Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin vjetor mbi “Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë”, në pjesën për Shqipërinë, ngre shqetësimet për gjendjen e pakicave kombëtare, të fëmijëve, çështjen e të zhdukurve, sistemin e drejtësisë dhe gjendjen e burgjeve.
Në raport theksohet se autoritetet nuk kanë bërë asnjë përparim në vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për zhdukjen me forcë në vitin 1995 të Remzi Hoxhës një shqiptar nga Maqedonia, fati dhe vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.
Qeveria ka filluar të bashkëpunojë me Komisionin Ndërkombëtar për personat e zhdukur për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e shqiptarëve të zhdukur nën regjimin komunist midis viteve 1944 – 1991. Edhe më tej rreth 6 mijë persona ndodhen në listën e të zhdukurve.
Raporti vë në pah se në muajin qershor të vitit 2016 autoritetet në Tiranë kërcënuan me dënim me forcë mbi 80 familje, kryesisht rome dhe egjiptiane që jetojnë në një zonë të rrezikuar nga përmbytjet, por nuk kishin siguruar nja strehim tjetër.
Sipas raportit, në muajin qershor, një gjykatë pezulloi kreun e Policisë së Shtetit, për abuzim dhe pjesëmarrjen në vendosjen e pajisjeve regjistruese në komisariatet e policisë. Në përgjigje, kryeministri dhe ministri i Brendshëm akuzuan gjyqësorin se po i shërben opozitës duke dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit.
Në muajin korrik, parlamenti miratoi një reformë në drejtësi që ndryshoi dhjetëra nene të Kushtetutës dhe futi legjislacionin e ri për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe për të parandaluar ndërhyrjet e politikes dhe korrupsionin.
Gjatë vitit të kaluar mbi 1 mijë kërkesa për strehim janë paraqitur tek autoritetet në Shqipëri, pa mbylljes së kufirit Greqi dhe Maqedoni, që nxiti shumë emigrantë të kërkojnë mbrojtje në Shqipëri.
Nga ana tjetër, sipas raportit, rreth 20 mijë shqiptarë kanë bërë kërkesa për strehim në vendet e Bashkimit Evropian, shumica e tyre në Gjermani. Mirëpo, shumica e kërkesave janë refuzuar, meqë Shqipëria është përfshirë në listën e “vendeve të sigurta të origjinës”.
Raporti thekson se në muajin mars, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës ka shprehur shqetësime lidhur me kushtet e paraburgimit në Shqipëri. Komiteti ka dokumentuar raporte të shumta nga të paraburgosurit – duke përfshirë të mitur – për keqtrajtim nga punonjësit e policisë, që në disa raste përfshijnë edhe përdorimin e torturës.
Raporti kujton se në muajin maj, tortura apo keqtrajtimet e tjera të fëmijëve, përfshirë abuzimin seksual të vajzave, në një jetimore në qytetin e Shkodrës, shkaktoi një skandal kombëtar, pasi prokurori i rrethit zbuloi shkallën e abuzimit. Pesë persona, duke përfshirë edhe ish-drejtori i jetimores, u arrestuan.
Komentet