Pjesa e parë- Një meritë e Agollit në fund të viteve 1950
Titulli i këtyre shënimeve është perifrazim i sentencës së njohur latine “ Primus inter parem”, që do të thotë “I parë midis të barabartësh”. Me fjalë të tjera, Dritëro Agolli është shkrimtar i njohur, por, po aq sa ai janë të paktën edhe disa të tjerë, sidomos në fushën e poezisë, të cilët, mjerisht kritika komuniste dhe paskomuniste nuk i ka nxjerrë sa duhet në pah.
Ma përforcoi këtë bindje opinioni i përgjithshëm që u shpreh thuajse në mediat tona, të shtypura dhe elektronike, fill pas shuarjes së kësaj figure të rëndësishme, që ka lënë gjurmë të dukshme në letërsinë shqiptare.
“Kolos”, “patriark, ”i pazëvendësueshëm”, ”gjeni I letersisë sonë” qenë vetëm disa nga epitetet që përdorën me këtë rast autorë në shkrimet të botuara në gazeta. Kurse studiuesi i njohur Shaban Sinani, zërin kushtuar Agollit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, (vëllimi 1, faqe 16, 2008) e fillon me fjalët: “AGOLLI Dritëro,(1931-), shkrimtar, publicist,veprimtar shoqëror, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Dhe më tutje: ” D.A. është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të brezit të vitevë 1960”. Pra, siç thotë populli, përcaktime dhe vlerësime me “me këmbë në tokë”, ( po aty).
Madje, edhe në këtë përcaktim ka një fakt të pasaktë, sepse Agolli është shquar mbi të gjithë poetët shqiptarë të periudhës komuniste edhe para viteve 60-të të shekullit të kaluar, më përpiktë që më 1958, kur botoi vëllimin e parë me poezi,” Në rrugë dola”, i cii solli risi të reja në fushën e krijmtarisë poetike, deri atëherë prodhonte kryesisht poezi pllakateske, dhe nuk në gjendje të vazhdonte traditat më të mira të poezisë shqipe të Paraçlirimit.
Këtë e vë në dukje, veç të tjerëve, edhe studiuesi kanadezo-gjerman, Robert Elsi, në veprën e tij “Histori e letërsisë shqiptare”, ku thekson: ”Pjesa më e madhe e shkrimeve me shumicë ne vitet pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. (Vepër e cituar,faqe 383, botim në shqip, Pejë 1997). Dhe më tutje: “Tematika e krijimeve të kësaj periudhe, përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të vecantë për elementet themelore të stilit…Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëdësishme se vlerat estetike. Ky qëndrim synonte të thellonte frymën revolucionare dhe të forconte bindjet socialiste të “njeriut të ri”, (po aty).
Duke u mbështetur në studimin “Enver Hoxha “gju më gju” me poetët”, që kam botuar në korrik të vitit të kaluar, në katër numra të gazetës “ Panorama”, kushtuar takimit të diktatorit tonë me përfaqësues të inteligjencies së Tiranës, në korrik të vitit 1961, edhe për probleme të tjera në lëmën e poezisë së asaj periudhe, po e thelloj dhe më shumë këtë argument. Për këtë qëllim do mbështetem gjithashtu edhe në veprën “Alternativa letrare shqiptare”, (Shkup,1995), të studiuesit dhe poetit të njohur kosovar, Agim Vinca, kurse në numrin tjerër të kësaj gazete do të përpiqem të analizoj domethënien e titullit të këtyre shënimeve, kushtuar Agollit.
Midis të tjerash, Vinca ndalet te poema “ Miku” e Llazar Siliqit, (1951) dhe permend vargjet e saj:
“Me makina punë t’randa,/ata bajnë, si vllazën rrojnë,/ bashkëgazojnë,/si asht ma mirë jëtën e çojnë”.
Këtyre vargjeve Vinca u kundërvë një fragment nga “Poema e maleve”, (1958), ku autori I ri, Dritëro Agolli, shkruan:
” Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë,/ fëmijët e tu brekushe me arna mbajnë/ dhe çokollata një herë në muaj hanë as’hanë”.
Ndërsa
Dhe ja pas Agollit, pikërisht në fillim të viteve 60-të të shekullit të kaluar u shfaq me aq siguri dhe talent një brez i ri ti poetësh, të paraprirë nga I.Kadareja, F. Arapi, Dh.Qiriazi, V. Skënderi .. të cilët thelluan më tej shtigjet e reja poetike të hapura për hërë të parë nga Agolli dhe jo vetëm kaq, por me një stil figurativ edhe më të përkryer, krijuan një traditë të re në poezinë shqitare të Pasçlirimit.
Kështu, për shembull, Kadareja në poemën “Endërr industriale” qytetin e ri që po ndërtohet e përshkruan kështu:
“ Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,/s’ do të gogësijë duke pirë çaj,/i futur në pizhame”.
Duke shkruar për dashurinë, Kadareja shprehet në këtë mënyrë:”Do të kujtoj, mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,/ dënesën e mbytur,/ rrëzuar mbi supin tim,si dëborë e pashkundshme…”.
Kurse po në këtë peridhë Arapi shkruan:
“Miliona dashuri u nisën në takime,/ Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta./ Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre,/ Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta,/ Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”
Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit, sidomos lexuesit e rinj në fillim të viteve 60-të , nuk u pëlqeu poetëve të brezit të vjetër, të cilët shihnin në këto dukuri, shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të deriathershme.Ndaj u hodhën në sulm, madje edhe në takimin e mësipërm të korrikut të vitit 1961, pra në prani të vetë Enver Hoxhës, që kishte ardhur enkas për të dëgjuar debatet midis “poetëve të vjetër” dhe “poetëve të rinj”, aspekte të të cilit i ka përshkruar me vërtetësi poeti F.Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam’’, (1996).
Kështu, poeti Luan Qafëzezi në diskutimin e tij të ashpër, ndër të tjera, sulej në këtë mënyrë mbi poeteët e rinj që përdornin” stil të ri figurativ dhe “varg të lirë që thyente normat tradicionale të metrikës nën preteksin e një farë novatorizmi”:
“ Ne prapa këtij “modernizimi”,- nënvizonte ai,- shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë. Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime, paqartësira, përçartje dhe figura ekstravagante.Tema e saj kryesore është tema ndërkombëtare, shekulli i 20-të, kozmosi e të tjera, duke u larguar kështu nga jeta shqiptare e përdidtshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte”.(Fatos Arapi, “Kur kujtohem që jam”,(“Kur kujtohem që jam”, faqe 73-74-75, 1998).
Po në atë mbledhje Luan Qafëzezit dhe poetëve të tjerë që u bashkuan në kor kundër poetëve të rinj, me argumente shumë bindëse iu përgjigjën poetët e rinj Kadare dhe Arapi. Agolli mungonte. Ndërkohë, poeti M. Gurakuqi, në artikullin “Traditë dhe novatorizëm”, ( ”Drita”,13 dhe 20 gusht 1961), duke vazhduar sulmtet e poetëve të vjetër, këtë radhë në shtyp, midis të tjerash, shkruante se një pjesë e e poezisë së së autorëve të rinj, ishte e diskutueshme për disa arsye, siç ishte ajo e reduktimit të figurës si mjet më vete dhe në disa raste e shmangies së saj nga tradita e poezisë sonë. Atëherë Dritëroi, aso kohe gazetar në”Zërin e Popullit”, i përgjigjej M.Gurakuqit me artikullin “Traditëm natyrisht , por jo shtampë”.(“Drita”, 27 gusht 1961).
