PRISHTINË – Pas vazhdimit të punimeve të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën deputetët e opozitës nuk janë lejuar të hynë nga ana e sigurimit policor të Kuvendit, Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes për Anadolu Agency deklaroi se, moslejimi i hyrjes së deputetëve opozitar në vazhdimin e seancës është në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit dhe se opozitës nuk i ka mbetur asnjë zgjidhje përveç protestave në rrugë.
“Para hyrjes së sallës së Kuvendit janë të vendosura forcat e sigurimit, gjithashtu, gjithandej rreth e përqarku ku janë edhe hyrjet tjera, janë të vendosur policët e njësisë speciale. Na është pamundësuar pjesëmarrja në seancë, ndërkohë që dëgjojmë deklarimet nga kryesia e Kuvendit, konkretisht nga kryetari se, opozita e ka vetëpërjashtuar vetën në këtë rast edhe pse ata kanë marr vendim për pezullim i cili është në kundërshtim me Rregulloren” rrëfen për AA, nënkryetarja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.
Duke thënë se ka dëgjuar që, Kryesia e Kuvendit paska marrë vendim për ta pezulluar komplet opozitën nga seanca, Aida Dërguti shpjegon që kjo është në kundërshtim me Rregulloren, sepse gjatë seancës mund të pezullohet ndonjë deputet mirëpo nuk mund të marrë kryesia vendim që të pezullojë komplet opozitën.
“Mund të pezullosh ndonjë deputet individualisht por jo kështu në mënyrë grupore, tri subjekte opozitare, do të thotë komplet opozitën. Kjo është e paparë” deklaroi Dërguti.
Ajo ka kritikuar veprimet e pushtetit aktual, duke cilësuar se vendi po shkon drejt diktaturës, gjë të cilën sipas saj, Qeveria e ka vërtetuar me veprimet e dhunshme të aparatit shtetëror gjatë javëve të fundit dhe në veçanti të shtunën, me rastin e intervenimit në selinë e Vetëvendosjes, kur policia kishte hyrë me tyta të armëve të drejtuara kah aktivistët që gjendeshin brenda.
“Këtu tashmë është vendosur shteti policor. Janë tejkaluar të gjithë kufijtë e mundshëm të funksionimit normal dhe e kemi një situatë e cila, ndonëse nuk po quhet e jashtëzakonshme, mënyra se si veprohet është vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Këta nuk po e kanë parasysh se, megjithatë deputetët janë përfaqësuesit e qytetarëve, përfaqësojmë vota në Kuvend dhe nuk mund t’ua kufizojnë pjesëmarrjen” deklaroi Dërguti.
Ajo assesi nuk i ik përgjegjësisë për veprimet e deputetëve, duke thënë se ata për veprimet e tyre mund të kenë pasoja, por shton se deputetëve nuk mund t’iu pamundësohet hyrja në seancë. Pasi që pushteti aktual këtë e ka bërë duke përdorur policinë dhe dhunën, Dërguti thotë se opozitës i mbetet vetëm një rrugëdalje.
“Me këto vendime, neve na ka mbetur një rrugë dhe ajo rrugë është “rruga”, rruga e protestës. Do t’iu bëjmë thirrje qytetarëve që të vijnë bashkë me ne, t’i kundërshtojnë dy marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, marrëveshjet e Brukselit për Zajednicën dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe në këtë formë do ta mbrojmë Republikën. Për sa kohë Kuvendi mbrohet me polici, ne do ta mbrojmë Republikën me qytetarë, nëpër sheshet, nëpër rrugët e Kosovës” tha Dërguti.
Lidhur me mundësinë që dyja palët të lëshojnë nga pak, në mënyrë që t’i jepet rasti debatit në kuadër të seancave plenare, për çështjet kontestuese, Aida Dërguti u shpreh se, sikurse që tani deputetët e pozitës kanë filluar të thonë se Marrëveshja për Demarkacionin qenka e dëmshme, me kohë do ta kuptojnë se Marrëveshja për Zajednicën është jashtëzakonisht e dëmshme sepse aty parashihet edhe kompetenca ekzekutive, me çka, kjo marrëveshje automatikisht bëhet anti-kushtetuese.
Sipas saj, çdo futje e kësaj çështjeje në rendin e ditës së punës së Kuvendit do të ishte shkelje e Kushtetutës sepse deputetët e Kuvendit do ta shqyrtonin një dokument që, sipas Dërgutit, “një individ i paautorizuar, shkon dhe e nënshkruan në kohën kur Kuvendi ndodhet në pushim”.
Ajo insiston se kryeministri Mustafa nuk ka pasur të drejtë të nënshkruaj këtë marrëveshje pa pëlqimin e organit më të lartë në vend, që është Kuvendi i Kosovës, sepse pikërisht ky organ edhe e ka zgjedhur si kryeministër dhe insiston se këtu janë bërë shumë shkelje.
Krejt në fund, Dërguti thotë që opozita nuk është kundër dialogut dhe absolutisht nuk e kundërshton dialogun e brendshëm por, prej një pozicioni tjetër e jo ky aktual kur, sipas saj, qeveria aktuale i ka vendosur para aktit të kryer pasi ka përfunduar nënshkrimin e marrëveshjeve dhe tash i thërret për të biseduar. Ajo këtë e konsideron si pozicion të pabarabartë dhe kërkon që fillimisht të anulohen marrëveshjet dhe pastaj pozita dhe opozita të ulen dhe t’i diskutojmë të gjitha çështjet, një nga një.
Komentet