VOAL – BERNË – Agjencia Zvicerane e Lajmeve sda/ats në informacionin e orës 09:35 me titull “Shqipëri: administrativet, një test i ri për anëtarësim në BE”, ku shkruhet:
“Mbi 3,37 milionë shqiptarët janë thirrur sot në kutitë e votimit në zgjedhjet e para pas miratimit të reformës administrativo-territoriale që i ka zvogëluar thellësisht nga 373 në vetëm 61 komunat në të gjithë vendin.
Procesi sotëm përbën testin e radhës të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe, siç është pohuar edhe nga presidenti i Republikës Bujar Nishani, “duhet të jetë investimi ynë kryesor për afrimin e negociatave për anëtarësim,” çka Tirana shpreson ta arrijë në vjeshtë. Në garë janë 63 formacione politike, 37 prej të cilave janë bashkuar me socialistët e kryeministrit Edi Rama, në koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’. Ndërsa 15 të tjera janë bashkuar në ‘Aleancën për Punë dhe Dinjitet’, koalicionin e qendrës së djathtë të opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha.
Vota e sotme përbën sfidën e parë edhe Ramën e qeverinë e tij, pas gati dy vjetësh në pushtet, por edhe për Bashën, i cili nga viti 2013 ka zëvendësuar në krye të opozitës liderin historik të qendrës së djathtë, Sali Berisha. I gjithë vendi është ndarë në 90 kolegje zgjedhore. Këto janë organizuar në 5299 qendra votimi të cilat do të qëndrojnë hapur deri në orën 19. Për ta monitoruar procesin janë të pranishëm rreth 200 vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës të cilët nesër do të paraqesin raportin e parë paraprak.
Në bazë të sondazheve të kryera nga dy Institute italiane – Ipr Marketing e Piepoli – për llogarit të dy televizioneve shqiptare, respektivisht Ora News e A1Report, është e qartë fitorja e qendrës së majtë të Ramës, e cila pritet të jetë përpara edhe në kryeqytet, i drejtuar ky katër vitet e fundit nga lideri i opozitës Basha.
Komentet