Në këtë artikull ai nënvizonte se poezia e deriatëhershnme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njejta vepër”. Ai shtonte gjithashtu se shumë nga poetët e vjetër “kishin një konceptim jo realist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur, me epitete stereotipe si “kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideo-emocionale të kujtojnin heronjtë e baladave të shekullit XV”.
Dhe ky diskutim, krahas disktutimeve të mësiperme të Kadaresë dhe Arapit, që u botuan më pas në revistën “Nëntori “, ishte një ndihmesë e vyer, për të kapërcyer pengesat të cilat i sillnin poetët e vjetër në lëvrimin e një poezie krejtësisht të re, që sillte vetë Agolli krahas poetëve të mësipërm. Sigurisht kjo ndodhi edhe pasi Enver Hoxha në diskutimin e tij i mbështeti ata..
“Të rinjtë me dinamizmin e tyre bëjnë mirë që na shkundin ne të vjetërve,- tha ai.-Prandaj unë nuk besoj kurrë që shkrimtartët dhe artisët e vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e të rinjve. Veçse ata, duke pasë kaluar më parë nëpër këto shtigje , kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni nga rruga…Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj …nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…..(Revista ”Nëntori” nr. 11 , 1961).
Pra, Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, duke përfshirë edhe Agollin, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Ai kishte nevojë për veprat e tyre, paçka se të shkruara në mënyrë moderniste. Të rinjtë do t’i duheshin atij që të thurnin vargje për Partinë, që do të mbeteshin në letërsine e asaj periudhe , pikërisht falë talentit të tyre.
Dhe në fakt kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike, do të detyroheshin të shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmit, “luftës së saj madhështore dhe të guximshme kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.
Diktatori nuk gabonte: pas pak vitesh ishin pas poemat “Përse mendohen këto male,”Shqiponjat fluturonjnë lart”, të Kadaresë, “Devoll,Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, dhe më pas të poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht nga fryma e ideologjisë komuniste së cilës poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi.
Këta poetë, pra, në një mënyrë, a në një tjetër, ishin të detyruar të paguanin këtë haraç.
Ndaj Agim Vinca thekson: “Këtë përkrahje ndaj shkrimtarëve të rinj, Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata, (poetët e rinj, shënimi im- S.K.) , si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60-të,…shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë, deri atëherë tejet uniforme të letërsisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike” . (“Alternativa letrare”, faqe 71).
Ndaj nuk më duket e arsyeshme që Agolli, Kadareja, Arapi dhe poetë të tjerë të talentuar që u shfaqën pas viteve 70-të shekullit të kaluar, si Xh. Spahiu, B.Londo, N. Gjetja. N. Papleka. F.Reshpja, F.Haliti, N. Lako, M.Ahmeti, Zh. Jorganxhi, I. Zhupa, H.Meçe, K. Traboini e shumë e shumë të tjerë, të sulmohen, meqë në krijimtarinë e tyre, kush mës humë dhe kush më pak, i thurën lavde partisë dhe shokut Enver.
Cfarë duhej të bënin? Të mos shkruanin, të heshtnin, siç kishte vepruar Poradeci, që vetëm shumë vjet pas vendosjes së diktaturës komuniste, më 1974, botoi tri poezi, nga të cilat njërën për heroin Reshit Collaku, edhe ato modeste, dhe u mor vetëm me përkthime? Por edhe këtë Poradeci mund të mos e bënte, sepse ai I kishte ngritur vetes një përmendore me vëllimet poetike “Vallja e yjeve dhe “Ylli i zemrës”, të botuara në vitet 30-të të shekullit të kaluar, kur Agolli, Kadareja, Arap,i asokohe ishin kërthinj dhe poetët që do të vinin, do të lindin në periudhën komuniste.
Eshtë e kuptueshme që ata do t’u nënshtroheshin kërkesave që përmenda më sipër dhe si pasojë, së pari të shkruanin poezi që i kushtoheshin realitetit “të madhërueshëm socialist” dhe pastaj tek-tuk poezi lirike dhe më pak poezi erotike që do të rendis në pjesën e dytë të këtyre shënimeve , për disa nga të cilat, siç do të shohim më poshtë, autorë, duke filluar nga vetë Agolli, (kryesisht në prozë), Kadareja, Arapi, Haliti … madje edhe do të kritikohehin, do të ndaloheshin dhe të tjerë do të dënoheshin edhe me burgime, deri në pushkatim ose varje për gabime tërënda ideo-artistike, shtrëmbërim ose nxirje të realitetit socialist.
Ndaj, dhe poetit Bilal Xhaferi, kur më 1967 paraqiti në SH.B. ”Naim Frashëri” vëllimin me poezi “Lirishtja e kuqe” , redaktori i vari ‘”vath në vesh” porosinë që pa tjetër ta hapte vëllimin me të paktën një poezi për partinë. Dhe Xhaferi shkroi një poezi që fillonte me vargjet: “Parti,/ emrin tënd të gdhendur e kam ,/ në pëllëmbët e duarve të mia”, të cilat nënkuptonin dhe anën tjetër të medaljes. Megjthatë, ky vëllim nuk doli kurrë në qarkullim.
Bëra kështu këtë hyrje të gjatë, kushtuar ndihmesës së Agollit dhe pastaj poetëve të tjerë për çlirimin e poezisë sonë nga dogmatizmi dhe pasurimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj me nivel shumë më të lartë artistik, vazhdim I traditave më të mira të saj, duke filluar nga Noli, Poradeci dhe sidomos Migjeni, sidoqë gjithnjë brenda kërkesave të realizmit socialist. Në vazhdim të këtyre shënimeve, në numrin e ardhshëm të gazetës të përpiqem të analizoj domethënien e titullit të tyre, “Agolli- shkrimtar i shquar, por midis të shquarish”.
Pjesa e dytë- C’mund të bënte më shumë Agolli?
Për të shpjeguar dhe më mirë domethëien e titullit të këtyre shënimeve, do të përdor vargje nga Agolli dhe nga disa poetë të tjerë, të cilët dëshmojnë se janë po aq të talentuar sa ai. Kam zgjedhur vargje erotike, pra kushtuar dashurisë, botë ku zor të gjesh autorë shqiptarë të të gjitha moshave, duke përfshirë edhe poetë popullorë, që të mos kenë hyrë dhe të mos jenë frymëzuar nga puhitë e viseve të dëlira të saj. Për më tepër, sepse që të jesh origjinal dhe i pëlqyeshëm në këtë lloj poezie, është me të vërtetë e vështirë .
