“Betimi pranë flamurit. Gati për nder!” dhe më pas orkestra fillon të luajë…”
Ky disk, me qartësinë dhe pastërtinë e tij tejet të lartë, përmban një nga regjistrimet e rralla të Himnit të Flamurit, kryer në Amerikë në vitet ’20 në kompaninë “Columbia”, nën interpretimin e Ajdin Asllan Leskovikut.
Ditë më parë, kur Niko Kotherja postoi në “Facebook” këtë shënim, bashkë me imazhin e diskut, grishja për më shumë informacion mbi Ajdinin e himnin, qe e natyrshme. Ajdini vjen nga familja më e famshme e Shqipërisë së Jugut, e cila përbëhej nga muziktarë popullore, si Selimi e Hafizeja, për të cilët kemi ndeshur jo pak të dhëna ndër mote, megjithëse dikur emri i tyre humbet, teksa Shqipëria bëhet ‘shtet’. Kotherja nuk e ka së pari një zbulim me vlerë. Si koleksionist e njohës i mirë i historisë së zonës së Korçës me rrethina, bisedat me të janë gjithëhere sa joshëse po aq edhe magjepsëse për botën e humbur që të zbulon – Shqipnia e rropatun që megjithëkëtë bënte art. Para pak vitesh, ai pat gjetur edhe diskun me këngën e Himnit, interpretuar nga kori i Shkollës Normale Femërore të Korçës, nën drejtimin e maestro Sotir Kozmos.
E pas dhjetëra fotografish e dokumentesh të vlerta që zbulojnë magjinë e viteve 1900, dëshmi që enden mes Orientit e Oksidentit, imazhe të rralla e rrëfime në kufijtë e të pabesueshmes, na vjen tani një prej regjistrimeve të hershme të Himnit të Flamurit i shtohet edhe ky regjistrim, i cili deri më sot nuk konsiderohej në asnjë burim, shkrim apo studim.
– A dini si u regjistrua himni nga Ajdin Asllan Leskoviku? Në çfarë rrethanash?
Si fillim, duhet theksuar që ky regjistrim i Himnit të Flamurit në disk gramafoni, deri më sot nuk ka qenë pjesë e bashkangjitur studimeve të ndryshme që janë bërë për këngën himn dhe ka bërë pjesë në fondin e artë të regjistrimeve të panjohura e të pakonsultuara nga studiuesit. Me gjetjet e tjera, avash-avash po arrijmë në një plotësim të kuadrit të regjistrimeve të ndryshme, që i janë bërë Himnit në periudhën interesante para Luftës II Botërore.
– Në çfarë gjendjeje ruhet disku?
Disku sot është në një gjendje shumë të mirë dhe tejet të pastër. Disku u gjet në Amerike para disa kohësh dhe sot e kemi në dorë për t’u ruajtur e gjithashtu edhe për t’u dixhitalizuar dhe njëkohësisht për t’u vënë në shërbim të të interesuarve.
– Jo vetëm Himni, por edhe një marsh. Çfarë datimi ka disku i Ajdin Leskovikut?
Disku në fjalë duhet të jetë regjistrim i fundit të viteve ’20 ose fillimi i viteve ’30. Kjo përcaktohet lehtësisht, pasi disku përmban dy regjistrime shumë interesante, siç janë “Himni i Flamurit” dhe “Marshi i L. M. T. Ahmet Zogu”. Dimë që marshi i Zogut u kompozua që me themelimin e Republikës Shqiptare prej tij, më 1925, me fjalë të Kristo Floqit dhe muzikë të Thoma Nassit. Me marrjen në dorë të fronit të Shqipërisë, ku mbret u kurorëzua Ahmet Zogu, më 1928, si marsh apo himn i mbretit u mbajt përsëri ky kompozim, që tashmë vjen jo më me titullin “Marsh i Presidentit”, por si “Marsh i L. M. T. Ahmet Zogu”. Derisa në tabelën informuese të diskut shënohet tekstualisht “Marshi i L. M. T. Ahmet Zogu”, kjo na bën të kuptojmë që ky regjistrim është pas vitit 1928. Këngët janë himni i Zogut 3:49 dhe i flamurit 3:58.
– Çfarë domethënie ka regjistrimi në një disk i një himni e një marshi?
Ekzistenca e dy himneve në një disk tregon për karakterin kombëtar që Zogu kërkonte të rrëfente në mbretërinë e tij. Të njëjtën mënyrë regjistrimi, por përmes sazeve e shohim të emetuar edhe në një disk tjetër të vëllait dhe motrës së Ajdinit, Selimit dhe Hafizesë, të cilët po në “Columbia” kanë sjellë variantin e tyre të interpretimeve të këtyre dy himneve.
– Çfarë ka të veçantë sfondi historik në të cilin u regjistrua dhe vetë disku?
