Bëhet fjalë për aktivitetin “Letërsia dhe qyteti”, një nismë e dy gazetareve të njohura Beti Njuma e Alda Bardhyli, që synojnë të sjellin zëra dhe personazhe që i kanë munguar qytetit, për t’i dhënë një tjetër dimension frymëmarrjes intelektuale.
E kontaktuar nga newbsomb.al, Beti Njuma sqaron se pjesë e kësaj nisme janë 12 shkrimtare. Më herët takimet janë realizuar me dy emrat e shquar të letërsisë, Bardhyl Londo e Brikena Çabej e ndërsa mbrëmë e ftuar ka qenë pikërisht shkrimtarja Diana Çuli. Dy gazetaret kanë menduar të bëjnë pjesë të aktivitetit letrar edhe Agron Tufën por ky i fundit, krejt befasisht ka bërë një publikim në rrjetin social ku e ka cilësuar shkrimtaren si “vrasëse” të Genc Lekës e Vilson Blloshmit.
“Ejani të lexojmë poezitë e poetëve të vrarë Genc Leka e Vilson Blloshmi para Diana Çulit, në të njëjtin vend me vrasësen e tyre”, shkruajti Tufa dhe publikoi pasazhe nga reçenca e Diana Çulit për Genc Lekën që sipas drejtorit solli pushkatimin e shkrimtarit.
Pas thirrjes për skandal, shkrimtarja ka vendosur mos marrë pjesë në aktivitet për të shmangur ndonjë përplasje të bujshme e për mos rënë pre e provokimit të Tufës.
TUFA MBLEDH NË FORMË PROTESTE MIQTË E TIJ pikërisht në aktivitetin ku do ishte pjesë Diana Çuli dhe shkruan:
“Falenderim dhe mirënjohje për të gjithë poetët e lexuesit që na mbështetën me praninë e tyre sonte ne “You, me & Bukowski” për mbrëmjen poetike kushtuar poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Prania juaj bëri të zbythej vrasësja e tyre, sh-krim-tarja Diana Çuli, siç edhe parashikohej. U kënaqëm shumë dhe u dhamë një mësim etik në distancë të gjithë atyre që keqpërdorin projektet me fondet publike, që u janë dhënë ndershmërisht për të promovuar shkrimtarët shqiptarë, e jo vrasësit që nuk kanë kerkuar falje. Replika, e them sinqerisht, nuk kishte lidhje fare fare me MK, që thjesht ofron mundesi, por per udheheqeset e projektit, qe me një mendjelehtësi shokuese mendojnë se mund të kurorëzojnë Trëndafilat me zhaba ose Zhabat me Trëndafila.
Respekt për 30 të pranishmit! Në Kënetën tonë, ne së bashku do të dimë t’i mbajmë, së paku, ca rrjedha uji të pastër…. Sa për modele morale në ndotjen e përgjithshme. Ky i sotmi ishte një aksion ekologjik në letërsi”.
PËRPLASJA E TUFËS ME ÇULIN: FLET BETI NJUMA, gazetarja organizatore e aktivitetit letrar
“E ftuara e rradhës në aktivitetin tim dhe të koleges Alda Bardhyli ishte Diana Çuli dhe me shumë dëshirë ne ftuam edhe zotin Agron Tufa. Më vjen keq që zoti Tufa i mblodhi njerëzit në një “antimiting” nën çadrat e lokalit e për më tepër në ambientet e një lokali privat. Ajo që i bëra zotit Tufa është që e ftova të vinte në aktivitet e të përballej me Diana Çulin, gjë që do e bënim dhe unë e Alda, pasi detyra jonë është të pyesim, jo të bëjmë gjyq publik.
Me shumë dashamirësi, për hir të njohjes e bashkëpunimit që kemi prej kohësh, ftova Tufën të vinte e të bënte të njëjtën gjë si unë e Alda. Më erdhi cudi që zoti Tufa zgjodhi këtë moment për të sulmuar Diana Culin se ajo ka 27 vjet që merr pjesë në juri të ndryshme, ka një emision televiz në median e Ylli Ndroqit, shkruan te Mapo e Henri Cilit, ka botuar te Toena njësoj si Agron Tufa, prej kaq shumë vitesh, dhe kurrë s’e ka akuzuar botuesin Fatmir Toci që boton një shkrimtare vrasëse. Përse në gjithë këto vite, zoti Tufa s’e ka marrë një nismë të tillë?