Në poezinë “I përndjekuri i dashurisë” Agolli shkruan:
“Unë jam I burgosuri yt,/ Rroj në pranga që ti m’I ke vënë,/ Por çudi, as qelia s’më mbyt,/ Dhe s’më mbyt as dritarja e zezë./ Kur ti prangat m’I hodhe në mish,/ Unë i putha duart e tua./ Eshtë rast i pashembullt ta dish,/ Që xhelatin ta puth dhe ta dua,/ I përndjekuri yt erotik”.
Eshtë pa dyshim një poezi me konceptim figurativ, që madje kapërcen natyrën e rrëfimit poetik të Dritëroit i cili, siç është vënë në dukje nga kritika, shquhet si vazhdues i traditave më të mira të krijimtarisë sonë poetike dhe “ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës- frymën popullore: ( AGOLLI Dritëro,FESH, vëllimi 1,faqe 16 ,2008)
Të shohim tani si i këndojnë dashurisë poetë të tjerë nga më tëshquarit:
Bardhyl Londo:
“ Nëse sytë e tu do të qëndrojnë të menduar mbi këto vargje,/ unë do të shoh një ëndërr të bukur./ Nëse sytë e tu do të dridhen sadopak nga këto vargje,/ unë i gjithi do të kumboj si një kitarë deri në agim./ Por nëse sytë e tu do të shkasin indiferentë mbi këto vargje,/ tëherë unë do të kem vdekur./ Mos harro të vish në varrimin tim.”(“Amanetet e poetit”);
Ndoc Gjetja:
“Më hidh në zjarr, në det, në ferr,/më hidh në baltë, më hidh në hon,/ veç të lutem, mos më ler,/në atë vend ku ti mungon.”( “Dashuria”);
Ndoc Papleka:
“Vrapi nëpër atë diellin e asaj dite qershori,/ ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë,/ ia kishte skuqur gushën, llërët,/ lëkurën e zbuluar të krahërorit./Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paperunësh,/ i ngjante një shisheje surealiste,/ me verë të kuqe mbushur. / Vallë kush do ta pinte atë shishe?”(“Vajza flokëkuqe”);
Frederik Rreshpja:
“Në të njejtin yll jemi ndeshur,/ a mund të rrimë pra të pandarë?/ si stoli në trungun e heshtur,/ i mbjellë shumë vite më parë?/Në flakë vetëtime pashë,/ ovalen dridhëse të buzëve të tua,/ dhe si një magji poshtë saj,/ gjithçka që si jeta më dukej,/ Pastaj gjëmimin unë ndjeva,/ rininë tënde të përkulej,/ në çast u hepova si degë,/ dhe gjeta gjithçka që më duhej”. (“Lirikë intime”);
Visar Zhiti:
“Siç duket, / unë jetoj brenda syrit tënd./Bashkohen qerpikët,/ vjen nata për mua,/ e ngrohtë…/Kam kohë që jetoj brenda syrit tënd,/ dhe që të shlodhem,/ dal herë pas here në shetitje,/ në formën e kulluar të lotëve.(“Jetoj në syrin tënd”);
Kolec Traboini:
“Do të hedh në akuarel pikat e shiut,/ që zbritën nga qiejtë e të prekën,/ zogjtë që u gjendën të mardhur përjashta,/ në retinën e syve të tu strehëz gjetën”.(“Akuarel’).
Kurse poeti dhe prozatori aq i talentur, Bilal Xhaferi, që u arratis në Amerikë, më 1986 për t’u shpëtuar përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit , i këndon kështu dashurisë:
“Nuk më vrapoi rinia,/ duke përgjuar pulpat si shishe shampanje,/ nuk m’u verbua rinia,/ pas ngjyrave të fustaneve,/ nuk m’u mbyll rinia,/ në parantezat e qepallave./ Rinia ime zgjodhi tjetër drejtim,/ zgjodhi të tjera ngjyra./ Ajo mbarti në gjoks ngjyrat e baltërave,/ dhe tani e shoh të digjet si ylber sipër dheut,/ i pjellë nga mitra e shtërgatave”.
Ferik Ferra:
“Gratë na lindin,/ gratë na rritin,/ gratë na duan,/ gratë na plakin…/ gratë na mallkojnë,/ gratë na adhurojnë,/ gratë na ndjanë, /gratë na dashurojnë’. (“Gratë”).
Pra, pas ballafaqimit të poezisësë erotike të Agollit, me titull “ I përndjekuri I dashurisë”, me poezi të poetëve që citova, a nuk kemi të drejtë të pohojmë se edhe ato janë po aq të goditura sa ajo, në mos ndonjë të jetë dhe më e goditur? ( Përjashtoj këtu krijimtarinë poetike të Kadaresë, e cila, ashtu si krijimitaria e tij në prozë, për mendimin tim është në përgjithësi jashtë çdo lloj krahasimi, aq sa shkrimtari ynë i madh mund të fitonte Nobelin edhe me poezitë e tij më të mira, siç e ka fituar këtë çmim me poezitë tilla shkrimtarja gjermane Herta Myller, më 2009).
Por poetët e mësipërm, si edhe poetë të tjerë, poezi të të cilëve për arsye vendi nuk kam mundur t’i rendis, kanë shkruar poezi në mos më të mira, të paktën si ato që kanë nivel artistik të përafërt me nivelin e poezive të Agollit, qofshin këto lirika me temë qytetare, atdhetare, politike…Por në këtë pjesë të dytë të shënimeve të mia, unë do të ndalem në një aspekt tjetër të krjimtarisë poetike të Agollit.
Jo rallë në shkrime të botuara në shtypin tonë paskomunist Agolli dhe krijues të tjerë, janë kritikuar se në veprat e tyre, në këtë rast poezitë, i kanë thurur himne regjimit komunist dhe vetë diktatorit Hoxha. U përpoqa qa të shpjegoja këtë fakt në pjesën e parë të këtyre shënimeve , se ata, dashur pa dashur, nuk mund të vepronin ndryshe, sepse kjo ishte kërkesë e diktaturës, se e njejta dukuri ka ndodhur prej shekujsh kur poetë krijonin vargje për mbretërit, perandorët…Kjo ka ndodhur dhe në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera komuniste.
Në shkolla ne kemi studiuar vepra letrare kushtuar Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, madje edhe Titos, deri më 1948, kur ndodhi shkëputja e Shqipërisë nga Jugosllavia. Kështu, nëse Agolli ka shkruar poezi për Partinë dhe Enver Hoxhën, veçanërisht pas vdekjes së tij, më 1985, kjo ka ndodhur, sepse , si anëtar i KQ të PPSH-së dhe kryetar I LSHA-së, ai nuk mund të vepronte ndryshe. Kjo kishte ndodhur me shkrimtarët tanë edhe më 1953, kur kishte vdekur Stalini, të cilët nën shembullin e shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik dhe në vendeve të tjera socialiste, edhe ata shprehën dhëmbjen e tyre të thellë për humbjen e “atit të proletariatit botëor”.