Trajtimi që i ka bërë Ajdin Asllani interpretimit të Marshit të Ahmet Zogut vjen direkt nga Tirana, ku materiali u kompozua dhe u këndua. Me këtë dua të them se Ajdin Asllani ka qenë pjesë e bandës kombëtare VATRA, që erdhi në Shqipëri me 1920, bandë e cila fillimisht u quajt si “Banda nr. 1” ose “Banda e Bashkisë së Korçës” dhe më 1925 kjo bandë shkoi dhe u vendos në Tiranë, duke u quajtur si “Banda Presidenciale”, formacion i cili ka luajtur për herë të parë këtë marsh.
Ajdin Asllani rreth vitit 1926 udhëtoi drejt Amerikës, duke marrë me vete edhe frymën dhe mënyrën e interpretimit të këtyre dy himneve në ceremoni të ndryshme të kohës, gjë që e ka sjellë edhe në regjistrimin që na ka lënë e për të cilin po flasim.
Në pjesë e Himnit të Flamurit kemi diçka interesante, pasi para se të fillojë interpretimi i këngës, ai flet dhe thotë: “Betimi pranë flamurit. Gati për nder!” dhe më pas orkestra fillon të luajë.
– Emri i Ajdin Leskovikut flet për një personalitet që i ka dhënë shumë muzikës së kohës. Cili qe rrugëtimi i tij?
Ajdin Leskoviku është një personalitet ndër regjistrimet shqiptare. Përveçse ai vinte nga një familje e rëndësishme e muzikës sonë popullore dhe qytetare të Shqipërisë së Jugut, ai vetë ka qenë një nga shqiptarët që ka themeluar një shtëpi diskografike në Amerikë, që përmendet si e veçantë nën emërtimin “Balkan Record”. Kjo kompani e tij bënte regjistrime të muzikës së popujve të Ballkanit dhe normalisht edhe shqiptarëve, që në shumicën e rasteve këngët shqiptare kanë për drejtues, instrumentist dhe solist vetë Ajdin Asllan Leskovikun. Është interesante të përmendim këtu që para se ai të themelonte këtë kompani diskografike, e hasim të regjistruar në kompani të tjera, si për shembull “Columbia”.
– Familja Leskoviku patën qenë një familje në zë atëkohë. Si e shpjegoni që rrallë përmenden?
Nga pjesëtarët e familjes së madhe të Asllan Leskovikut, prej tij vetë dhe fëmijëve të tij Selimit, Hafizesë, Ajdinit apo edhe të tjerëve që janë pjesë e kësaj familjeje, si Ibrahim Leskoviku, Ferhat Leskoviku, etj. ruhen shumë regjistrime. Por, ende deri më sot nuk është bërë një punë e mirëfilltë shkencore për identifikimin, gjetjen dhe vënien në dispozicion të krijimtarisë së tyre. Mbase kjo mungesë vëmendjeje ndaj tyre dhe ndaj asaj pasurie të jashtëzakonshme që ata kanë lënë, ka bërë që ata të përmenden rrallë dhe kështu t’u mohohet deri diku vlera e madhe që kanë për kulturën tonë.
– Hafizeja pat qenë ankuar “ia morën zërin” kur e regjistruan në disk, madje pat ikur drejt Stambollit për t’u kënduar njerëzve. Ç’trashëgimi ruajmë sot nga kjo familje?
Të paktën, unë ruaj prej tyre mbi 13 disqe, ku në një disk janë regjistruar dy këngë. Krijimet e tyre u regjistruan nëpër kompanitë diskografike më të mira të kohës, si “Columbia”, “Odeon”, “His master’s voice”, “Homocord”, “Polidor”, “Balkan Record”, “Me – Re Record”, “Jet e re”, etj.
Por, ne sot na mungon një fotografi e tyre apo e grupit, ne sot nuk dimë shtëpinë e tyre në Leskovik dhe nuk kemi asnjë të dhënë apo kontakt për pasardhësit e tyre që jetojnë në Stamboll dhe që normalisht duhet të ruajnë materiale në lidhje me pararendësit, ne sot nuk kemi një tabelë përfundimtare të regjistrimeve të tyre si dhe na mungojnë shumë regjistrime që ata kanë bërë. Të gjitha këto bëjnë që të kemi një trajtim sipërfaqësor të artistëve popullorë dhe të mos njohim shumë të dhëna nga biografia e tyre.
– Si e gjen Niko Kotherja dëshmitë e rralla të kulturës sonë?
Për të gjetur dëshmitë e rralla të kulturës sonë duhet shumë punë, shumë studime, shumë kërkime, shumë dashuri dhe shumë përkushtim dhe të gjitha këto së bashku sjellin përfundimin e tyre të konkretizuar me gjetje dhe zbulime, që plotësojnë akoma me shumë mozaikun e munguar të historisë dhe kulturës sonë. Dhe në fakt, kjo është e përditshmja ime, puna ime dhe dëshira ime, që me anë të punës dhe kërkimit të mund të jemi të dobishëm për të ardhmen.
Së shpejti kam besimin e gjetjes së disa imazheve të Leskovikut gjatë Luftës I Botërore, kohë kur familja e madhe e artistëve popullore ende nuk ishte larguar për në Stamboll nga vendi i tyre i lindjes./GSH
Komentet