Filloi si bashkëpunim ushtarak midis Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forces së Sigurisë së Kosovës, por sot miqësia mes këtij shteti amerikan dhe Kosovës është shumë më e thellë. Arsimi, ekonomia, siguria dhe drejtësia janë vetëm disa nga fushat që këto dy shtete kanë partneritet. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, guvernatorja e shtetit të Ajovas, Kim Reynolds tha se nëse krahason popullin e Ajovas dhe atë të Kosovës, dallimet janë krejtësisht të vogla. Të përbashkëtat e dy popullatave po bëjnë që miqësia të jetë e qendrueshme, ndonëse distanca mes tyre është shumë e madhe.
Shtetin e Ajovës dhe Kosovën i ndajnë rreth 8 mijë e 500 kilometra. Por distanca nuk ishte aspak problem për një dyqan vere në qytetin Johnston të këtij shteti amerikan. Tash e një kohë, në “Wine Styles” shitet një verë e prodhuar në Kosovë.
Pronari i dyqanit, Allan Graham thotë se klientët e tij, veç shijes së verës Stone Castle mësojnë shumë edhe për vendin ku prodhohet ajo.
“Jo shumë njerëz e dinë që vera vjen nga Kosova, prandaj ajo që më pëlqen të bëj është t’u ofroj një kampion të verës pa u thënë gjë për origjinën e saj dhe pres reagimin, i cili gjithmonë është shumë pozitiv. Klientët mbesin të shtangur kur kuptojnë se çfarë është dhe prej nga vjen. Pastaj interesohen të dinë më shumë për vendin nga vjen kjo verë. Mendoj se nëse u thua se nga vjen para se ta provojnë atë pritjet janë tjera. Pastaj ka shumë njerëz që thonë se mendova se kjo verë ishte nga Kalifornia”, thotë pronari i dyqanit Allan Graham.
Ky bashkëpunim erdhi si rezultat i një raporti të veçantë partneriteti që Ajova dhe Kosova kanë nga viti 2013, kur dy shtetet nënshkruan marrëveshjen e shteteve simotra.
“Është rritur fuqishëm në fusha të ndryshme, marrëdhënia dhe mundësitë për të punuar bashkë në arsim, bujqësi, ushtri, polici, zbatim të ligjit dhe vazhdojmë të bashkëpunojnë dhe të gjejmë mënyra të reja bashkëpunimi”, thotë guvernatorja e shtetit të Ajovas, Kim Reynolds.
Fusha më e fortë e bashkëpunimit vazhdon të jetë ajo e ushtrisë. Vetëm javën që shkoi në Ajova qëndruan për 10 ditë katër pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të trajnimit për reagim në raste të katastrofave natyrore.
“Sigurisht ka qenë një kohë e shkurtër, mirëpo ndikimi i këtij ushtrimi është shume i madh. Dhe ky ushtrim është jashtëzakonisht i vlefshëm për neve si një forcë e re në Ballkan”, thotë Drilon Rama, Toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Pra këto mësime që i kemi marrë nga Garda Kombëtare e Ajovës, padyshim se do t’i implementojmë kur të kthehemi në njësitet tona. Duke pasur parasysh se çdo përvojë e marrë këtu do të ndikojë në zhvillimin e njësive tona”, thotë Bujar Ferizi, kapiten në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Marrja e përvojës nga garda e Ajovës, bëri që Kosova sot të ketë ushtrinë e saj me kapacitete të larta, thotë Guvernatorja Reynolds.
“Jam shumë krenare për pjesëtarët e gardës që shërbejnë në ushtri. Ishte mundësi e jashtëzakonshme të krijojmë mundësitë të ndajmë infrastrukturën dhe mënyrën e menaxhimit. Jemi krenarë me burrat dhe gratë që kaluan kohë në Kosovë, sikur që edhe ju kishit prani ushtarake në Ajova duke punuar bashkërisht dhe mendoj se Kosova është në pozitë shumë të mirë sot për shkak të këtij raporti shumë të shëndosh mes Gardës Kombëtare të Ajovës dhe ushtrisë tuaj”, thotë Guvernatorja e shtetit të Ajovas, Kim Reynolds.
Planet janë që Kosova të marrë përvojë në Ajova edhe në fushën e energjisë së ripërtëritshme, sektor ky që guvernatorja e këtij shteti thotë se janë të parët.