Por në rastin tonë, a ishte i sinqertë Agolli kur shkruante me aq dhëmbje për vdekjen Enver Hoxhës, të këtij tirani që aq shumë të këqia i solli vendit dhe popullit tonë, ose kur krijonte vepra të tjera “për njeriun e ri, që rritej i lumtur nën qiellin e të vetmit vend që ndërtonte socializmin në botë?”
Së pari, duhet të vemë në dukje se Agolli ridhte nga një familje fshatare, se ishte lidhur me luftën partizane që i mitur, se kishte vazhduar me bursë të shtetit studimet në shkollën e mesme. Pastaj, po me bursë të shtetit kishte përfunduar për pesë vjet, (1952-1957) studimet e larta per letërsi në Bashkimin Sovjetik, se pastaj kishte nisur punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”. Dhe jo vetëm kaq, por Partia e kishte zgjedhur deputet në Kuvendin popullor , më 1973 pas sulmeve të Enver Hoxhës në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH-së kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste në kulturë dhe art edhe kryetar te LSHA-së dhe pastaj më 1976 anëtar I KQ të PPSH-së.
Vlerësime më të larta se këto nuk gjen në radhët e krijuesve tanë! (Në Bashkimin Sovjetik kjo do të ndodhte me Shollohovin dhe disa krijues të tjerë në periudhën kur vendin e drejtonte Stalimi dhe më pas Hrushovi).
Pra, Agolli logjikisht kishte arsye të ishte i kënaqur për këto shpërblime dhe të mbetej “besnik i mësimeve të partisë dhe shokut Enver Hoxha” edhe kur e shoqja, sovjetike, u nda prej tij dhe u kthye në atdhë së bashku me djalin 7-vjeçar, mbase dhe për arsyes, siç del edhe nga kujtimet e njërit prej familirëve të tij, të botuara më 2mars të marsit të këtij viti shtypin tonë, se ajo lëvdonte Hrushovin, që ishte shpallur nga Enver Hoxha armik , se kishte tradhëtuar primet e maksizëm-leninizmit. Dhë këtë besnikëri ndaj Partisë Agolli e sendërtoi në vepra letrare.
Mirëpo, pa pritur, më 1965 Agolli boton vëllimin me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme, ” i cili ”u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi”, sepse: “Në të heronjtë paraqiten me cenet e tyre, duke iu shmangur skemës për heroin tipik pozitiv”, (AGOLLI Dritëro, FESH, vëllimi 1, faqe 17. 2008). Jo vetëm kaq, por më 1968 u ndalua edhe shfaqja e dramës “ Fytyra e dytë”, vënë në skenë nga Teatri Popullor, ashtu si vite më pas në teatro të tjera do të të viheshin në skenë dhe do të ndaloheshin së shfaquri edhe dy drama të tjera “Mosha e bardhë” dhe “ Baladë për një grua”. Arsyeja:” Dramat e Agollit, megjithëse nuk dalin jashtë rjedhës së realizmit socialist, kanë dhënë shkas për t’u interpretuar si rrezikuese të doktrinës dhe pastërtisë ideologjike”.( Shaban Sinani,”Tri drama të pabotura të Agollit”, gazeta “Shqip”, 14 tetor 2016). Nuk mjaftonin këto, por më 1973 botonte romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, (1973), që ishte një kritikë fshikulluese e cila vinte në lojë një burokrat që vepron në një zyrë ministrie dhe jo një drejtues i tillë në një kooperativë bujqësore a kantier ndërtimi. Ishte pra një kritikë që, ndonëse me humor, godiste njerëz të aparatit shtetëor. Dhe kjo ndodhte për herë të parë në letërsinë shqiptare të asaj periudhe. Pra, duke kërkuar hapësira të reja, Agolli tërthor dëshmonte se donte të dilte nga tuneli mbytës i parimeve të realizmit socialist.
Megjithatë, pas këtyre goditjeve , Agolli më 1974, botoi poemën “Nënë Shqipëri”, vepër e quajtur idealizuese nga kritika, vazhdim, por me një nivel më të lartë se “Bagëti e bujqësia” e Naimit. Mjerisht, idealizimi në këtë poemë arrin në madhështi, kur autori, kapërcen këtë cak dhe idealizon Shqipërinë komuniste. Kuptohet se nuk mund t’I shmangej këtij qëllimi, sepse poema botohej në prag të 30-vjetorit të Clirimit , madje në… 100 mijë kopje dhe përfshihej edhe në programet shkollore. Por politizimii poemës kalonte caqet e një logjike elementare, kur, siç duket, për t’I bërë qejfin shokut Enver, autori, me zell të tepruar gjente vend që me një varg t’u sulej edhe… “ armiqve të “nënës Shqipëri”… Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, që për më tepër kishin qenë miq dhe kolegë të tij dhe ishin quajtur të tillë, si dhe shumë artistëve dhe shkrimtarëve të tjerë, sepse, sipas Enver Hoxhës ishin “orvatur të futnin në artin dhe kulturën tonë “ndikime të ideologjisë borgjezo-revizioniste”.
Nuk harroj kurrë një mesditë janari të vitit 1991 kur Tod Lubonja, ish-drejtori im në RTVSH, në vitet 1972-73, më takoi në rrugë dhe shumë i revoltuar më tha:” Që Dritëroi do të më kritikonte ashpër në referatet e tij, ku zbërthente raportin e Enver Hoxhës në Plenumin e 4-t të KQ, këtë e kuptoj, sepse nuk kishte si të bënte ndryshe, ngaqë ishte kryetar i LSHA-së. Por nuk e ka porositur Enveri që në këtë poemë të më demaskonte si “armik!?”. Dhe kishte të drejtë.
Poema “Nënë Shqipëri” nis me vargjet:” Më ler të bie në prehërin tënd të ngrohtë,/O hallemadhja ime shekullore!…”. Dhe vazhdon: ”Ti sytë i lan në mëngjes me ujin e krojeve të maleve, / Ti llërët i lëmon në mëngjes me shkumën e deteve,/ Ti faqët i fshin me peshqirin e madh të livadheve…/ Dhe çdo mëngjes bëhesh më e re dhe përze zhubra e rudha…”.
Vargje jo realiste, sepse 30-vjetorin e Clirimit Shqipëria “e festonte” me shtypjen, dhunën, thellimin e mëtejshëm të luftës së klasave mbi kurriz, të cilat kishte nisur diktatori ynë i kuq, madje me koka të këputura që nga anëtarë të Byrosë Politike, që i kishte pasur shokë të tij besnikë gjatë të Luftës, pastaj të shkrimtarëve dhe artistëve, deri te burgimet dhe internimet e panumërta familjesh,të cilat i kishin kallur datën popullit të mjerë dhe Shqipërisë, së cilës, përkundrazi, i shtoheshin zhubrat t dhe rudhat nga këto të zeza gjëmëmadhe qëi kishin rënë mbi kokë.
