Dhe ndërsa reja e censurës kishte mbuluar Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Evropën Lindore dallëndyshet e para tashmë kishin filluar të shpallnin fundit e dimrit të kuq. Në këtë kontekst, edhe në Teatrin tonë pas një mungese të gjatë filluan të riviheshin në skenë vepra të plota të repertorit operistik botëror.
Një nga përpjekjet e para ishte Traviata e Verdit të cilën e vumë për herë të parë në skenë me kolegë shqiptarë në vitin 1983, në bashkëpunim me kolegë turq në vitin 1985 dhe sërisht me kolegë shqiptarë në vitin 1988.
Edhe pse unë në atë produksion kisha rolin e vogël të Gastonit, gjatë provave finale në Skenën e Madhe, u bëra dëshmitar okular i lindjes së një ylli të madh, i cili disa vite më vonë do të shkëlqente në qiellin global. Në korridoret gri dhe pa jetë të Operës dëgjohej një zë magjepsës, që i jepte jetë dhe ngjyrë çdo ekzistence.
Violeta e vogël dhe e bukur, që sapo kishte dalë nga bankat e shkollës, kishte mahnitur të gjithë kolegët e brezit të vjetër me aftësitë e saj vokale dhe aktoriale. Të gjithë ne, kishim dëgjuar për fenomenin që quhej Inva për shkak të prindërve të saj që ishin miqtë dhe kolegët tonë prej vitesh, Avniut dhe Ninës. Megjithatë, -më besoni-, ish tjetër gjë të dëgjoje përshkrimet nga të tjetër dhe tjetër gjë ta përjetoje atë vullkan nga afër. Madje edhe instrumentistët gjatë pushimeve iu binin lexhiove me entuziazëm.
Kështu u krijua një valë shumë e nxehtë entuziazmi, që edhe pse kufijtë për Shqipërinë hermetike ishin ende të mbyllura, të gjithë besuam se ky yll do të çante vijat e mjegulluara të horizonteve dhe do të pushtonte botën.
Pas shfaqjeve, Teatri i Operas u përfshi nga duartrokitje masive. Shtypi i kohës lavdëronte yllin e sapolindur që kishte nisur të shkëlqente në rrugëtimin drejt majës. Ajo ishte Inva Mula.
Pak më vonë, kisha nderin ta kem bashkëprotagoniste në Operetën “Paja” të Nikolla Zoraqit. Që atëherë nuk kam pushuar ta admiroj dhe të gëzohen me arritjet e saj nëpër botë. Kjo ishte ajo vajza e vogël simpatike e Avniut dhe e Ninës që rrinte afër pianos kur ne bënim prova për “Karnavalet” dhe “Boranën”