbe, status ky i fituar në Kushtetutën Jugosllave në vitin 1974. Statusi i Krahinës Autonome të Kosovës u shfuqizua prej regjimit të Millosheviç në vitin 1989.
17 Shkurti 2008 vjen si pasojë e gjeneratave të tëra, të cilat kërkesë të vetme kishin Pavarësinë dhe Çlirimin e saj prej Serbisë. Vlen të përmenden simbolet e rezistencës kombëtare dhe kontributi i heronjve si : Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Bejta e Shote Galica, Shaban Polluzha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Luan Haradinaj e Kadri Zeka, familja legjendare dhe Komandanti Adem Jashari e mijëra dëshmorë të tjerë.
Historia nxori, kënga përjetësoi dhe librat që ne kemi në përdorim shkruajnë seAbdyl Frashëri, themeluesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është Heroi i parë i Kosovës, e përveç tij ndrisn emrat e Hasan Prishtinës e Azem Galicës. Heronj të Kosovës janë edhe Shaban Polluzha e Jusuf Gërvalla, sikurse Sali Çeku, Fehmi Agani e Zahir Pajaziti. E padyshim Adem Jashari Abdyl Frashëri, sikurse Sulejman Vokshi, Isa Boletini, Bajram Curri e Shote Galica janë gjithashtu edhe Heronj të Popullit në Shqipëri. Thuhet se në mesin e atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën ka edhe të huaj.Ndërkohë, pohojmë me dhimbje se në këtë vend të shtypur ndër shekuj, vështirë të besuar se ky është numri i saktë i dëshmorëve.
Për vite me radhë deri në qershor të vitit 1999, qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spatrimit etnik prej regjimit të Millosheviçit. Operacionet e ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe gjatë kësaj lufte lanë rreth 13 mijë të vrarë dhe rreth 800 mijë shqiptarë që braktisën shtëpitë e tyre. Kjo datë është gjithashtu një ditë kujtese në popullsinë martire, të cilet u vranë, u masakruan e u terrorizuan nga ushtria dhe policia serbe në masakrën e Izbicës, Recakut, Rezallës, Krushës së Madhe e shumë të tjerave.
Prej qershorit të vitit 1999, forcat serbe detyrohen të largohen nga Kosova si pasojë e luftës vetëmohuese të UÇK dhe ndërhyrjes së fuqishme ndërkombëtare për të frenuar makinerinë serbe të luftës dhe dhënies fund të genocidit. Prej këtij viti deri në Shpalljen e Pavarësisë, Kosova administrohej prej Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “UNMIK” dhe istitucionet demokratike të Kosovës: KUVENDI, PRESIDENTI dhe QEVERIA, bazuar në Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit.
Më 2 shkurt 2007 ishte i dërguari special për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, i cili dorëzon propozimin e tij në Prishtinë e Beograd për Pavarësinë e Kushtëzuar të Kosovës, gjë që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur demokratik.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombetare e Drejtësisë konfirmon se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Ky akt zyrtarizon dhe procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës, i cili deri me tashmë njihet zyrtarisht prej 117 shtetesh.
Tashmë Kosova është një shtet i pavarur, sapo ka filluar rrugëtimin e vet plot me sfida të reja dhe jo më pak të rëndësishme. Ato janë disa:
Sfida në aspektin ndërkombëtar. Integrimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare;
Integrimi i Kosovës në institucionet europine dhe liberalizimi i vizave;
Një sfidë tjetër është drejtësia dhe konsolidimi i shtetit ligjor;
Çështja e hartës dhe kufijve të Kosovës, çështjet e fqinjësisë së mirë;
Konsolidimi në aspektin ushtarak;
Konsolidimi i institucioneve demokratike në funksion të zhvillimeve të brendshme ekonomike sociale e politike.
Në faqen zyrtare të Qendrës Kulturore Vlorë shkruhet:
Për Kosovën festohet edhe në Vlorë !
U bëmë bashkë sot, këtu në ambjentet e Qëndrës Kulturore, nxënës, studentë, artistë, historianë, pedagogë dhe qytetarë të Vlorës, për aktivitetin mbresëlënës dhe emocionues për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Lektorët e spikatur, profesorë, studiues dhe historianë ligjëruan rreth jubileut historik të Pavarësisë !
Mirënjohës bashkëpuntorëve Albert Habazaj, Ahmet Demaj, Monika Hasani, Edlira Çekrezi, Çlirim Hoxha, Asqeri Llanaj, Eqerem Canaj, 10 Shqiponjat e Tërbaçit, valltarët e vegjël të QKF si dhe mbështetësve, Kryetarit Bashkisë z. Dritan Leli, Rektorit Universitetit “Ismail Qemali” Prof. Roland Zisi, Drejtores së ZAV Vlore Irena Toshkallari, moderatores Alma Binaj dhe kolegët e QK. Vlorë.
Gëzuar Kosova jonë, përjetësisht Pavarësinë!
E veçantë qe pjesëmarrja e Ansamblit Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me këngën liriko-epike “Himni i Pavarësisë së Kosovës”, me marrëse Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj dhe hedhëse Hava Çelaj Muçaj, si dhe me vallen e kënduar “Bekuar nga Mali i Çikës” me prijëse të valles Shpresa Kapo Çelaj e marrëse Liljana Rapi Kapaj, të dyja tekstet të drejtuesit artistik Albert Habazaj.
U zhvillua një veprimtari shpirti e mendimi vlonjate si për veten, se Kosova në fakt është ne dhe ne jemi sa vlonjatë, po aq kosovarë.