Ndaj, thuajse në po të njejtën kohë kur Agolli i ofronte lexuesit shqiptar ketë poemë “idilike”, Bilal Xhaferi, poeti i shtrënguar të sygjynosej në Amerikë nga ndjekjet e Sigurimit të Shtetit, shkruante poezinë e tij “ Shqipëria”:
“E para mjegull e prillit,/ Porsi qefin të mbuloi,/ Sa shpejt nga sytë atdhe më humbe,/ Sa shpejt errësira të gllabëroi…/ Me tel me gjemba, gjoksi yt,/ I lidhur mbeti në kufi./ Ashtu të lashë, i shtrenjti vend,/ Dhe rrugën mora për këtej./ Vallë ku më çon kjo rrugë e largët?/ Kur vetë tek ti do të kthej?”
Kurse në një poezi tjetër ”Shqipëri, 1976”, vit, kur terrori enverhoxhist po arrinte kulmin, Bilal Xhaferi, tashmë në Amerikë, shkruante:
” Vend i vogël, kohë e vogël, racion I vogël,/ Errësirë e madhe, frikë e madhe, mjerim i madh./ Dhe rrugëve të atdheut, si kukuvajkë nën hënë,/ Leh dhe ulërin “Gazi 69”.
Një e vërtetë e dhëmbshme që të shtrëngon edhe sot të nxjerrësh nga gjoksi ulurima të thekshme. Vargje krejt e kundërta me ato të mësirmët të poemës “Nënë Shqipëri” të Agollit.
Poeti Trifon Xhagjika, ushtarak , që u pushkatua më 1963, shkruante fshehurazi poezi, ndër të cilat poemën “ Kënga e verbër”, kushtuar “Republikës popullore”, nga e cila po shkëpus vargjet:
“O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ Po ç’më dhe?/ Tek ti jam i lirë, pa liri,/I gjallë, pa jetuar,/I vdekur, i pavarrosur…/ Nuk mundem të të fal,/ Gjuha m’u zgjidh,/ Në neët e tua të përgjakura ,/ Do të dëgjosh zërin tim:/”Të urrej, Republkë,/ Lavire e zotërve gjakpirës..”, (prill 1962).
Sigurisht që nga Agolli, dhe jo vetëm nga ai, por edhe nga poetë a prozatorë të tjerë, është e natyrshme nuk priteshin të botoheshin vargje të tilla. Dhe kur Kadareja një ditë tetori të vitit 1975 guxoi të dërgonte për ta botuar në gazetën “Drita” poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, që njihet edhe me titullin” Pashallaët e kuq”, kryeredaktori i saj, duke kuptuar rrezikshmrinë që paraqiste, e hoqi në çastin e fundit nga shtypi. Cështja u ngjit deri te”Kupola e kuqe”, shefi i propagandës, Ramiz Alia, ia dërgoi për ta lexuar vetë Enver Hoxhës, i cili, midis të tjerash, e porositi që ta thërriste Kadarenë, sepse: “Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është burokratik” dhe, për më tepër burokratët i kanë “duart të lyera deri në bëryl duart me gjak “.(“Ditari vetjak I Enver Hoxhës”, 20 tetor 1975).
Ndaj jo vetëm në mesin e viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, dhe më pas, Agolli nuk mund të shkruante ndryshe. Ishte i detyruar do t’u përshtatej rrethanave. Ose mund të bënte diçka tjetër. Të shkruante vepra, në prozë a poezi, dhe t’i ruante thellë sirtarëve , në një kohë që Kadareja shkonte dhe më tutje: romanin e tij ”Hija”, që demaskonte sistemin tiranik shqiptar, e dërgonte më 1988 fshehurazi në Francë, që të botohej pas vdekjes së tij.Por edhe për këtë Agolli nuk duhet fajësuar. Në radhë të parë, sepse nuk dimë nëse ai pas kritikave që përmeda më sipër, deri në ndalimin e disa veprave te tij, kishte ndërruar bindjet e tij ideologjike, sidomos pas Plenumit të 4-t, 1973, që solli pasojat tragjike që përmenda më sipër. Nuk besoj se ai të miratonte dënimet e rënda të shumë krijuesve që arritën deri burgosjen për shkaqe politike të F.Rreshpes, J.Bllacit, .Z. Zorbës, P.Taçit, D. Gumenit, V. Zhitit, Z. Moravës etj., të cilat pas dënimit me vdekje të T. Xhagjikës të pasoheshin edhe me dënimet mizore, po me vdekje, të dy poetëve të tjerë tërinj, V.Bloshmit dhe Genc Lekësm më 1967. Por as që të ngrinte zërin, në rast se kishte krijuar këtë bindje, ai nuk kishte mundësi, sepse, siç përmenda lart, xhelati Hoxha, nuk kishte ngurruar të shpinte në varr shokët e tij të luftës.
Në intervistën e gjatë, të botuar, siç vura në dukje mësipër, më 2 mars të këtij viti thuajse në të gjitha gazetat tona , një familiar i ngushtë i Agollit thekson: “Dritëroi vlerësonte shumë Enver Hoxhën, e cilësonte atë si “njeriun që bëri shtet dhe që ishte në gjendje ta mbante shtetin. E vlerësonte dhe e cilësonte atë të zgjuar”. Veç këtyre familiari shton se Agolli vlerësonte edhe Mehmet Shehun, në shtëpinë e të cilit bënte dhe vizita dhe se nuk besonte se ai të kishte qenë poliagjent dhe të kishte vrarë veten. (Po aty). Pra, vinte kështu në dyshim bindjet e Enver Hoxhës, që kishte zbuluar “këto fakte”, të cilat kishin sjellë si pasojë vetëvrasjen e kryeministrit, “ vetëvrasje” që ai quante “vrasje”. Pra hidhte poshtë bindjen e diktatorit!…
Jo vetëm kaq, por familiari shton se më 1984, gjatë një vizite në fshatra te jugut të Shqipërisë, kur kishte parë në fusha gomerë, Dritëroi kishte thëë: ”Shihni si ikin gomerët me vrap, se hanë tani ushqimimin e lopëve që janë futur në kooperativë!… Në vend që t’i lenë fshatarit lopën, tani i kanë lënë gomarin, që vetëm punë bën dhe asgjë tjetër.” Pas këtyre fjalëve familiari e kishte qortuar se mund t’I merrte më qafë, por Dritëroi kishte shtuar: “Unë them të vërteta dhe mbajeni mend se kjo nuk zgjat më shumë se 10 vjet”.( Po aty).
Sidoqoftë, deri tani asnjë familar tjetër nuk ka përgënjështruar pohimin e mësipërm se Dritëro Agolli vlerësonte kaq shumë Enver Hoxhën….
Por do të vinte viti 1985.. Diktatori do të shkonte në ferr. C’farë do të bënte tani Agolli nga ato që mund të kishte bërë më parë. Për këtë do të flasim në pjesën e tretë dhe të fundit të këtyre shënimeve .