“Kemi disa biznese që janë duke punuar që të vendosen në Kosovë, në veçanti në fushën e energjisë së ripërtëritshme. Dhe nga ana tjeter të kemi biznese nga Kosova në Ajova është fantastike. Kemi folur gjatë për sipërmarrësit e rinj dhe mundesitë që egzistojnë, në mënyrë që të sjellim ata nga Kosova që të shohin infrastrukturën dhe mundësitë tona. Po na merr pak kohë që të arrijmë deri në atë pikë. Por shpresojmë që të krijoni ekosistemin më të mire sesa që kishim ne në fillimet tona. Dhe të ndajme, ne kemi ide për Kosovën dhe Kosova mund te ketë ide për ne”, thotë guvernatorja Reynolds.
Kosova është vend i vetëm që ka konsullatën e saj në këtë shtet amerikan. Prania e stafit diplomatik të Kosovës në Des Moines, e bën Kosovën pjesëmarrëse në shumë ngjarje kulturore që ndodhin në kryeqytetin e Ajovas.
Javën që shkoi, Kosova kishte hapësirën e saj të veçantë në kuadër të festivalit ndërkombëtarë të ushqimit dhe muzikës. Rëndësia e pjesëmarrjes në këto ngjarje është e madhe.
“Është shumë e rëndësishme sepse në fillim kur kemi hapur konsulatën nuk është se shumica e kanë ditur ku ndodhet Kosova. Prandaj janë të rëndësishme, përveç marrëdhënieve me institucione në këto fusha tjera të bujqësisë, ekonomisë apo edukimit të kemi edhe të dijnë njerëzit pak më shumë kulturën tone, se cfarë ushqime ne kemi”, thotë Rinora Jelliqi nga Konsulata e Kosovës në Des Moines.
Kuzhinieri nga Kosova, Përparim Babalija, ishte pjesëmarrës në këtë festival, i cili u prezantoi pjesëmarrësve të festivalit shijen tradicionale shqiptare.
“Ne kemi bërë diçka, një gatim shumë të thjeshtë, por që është nga zona e Kosovës. Kemi bërë birjan me vezëdhe oriz. Kemi bërë kaçamakun e Kosovës me miell misri të bardhë, me ajkë dhe me djath të deleve, kemi bërë edhe një shalqir me djath dhie dhe tartufin e zi sepse ne tradiocionalisht shalqirin e kemi përdorur në familjet tona, me bukë dhe me djath. Kjo është një pjatë që ne sot mund t’a modifikojmë, pasi në Kosovë kemi shumë tartuf dhe tartufi duhet të jetë si një lënd e parë që ne duhet të mburremi që kemi sasi shumë të madhe. Dhe ne do të bëjmë një pjatë ku bashkojmë produktet e Kosovës në një pjatë moderne”, thotë kryekuzhinieri që erdhi nga Prishtina në Des Moines të Ajovas, Përparim Babalija.
Guvernatorja Reynolds thotë se sa më shumë që dy popujt mësojnë kulturën e njëri tjetrit, lidhja sa vjen e forcohet.
“Mendoj se ka shumë ngjashmëri. Të gjithë thonë se kur udhëton në Kosovë ndihesh sikur je në Ajova. Njerëzit janë të ngrohtë dhe të sinqertë, të kujdesshëm dhe po me këto fjalë mund t’i përshkruaj edhebanorët e Ajovës. Sepse ne kujdesemi për njerëzit, komunitetin, mundohemi të ofrojmë mundësi për secilin dhe të njëjtën ndjenjë më japin të gjithë ata që vijnë nga Kosovan në Ajova. E dua rininë në popullësinë e Kosovës, mendoj se është e mrekullueshme dhe nga ajo perspektivë hapen shumë mundësi. Prandaj mendoj se është marrëdhënie që do ta shohim të rritet”, thotë ajo.
Para disa ditësh, 28 studente nga Kosova filluan studimet në kolegjin e komunitetit të Des Moines, mundësuar nga fondacioni Millenium me fondet e qeverisë amerikane.
Ato do të studiojnë në fushën e energjisë në programe dy vjeçare, për t’u kthyer më pas në Kosovë për të zhvilluar këtë sektor.
Komentet