Gazetari i njohur, Mustafa Nano, është shpërblyer nga Edi Rama me postin e ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër.
Ditën e sotme Nano është paraqitur për dëgjesë në Komisionin e Jashtëm në kuvend ku ka shpalosur platformën e tij.
Ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, të cilët janë pyetur dhe në disa raste telendisur nga deputetët e opozitës, me Mustafa Nanon ka ndodhur e kundërta.
Deputetët e njohur si mbështetës të Bashës kanë vënë në siklet Nanon me lavdet që i kanë thurur gazetarit të konvertuar më diplomat.
Kjo dashamirësi e deputetëve të ‘opozitës’ ka habitur edhe vetë Mustafa Nanon, i cili është shprehur se ndihet i përkëdhelur dhe llastuar.
Më të zëshmit kanë qenë deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Kreshnik Çollaku.
Gjekmarkaj, i cili ashtu si Nano është konvertuar së fundi nga gazetar në politikan, i është drejtuar me elozhe duke i thënë, ‘më vjen mirë që kemi ambasador dikë që ka shkruar libra’.
Ndërsa deputeti tjetër, Çollaku, është mërzitur për boshllëkun që do krijohet në studiot televizive nga Mustafa Nanos.
Më poshtë pjesë nga seacna dëgjimore në Komisionin e Jashtëm:
Mustafa Nano: Do doja të ishte një moment i veçantë në jetën time. Shpresoj që puna të jetë interesante. Në Zvicër ka një rreth të madh shqiptarësh. Do mbaj fokus të veçantë te detyra ime. Unë kam vendosur të jem më aktiv se ambasadorët e tjerë në botë. Unë do doja të isha më aktiv. Do doja që roli i ambasadorit të ishte më i madh. Do kuroj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Kreshnik Çollaku: Më vjen mirë që vuri theksin te diaspora. E nxis dhe me entuziazmoi dëshira për këtë risi në diasporë. Me keqardhjen e madhe që Tiranës do t’i mungojë një studio ku ne flasim.
Agron Gjekmarkaj: Jemi munduar që Zvicrës t’i gjejmë ambasadorë të qetë. Duhet t’i kishim marrëdhëniet me cilësore, ndoshta duke dërguar atje një zhurmues do ketë ndryshim. Më vjen mirë që kemi ambasador dikë që ka shkruar libra. Shpresoj që Shqipëria të fitojë një ambasador cilësor. Besoj se ai është njeri i lirë dhe do jetë shërbëtor cilësor i vendit tonë.
Mustafa Nano: Ndihem i ledhatuar dhe i llastuar që po pritem mirë. Nuk kisha dyshime.
Kujtojmë se Mustafa Nano është autor i tezës së famshme të ngjizjes së ‘aleancës së qelbësirave’ për të bërë Edi Ramën kryeministër.
Mesa duket edhe dy deputetët e ‘opozitës’ duken të kënaqur me funksionimin e kësaj aleance në një dekadë. syri.net