Pjesa e tretë dhe e fundit- C’nuk bëri dhe bëri Agolli pas vitit 1985
15 prill 1985. Diktatori Enver Hoxha “ngrë patkojtë nga dielli”…Por, ndërkohë, Shqipëria është mbuluar në heshtje tragjike nga kjo… fatkeqësi. Shqiptarët përpiqen ta shprehin këtë dhëmbje me lot, (oh, sa lotë të stisur, kur shumicës dërmuese anë e kënd mëmëdheut i rreh zemra nga gazi dhe hareja!). Këtë “dhëmbje “e shprehin”edhe shkrimtarët dhe poetët. Ndër ta edhe Agolli. Ndër të parët. Mbase dhe i pari. I takon më shumë se të tjerëve, sepse është kryetar I LSHA-së, anëtar i KQ të PPSH-së.. .Dhe midis të tjerash në poezinë e tij ai shkruan edhe këto vargje:”Falmë, Enver, që po përmend në vjershë,/ fjalën vdekje, mbushur gjëmë e zi./ Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,/ deshe jetën në çdo poezi”.
Publicistja dhe poetesha kosovare, Adrina Shala Prishtina, në esenëe saj me mjaft interes, të botuar më 6 shkurt të këtij viti në gazeta dhe portale interneti, shkruan kështu për këto vargje kushtuar vdekjes së tiranit gjakësor: ” Jo, ai vdekjen në varg nuk e deshi; e deshi në jetët e njerëzve që e kundërshtuen; e deshi gjithandej; e deshi në dhomat e Sigurimit; e deshi në kazermat e internimit; e deshi në burgjet e tij; dhe aq shumë e deshi, saqë edhe eshtnat ua zhduku, deri sa Shqipnia u ba vorr madh”.
Përcaktim rrëqethës i një të vërtete të lemerishme! Nuk ka nevojë për t’u shpjeguar më tej, sepse këtë të vërtetë e pamë me vargjet e B.Xhaferrit, të T. Xhagjikës dhe të sa e sa poetëve që patën guximin t’i shkruajnë dhe t’i mbajnë ato ato fshehur në vitet e zymta të diktaturës dhe shumë më tepër t’i shkruajnë dhe t’i botojnë ato pas shpalljes së pluralizmit, në dhjetor të vitit 1991.
Në qoftë se nisemi nga pohimet e familiarit të të Agollit, të shprehura në shtypin tonë, që i citova në pjesën e dytë të këtyre shënimeve se: “ Dritëroi e vlerësonte shumë Enverin, e cilësonte si njeriun që bëri shtet dhe ishte në gjendje ta mbante shtetin”, atëherë arrijmë në përfundimin se ai i ka shkruar me çilëtëri dhe dhëmbje të madhe ato vargje. Për të ardhur vërtet shumë keq…
Mirëpo, pas vdekjes së këtij tirani të perbindshëm zhvilimet e reja që filluan në Evropën lindore , veçanërist në B. Sovjetik, me “Gllasnostin”,(Kthjelltësi”), dhe “Perestrojkën”(“Rindërtim”), sollën si pasojë që edhe në Shqipëri burgjitë e shtypjes tiranike të liroheshin disi. U pakësuan ndjekjet, burgosjet, internimet, sidoqë Ramiz Alia që erdhi në pushtet pas vdekjes së Enver Hoxhës, deklaroi se Partia do të ndiqte rrugën e tij.
Së pari, Agolli mund të kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe t’i shpjegonte që vepra e poetit të madh Lasgudsh Poradeci, e lënë si dhe ai në heshtje të thellë që nga viti 1944, pas vendosjes pra të regjimit komunist, të ribotohej dhe ai të mbahej më pranë. Dhe kishte një mbështetje shumë të sigurtë nga vetë Enver Hoxha, i cili në kujtimet e tij kishte shkruar:” E kam njohur Poradecin që para lufte, kur ishte profesor në gjimnazin e Tiranës. Më kishte ftuar dy herë në dhomën e tij të thjeshtë, pa zjarr, dhe me një velenxë të hedhur krahëve më kish lexuar disa vjersha të tij të bukura të asaj kohe… Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të jetonte i vetmuar”. ( “Nga Ditari i shokut Enver”, 2 gusht 1981, botuar në gazetën “Drilon”, organ i KP të rrethit të Pogradecit, 22 dhjetor 1988).
Jo vetëm kaq: Në në gusht të po atij viti u mor vesh lajmi I kobshëm se poeti Havzi Nela, deri atëherë i burgosur dhe i syrgjynosur disa herë, ishte dënuar me varje dhe dënimi ishte ekzekutuar. E pra, ai s’ kishte vrarë ndonjë sigurimas, as kishte hedhur në erë ndonjë kantier a fabrikë, as kishte te kryer asnjë vepër tjetër sabotuese kundër rendit socialist. Ai kishte në poezi të tij të mbajtura fshehur, vetëm se kishte shprehur urrejtje ndaj komunizmit të përçudnuar shqiptar.
A kishte mundësi që Agolli me funksionin e tij të lartë partikak dhe si kryetar I LSHS-së, mbi të gjitha- personalitet shumë i njohur në popull me veprat e tij letrare, të takonte Ramiz Alinë, sekretar i parë KQ të P.P. SH-së dhe president I Republikës? Me të ai kishte pasur lidhje të vjetra, që kur kishte qenë gazetar në “Zërin e Popullit”, aq më tepër që e dinte mirë se sa i ndryshëm ishte nga xhelati Enver Hoxha, dhe kështu i kishte të tëra mundësitë të ndikonte që kjo masë mizore për këtë poet të kthehej të paktën në burgim të përjetshëm? Kishte plotësisht. Madje jo vetëm ai, por edhe veprimtarë shumë të njohur edhe në fusha të tjera të jetës.
Agolli, për fat të keq, këtë nuk e bëri. Pikërisht ndaj këtij poeti dhe atdhetari i cili në qelitë e burgut kishte shkruar fshehurazi edhe poezinë “Kur të vdes”, nga e cila kam shkëputur vargjet e mëposhtme: “ Kur të mësoni se kam vdekë,/ Thoni: “Dritë ai kërkoi,/ Dhe dritë nuk pa me sy,/… Thoni:” Terri e qërroi ”,/ Thoni: ”Dielli nuk e ngrohu,/ Thoni: “Tmerri e trishtoi,/ E të shtypunit i tha: ” Cohu!”./ Kur të vijë, të çelë pranvera,/ Kur bilbili nis me këndue,/ Mbi vorr timin me gurë e ferra,/ Një tufë lulesh me ma lshue”…
Korrik i vitit 1990. Mbi 3000 të rinj shqiptarë të strehuar për shumë ditë nëpër ambasada të huaja, janë vendosur në vende perendimore, në shenjë proteste kundër shtypjes dhe tiranisë së padurueshme komuniste. Dhe ja, më 19 gusht, kryeredaktor i “Dritës”, poeti i njohur, Bardhyl Londo, boton me guxim poezinë “Kuajt” të studentit Gjekë Marinaj, nga një fshat pranë Shkodrës.
Po citoj disa vargje të saj: “Tërë jetën duke vrapuar rrimë,/ Shohim veç përpara,/ C’bëhet prapa, s’ duam t’ia dimë,/ Nuk kemi emër, / Të gjithëve kuaj na thonë,/ Nuk qajmë, nuk qeshim,/ Heshtim, dëgjojmë./ Hamë ç’të na japin/ “Ecni!”, na thonë..”.