Shkrimtarja Diana Çuli e ka sqaruar pozicionin e saj edhe në një emison të posaçem të Blendi Fevziut. Është shprehur e gatshme për t’u ballafaquar me të gjitha akuzat që ngrihen ndaj saj në mënyrë periodike. Ku ishte zoti Tufa asokohe? Pse nuk shkoi te Fevziu të lexonte poezitë e poetëve dhe të thoshte të gjitha këto që i thotë pikërisht tani.
Pastaj si për ironi, zoti Tufa ka shitur librat në një stendë me Diana Çulin. Në promovim, në Panairin e Librit, ishte edhe libri i Tufës dhe Çulit, pasi të dy kishin si shtëpi botuese “Toenën”. Si rrinte i qetë zoti Tufa, duke ditur që kishte në krah një “vrasëse” në panair?!
Unë i pashë me kujdes dokumentet që publikoi zoti Tufa dhe për hir të së vërtetës nuk gjeta asgjë aty që të më bënte të mendoja se reçenca e shkrimtares ka çuar në vdekjen e poetit Genc Leka.
Përveç reçencës së Diana Çulit, kam lexuar edhe reçencat e Koçi Petritit dhe Myzafer Xhaxhiut për Genc Lekën dhe më habit fakti që këto reçenca me ngjyrime edhe më të forta s’janë përmendur kurrë.
Gjithashtu kam lexuar edhe parathënien e studiuesit Sadik Bejko që ka shkruar në librin e poezive të Genc Lekës dhe aty nuk flitet për asnjë akuzë.
Një studiues kaq serioz sa Sadik Bejko nuk e merr përsipër të bëjë akuzë kaq të rëndë por mban një qëndrim shumë profesional.
BETI NJUMA: DO BËJ NJË DOKUMENTAR, TË ZBARDHET NJËHERË E MIRË E VËRTETA
“Ne donim që aktiviteti të zhvillohej por respektuam vullnetin e shkrimtares për të shmangur përplasjet e mundshme me njerëz që janë kaq të ngarkuar por kjo s’do mbetet me kaq, unë do bëj një dokumentar për të zbardhur njëherë e mirë të vërtetën e Gen Lekës e Vilson Blloshmit.
Ashtu siç kam zbardhur për publikun Masakrën e bombës te Ambasada Sovjetike, Masakrën e 4 shkurtit, Konferencën e Tiranës e shumë të tjera, për të cilën kam marrë falenderimet e posaçme edhe të zotit Tufa, do zbardh edhe këtë histori për të cilën është i ftuar sigurisht edhe vetë zoti Tufa të japë kontributin e tij.
Më pas publiku, lë ta gjykojë vetë se kush janë vrasësit e vërtetë”.
VARGJET E NËNVIZUARA PËR TË CILAT AGRON TUFA AKUZON DIANA ÇULIN (Reçenca e bërë nga shkrimtarja për Genc Lekën në moshën 25 vjeçare, në 1976 në kulmin e goditjeve që i bëheshin njerëzve të elitës)
Vjersha ‘poezi pa titull’ është një vjershë pesimiste.
“Dy vargjet e fundit që flen mes gurësh përgjithnjë në ëndrrat e mia” e shprehin qartë idenë se jeta e tij e tanishme nuk është aspak e bukur dhe ëndrrat që kishte nuk ju plotësuan.
Autori kujton me nostalgji kohën kur ata vinin dhe i sillnin atij ‘veç gëzime’. Duket se këta miq, autori i ka parë kur ish fare i ri në moshë (vargu : unë i vogël isha atëhere)
“Oxhaku” kjo vjershë ngjan disi me vjershëm për miqtë e parë. Autori flet për oxhakun rreth të cilit janë ulur shumë miq”.
“Kjo rrugë”. Vjersha nuk është shumë e qartë. Autori flet për një rrugë malore me “gjurmë në zall” e cila humbet diku nëpër pyje dhe për të ai ndjen një mall të madh. Kjo nuk është rruga e shtëpisë së tij, sepse ai thotë që “fëmijët i lashë”, pra ikën nga shtëpia por shpreson se një ditë ata do nisen drejt “rrugëve të reja”. Rruga diku e çon autorin por ai nuk e tregon se ku, gjithashtu nuk shjegon pse ndjen mall për të.
“Siç shikohet në vjershat që bëhet fjalë më sipër apo vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim, kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegori, gjë që tregon se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike.
Komentet