Bëhet fjalë për periudhën në fund të vitit 1997 dhe fillim i vitit 1998, koha kur ishte menduar që Nasho Jorgaqi, “Dragoi”, të emërohej zëvendësministër i Kulturës.
Për më shumë ndiqni një fragment të librit “Mëkatarë” të ish-kreu të Komisionit të Pastrimit të Figurës, të ndjerit Nafiz Bezhani.
* * *
Dosja “Dragoi” kishte histori të tilla për një roman të veçantë, por unë nuk kisha atë qëllim, bile e quajta kohë të humbur të merresha me dramën e tij të koklavitur. Prandaj e quajta të mjaftueshme për ta deklaruar me pengesa ligjore dhe për ta këshilluar që të hiqte dorë nga kandidatura e tij për funksionin e lartë të zëvendësministrit. Pritej që kjo kandidaturë të shqyrtohej brenda pak ditëve nga Këshilli i Ministrave, prandaj duhej që vendimi i komisionit t’ia paraprinte mbledhjes që organizonte ai së shpejti. Ftesa që iu dërgua…ishte shumë e thjeshtë:
“Lutemi të paraqiteni nesër para këtij komisioni, për një problem që ju intereson edhe juve”.
Por në vend që t’i përgjigjej ftesës për të ardhur në Komision, ai u paraqit në Drejtorinë e Kuadrit, ku dorëzoi një deklaratë me shkrim, në të cilën i kërkonte Këshillit të Ministrave të tërhiqte kandidaturën e tij për zëvendësministër, për shkaqe serioze, shëndetësore e familjare, si dhe për faktin se në këtë moshë dëshironte t’i përkushtohej vetëm punës shkencore. Kur drejtori i Kuadrit, që ishte anëtar i komisionit ma komunikoi këtë deklaratë, ai tha:
“E prisja një përgjigje të tillë. Dragoi e përdori shkathtësinë e tij jo vetëm për t’i shpëtuar rrjetës sonë, por edhe për t’i shpëtuar diskutimit të gjerë të së kaluarës së tij, pra edhe për të ruajtur sekretin që ishte zotëruar para organeve të Sigurimit të Shtetit”.
Nafiz Bezhani, “Mëkatarë”, Tiranë 2001, faqe 184-185)
Komentet