Sigurimi i Shtetit që deri atëherë duket se dremit si gërdallë, nxjerr dhëmbët dhe kërkon ta kallë në burg ketë djalosh rrebel. Por ai arrin të kalojë kufinjtë nga veriu dhe të vendoset në Amerikë ku jeton edhe sot.
A e kishte njoftuar Londo Agollin nga i cili varej gazeta, për botimin e kasaj poezie të ukubetshme reaksionare në të cilën kuajt simbolizonin popullin e mjerë shqiptar? Nuk e di, por fakti është se Londo mbeti sërishmi kryeredaktor. Mbase i mbrojtur nga Agolli.
Në dhjetor të atij viti PPSH-ja detyrohet të pranojë pluralizmin partiak.Themelohet Partia Demokratike. Dhe më 5 janar 1991 qarkullon gazeta e parë opozitare “RD”. I pari që e përshëndet në faqet e saj, është.. Dritëro Agolli!… Ramiz Alia e ndjen se edhe nga gjiri i Partisë së Enverit po dalin kundërshtarë. Ndër ta edhe Londo, që në shkurt 1991 është tashmë ai vetë që boton poemën “Thirrja”, e cila përpihet nga lexuesit, sepse demaskon hapur diktaturën enverhoxhiste. Kam bindjen se poema është botuar edhe me miratimin e Dritëroit..
Ja disa vargje të saj…
Shkojmë më tutje: në qershor të atij viti mbidhet Kongrers i 10-të i PPSH-së, kur nuk kanë kanë veçse disa muaj nga rrëzimi i përmendores së tiranit. Ramiz Alia e ka kuptuar se PPSH-ja duhet të riformohet. Ndër të parët që diskuton është dhe Agolli. Sulmon ashpër vijën e gabuar të partisë . ”Pasqyrë e kësaj vije,- shpërthen ai me mllef ,- është gjendja katastrofike e Shqipërisëë, është varfërimi deri në palcë i popullit, si pasojë e zbatimit të dogmave marksiste-leniniste….”. Ndërpritet gjatë dhe disa herë nga britmat çjerëse: ”Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!”, të cilëve ai u përgjigjet: ”Ju me të vërtetë treguat se Partia e Punës nuk rinovohet”. Dhe vazhdon të demaskojë sistemin e ashtuqujatur demokratik. Po atë e ka krijuar Enver Hoxha, dhe familiari i tij, siç e kemi parë në pjesën e dytë të këtyre shënimeve, pranon se Dritëroi e respektonte dhe lëvdonte “këtë Enver”, që kishte bërë shtet..etj.. etj…. Por njëkohësisht, po sipas familiarit, që më 1984, kur diktatori i ishte ende gjallë, kritikonte politikën e Partisë që I kishte marrë fshatarit lopën!.. Shtonte, gjithashtu sipas familiarit, se kjo gjendje nuk do të vazhdonte më shumë se 10 vjet, siç ndodhi në të vërtetë. Profeci apo, meqë komunizmi po rrëzohej për ibret, o burra, t’i biem, që të fitojmë respekt në opinon dhe në popull, sepse i vdekuri nuk ngjallet më?
Jo, sepse e vërteta është se ato kritika asgjësuese që shprehu në Kongresin e 10- të të PPSH-së,ose në Kongresin e Parë të PS-së së porsakrijuar, (dashamirës të letërsisë gjykonin se ai që atëherë duhej që mejëherë të largohej nga politika, sepse leteërsia e mirëfilltë kurdoherë është në opozitë dhe qëndron të), Agolli u përqoq t’i sendërtonte në krijimtarinë e mëtejshme letrare. Së pari, më 1990 u ribotua, ndonëse pa ripunime, romani humoristik “ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. U botua madje edhe në Francë dhe deri më 1994 edhe në disa vende të tjera, shoqëruar me recensione shumë pozitive. Por, për ironinë e fatit, u botua në një periudhë krejt të papërshtatshme. Asokohe, lexuesi, nuk ia kishte ngenë të lexonte këtë roman, i cili kishte pasur jehonë në vitet 70-80 –të të shekullit të kaluar, sepse na bënte e të qeshnim me marrëzitë e këndshme të Zylos dhe Demkës, dy shëmbëlltyra shqiptare të Don Kishotit dhe Sanço Pançës, vepër që ishte shkruar edhe si jehonë e fjalimeve të Enver Hoxhës më 1966 dhe 1972, kundër shfaqjeve burokratike në aparatin shtetëror. Zyloja I Agollit, edhe atëherë, nuk paraqiste rrezik për shqiptarët, sepse nuk ishte përfaqësues i së ashtuquaturës “diktaturë e proletariatit”, që të kallte në burg, dhe që bënte gjëmën edhe familjes…
Megjithatë, Mehmet Shehu në një letër që i drejtone Enver Hoxhës për luhatjet ideologjike të Agollit, vinte në dukje: ”… Mjafton të përmendim dy vepra të gabuara të Dritëro Agollit:a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se vendi ynë është i kalbur me burokratë të pandreqshëm, si Zyloja etj; b) Drama “Fytyra e dytë”…që e nxin situatën e vendit…”. ( Alma Mile, “Shaban Sinani zbulon letrën e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën:” Ku gabon Agolli?”, “ Panorama”, 8 shkurt 2012). Por, mëgjithatë, romani nuk u ndalua dhe në shtypin e viteve 1970-të dhe më pas nuk iu bë ndonjë verejtje. Mbase meqë Agolli ishte tashmë kryetar I LSHA-së dhe anëtar I KQ? .. Mbase Partia donte të tregonte se lejonte në vepra letrare edhe kritikë ndaj dukurive të tilla negative si burokracia?
Sidoqoftë, më 1990 e në vitet e mëpasme, lexuesi ynë, kishte nevojë të lexonte jo për këta tipa burokratësh, “me bojë pelikan të përjargur”, siç shkruan Kadareja në poemën e tij ‘”Në mesditë Byroja u mblodh” dhe për të cilën kam shkruar në pjesën e dytë, por për “Zylo” të tjerë, “ të kobshëm,/me duar të përgjakura gjer në bëryl..”, siç vazhdon ai më pas tutje në këtë poemë, të cilët ishin bërë edhe më gjakësorë, sepse po shihnin se pushteti po u rrëshqiste nga duart. Ndaj, ishte kjo arsyeja që kur Enver Hoxha lexoi dorëshkrimin e poemës së mësipërme, u tërbua dhe, siç kam vënë në dukje po në pjesën e dytë të këtyre shënimeve, e porositi Ramiz Alinë ta thërriste Kadarenë këtë poet “korb”dhe “ta vinte të lëpinte mutërat që kishte shkruar…”.
Për më tepër, ky roman i Dritëroit , u krijonte lexuesve të huaj idenë se edhe në Shqipërinë e viteve 1990 problem kryesor nuk vazhdonte të ishte mungesa e lirisë, por vazhdonte të ishte burokracia, e përfaqësuar nga “Zylot”, si ai romanit në fjalë. Ndaj “ “Shkëlqimi dhe rënia..…” nuk u ndërpre së botuari në variantin e parë në faqet “Hostenit”,( 1972), për shtrëmbërime të realitetit socialist ,siç është shkruar dhe shkruhet ende në shtyp. Këtë e dëshmon vetë Agolli, i cili në një intervistë rreth këtj romani, që gjendet në google, shkruan:”Kur romani përfundoi së botuari në revistën “Hosteni”, Niko Nikolla, (kryeredaktori i “Hostenit”, shënimi imi, S.K) dhe unë, në fillim të vitit 1973 shkuam në Shtëpinë Botuese ”Naim Frashëri”. Botimi i ri i romanit, përveç pjesës së së Afrikës, nuk ka ndryshime nga botimet e mëparshme”. Sidoqoftë, “Shkëlqimi dhe rënia…”, për vlerat artistike mbetet edhe sot vepra më e mirë humoristike në letërsinë shqiptare.
Si perifrazim i kritikave të rrepta që, siç e pamë Agolli bëri në diskutimin e tij në Kongresin e Parë të PPSH-së më 1991, është dhe romani “ Dështaku” . ”Faqet e këtij romani , – shkruan kritiku Yrjen Berisha,- sjellin imazhin e errët të inkuizicionit bashkëkohor, që i ngjan periudhës mesjetare…Dhe bazuar në këtë filozofi, mendoj se autori me këtë roman… i dha një grusht të merituar diktaturës së kuqe, e cila vepronte sipas ligjeve mafioze dhe kriminale që për interesa të ngushta, zbaton ligjet e xhunglës”. (Agjensioni Floripres, 30 qershor, 2011). Po në të njejtën rjedhë zhvillohen edhe ngjarjet e romanit tjetër “Kalorësi lakuriq”, (1996). Por, si në të parin, ashtu dhe në këtë roman, ndonëse përsëri demaskohet diktatura komuniste, mendoj se niveli artistik nuk është në lartësinë e disa romaneve të Agollit, ku, sidoqë brenda kërkesave dogmatike të realizmit socialist, për karaktere dhe mjedise të spikatura, shquhen romanet “Komisari Memo, (1970) dhe “Njeriu me top”, ( 1975) .
Mbi të gjitha, nuk shënoi ngritje të dukshme artistike as romani i ri humoristik “Arka e djalli”, (1997). Në një shkrim në google, me titull “Diskutim: ”Shkëlqimi…”, ku flitet për këtë roman, lexova se në biseda me miq Agolli shprehej: “Me të do të ndryshoj përfytyrimin e letërsisë”. Por, për shumicën e lexuesve kontributi më i mirë ishte dhe mbetet, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tepër, romani i mësipërm, ku parodizohet skematizmi i realizmit socialist dhe nënvizohet se ”personalitete e fuqishme të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese”, (AGOLLI Dritëro, FESH faqe 17, vëllimi 1, 2008), edhe ai, jo për faj të autorit, iu paraqit lexuesit në një peridhë periudhë të llahtarshme, në periudhën rënies së firmave piramidore. Ishte koha ku shqiptarët humbën miliona e miliona para të kursimeve e tyre, kur vendi u përpI nga djegie, shkatërrime dhe mijëra të vrarë dhe plagosur; ishte dhe koha kur lexuesit, (nga ata që kishin nge të lexonin), mund të pritnin prej tij një roman shumë tronditës për këto ngjarje, më tragjiket pas vitit 1945, se sa romanin e mësipërm, i cili mund të ishte botuar më parë. Ose pritnin dhe kanë pritur nga Agolli ndonjë roman, dramë, që tashmë të shpinte më tutje idetë e dramës “ Fytyra e dytë”, a “Mosha e bardhë”, a të shkruante komedi, ose romane të tjera humoristike ku, me stilin e tij hokatar, satirik dhe sarkastik, të jepte pasazhe të viteve paskomuniste, deri në ditët që jetojmë, kur Shqipëria dhe populli shqiptar janë bërë “verme” në laboratorët e shumicës së politikanëve pushtetarë, që kanë emërues të përbashkët- korrupsionin. Pritnin pra, të zbërthnte në prozë ato dukuri që lexojmë në poezisn e tij “Gënjeshtra”, disa prej të cilave po i rendis më poshtë:
“ O popull, ç’të bëjnë,/ Të japin lodra të luash,/ Të mbajnë me përralla,/ Të flesh në shtrat sa të duash,/ Të quajnë të vogël,/ Dhe thonë s’di shumë,/ Të japin prapë një lodër,/ Dhe prapë të thonë:/”Pusho, mos bëj zhurmë!”.
Nuk jam shkrimtar i humorit, por, gjithsesi, I ngacmuar nga dukuritë bashkëkohore të shoqërisë sonë, kam shkruar dy romane humoristike: “Tirani ngrihet nga varri”, (2004) dhe ”Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars”, ( Prishtinë, 2006). Në të parin, një riosh që i ngjan tiranit të vdekur, shtihet dhe bind miletin se me ndihmën e perendisë që i ka falur mëkatet, është ringjallur për të vendosur demokracinë e vërtetë në këtë vend të vogël, “demokraci” e shpërdorur nga partitë politike. Në të dytin, po ky djalosh, pas dhjetë vjetësh u dërgon krerëve të po këtyre partive politike “emaile”, veç e veç, sikur ato vinë nga… marsianët. Me anë të tyre, ata u shjegojnë, përsëri veç e veç se, meqë temperturat në tokë do të ngrihen mbi 50 gradë dhe jeta do të vdesë, me anije të tyre kozmike do t’i marrin dhe shpien në planetin e kuq, Mars, që atje të ndërtojnë shoqërinë ku të tërë banorëte këtij planeti të jenë të barabartë. Të dy romanet u botuan me entuziazëm nga botuesit, por, mjerisht për to nuk u shkrua as edhe një resht në shtyp. Siç duket, nuk patën jehonë te lexuesit.
Të kthehemi përsëri tek Dritëroi . Ndoshta ai nuk mundi, ose nuk vuri vetes si qëllim të shkruante vepra të tilla. Nuk është mëkatë, për shembull , që ai nuk mundi të bënte në prozë, atë që bëri të paktën shkrimtari i njohur, Fatos Kongoli, me disa romane, si “ I humburi”, “ Kufoma”, ”Lëkura e qenit”… që kanë pasur jehonë edhe te lexuesit e huaj, vepra ku shfaqen me nivel të lartë artistikisht dramat e dhëmbshme që kemi përjetuar dhe përjetojmë .
Sidoqoftë, Agolli, siç është cilësuar nga kritika, mbetet poeti që në veprat e tij , si “Fjala g gdhend gurin”,(1977), ”Udhëtoj I menduar,(1985), ” Pelegrini I vonuar, (1993),”Fletorkat e mesnatës,,(1999), etj., i këndoi me shumë ndjenjë vendlindjes, vlagës së tokës, flladeve të viseve të mahnitshme të natyrës shqiptare, që e bëjnë atë shkrimtar të shquar, por midis midis të shquarish.
Mars 2017, Watertown, Boston, SHBA
Komentet